Ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu: 900 persona me aftësi të kufizuar do të përfitojne çdo vit…

0
730

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale financon për herë të parë shërbimin për karriget me rrota.

Ministria e drejtuar nga Ogerta Manastirliu bën me dije se ka nisur financimin e shërbimit të karrigeve me rrota të personalizuara për personat me aftësi të kufizuar. 900 persona në vit do të përfitojnë karriget me rrota falas”. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale znj. Ogerta Manastirliu, gjatë vizitës në punishten “Mirësia”, e cila për herë të parë financohet nga shteti për shërbimet e karrigeve me rrota.

“Jam shumë e kënaqur që jam në këtë punishte që siguron, më shumë se çdo ndërmarrje tjetër, një element shumë të rëndësishëm dhe thelbësor për personat me aftësi të kufizuar, siç janë karriget me rrota, ky mjet i domosdoshëm për të aksesuar shërbimet, për t’ja dalë vetë në përditshmëri. Gjithçka nis nga liria, liria për të lëvizur, për të qenë të pavarur, ndaj po japim mbështetjen tonë maksimale si Ministri e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes, duke financuar për herë të parë shërbimet e përshtatjes së karrigeve me rrota për çdo individ me aftësi të kufizuar që ka nevojë”, tha Ministrja Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shpërndau karriget e prodhuara enkas për 15 gra me aftësi të kufizuar nga Tirana dhe Durrësi ndërsa pa nga afër procesin e përshtatjes së karrigeve me rrota sipas specifikave të personave me aftësi të kufizuar.

“Jemi në muajin Mars, që të gjithë e lidhim me 8 Marsin, ditën ndërkombëtare të grave, ndaj vendosa të jem sot me gratë me aftësi të kufizuar që kanë një forcë të jashtëzakonshme. Fuqizimi i një gruaje të vetme na fuqizon të gjithave ndaj duhet të ngremë zërin për të drejtat tona jo thjesht dhe vetëm për të arritur kuotat e barazisë gjinore, që sigurisht edhe ato janë me rëndësi, por për të garantuar që çdo grua, të mos përballet me diskriminimin dhe të ketë mundësi të çlirojë potencialin që ka brenda vetes”, tha Manastirliu.

Deri tani, me mbështetjen e këtij shërbimi janë pajisur rreth 700 persona me aftësi të kufizuara me karrige me rrota, ndërsa çdo vit, do ta përfitojnë këtë shërbim rreth 900 persona me aftësi të kufizuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here