Shifrat, formacionet dhe kuotat e Gjermani-Meksikë

0
1191

Në orën 17:00, në fushën e lojës do të zbresë kampionia në fuqi e botës, Gjermania, që e nis mbrojtjen e titullit në Botërorin e Rusisë kundër Meksikës.

Ndeshja e vlefshme për Grupin F do të luhet në “Luzhniki Stadium” të Moskës, ku në këtë grup gjendet edhe Suedia me Korenë e Jugut.

Ekipi i Joachim Loë ka fituar vetëm një ndeshje që kur është kualifikuar për në “Rusi 2018”. Suksesi i tyre i vetëm në përgatitje ka ardhur ndaj Arabisë Saudite, 2-1.

Krahas lënies jashtë ekipit të Leroy Sane, futbollistit të ri më të mirë të Premier League me fanellën e Manchester City, te Gjermania ka pasur disa polemika edhe për një fotografi të Mesut Ozil dhe Ilkay Gundogan me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, çka ka sjellë edhe vërshëllimat e tifozët.

Gjermania synon të bëhet skuadra e parë pas 56 vitesh që e mbron titullin botëror. Skuadra e Loë ka fituar 4-1 ndaj Meksikës në ndeshjen e fundit mes këtyre dy ekipeve, e vlefshme për Kupën e Konfederatave, që u zhvillua vitin e kaluar në Rusi.

Meksika do të marrë pjesë për herë të shtatë radhazi në Kupën e Botës dhe pas humbjeve në miqësoret ndaj Danimarkës dhe Kroacisë, erdhi barazimi ndaj Uellsit, teksa trajneri Juan Carlos Osorio përdori të 23 futbollistët e grumbulluar.

Te Gjermania pritet të luajë Boateng, i rikthyer pas një dëmtimi që pësoi me Bayern dhe portieri titullar do të jetë Manuel Neuer, për të cilin miqësorja e humbur 2-1 ndaj Austrisë më 2 qershor ishte ndeshje e parë që nga muaji shtator i vitit të kaluar.

Kjo do të jetë përballja e katërt në një Kupë të Botës mes Gjermanisë dhe Meksikës. Gjermania ka dy fitore dhe një barazim 0-0 në vitin 1986, ku gjithsesi fitoi me penallti.

Në total, këto dy kombëtare janë ndeshur 11 herë dhe Meksika ka fituar vetëm 1 herë, në miqësoren e zhvilluar në tetor 1985.

Gjermania ka fituar secilën prej shtatë ndeshjeve të para që ka luajtur në shtatë Botërorët e fundit, duke shënuar plot 20 gola, ndërsa Meksika nuk humbet prej pesë ndeshjesh në ndeshjen e parë të Botërorit, që kur e mposhti Norvegjia në “SHBA ‘94”.

Gjermania ka shkuar të paktën deri në gjysmëfinalet e Kupës së Botës në katër edicionet e fundit, ecuria më e mirë e të gjitha kohërave dhe që nga viti 1990 gjithmonë ka dalë në vendin e parë të grupit.

Meksika është eliminuar në 1/8-t e finaleve në gjashtë botërorët e fundit dhe ka humbur vetëm dy nga 17 ndeshjet e fundit të luajtur në fazën me grupe, duke fituar 8 prej tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here