Mesazhin e Krishtlindjes së këtij viti, kreu i konferencës ipeshkvnore shqiptare imzot Angelo Massafra e nisi me një apel ndaj të gjithë shoqërisë, që të përjetojmë me më shumë përshpirtëri dhuratat e Zotit, pasi nuk mund të vazhdojmë të jetojmë e të përballemi me ngjarjet në menyrë sipërfaqësore. Një i krishterë nuk mund të mbetet indiferent përballë padrejtësive shoqërore, përballë korrupsionit shtoi imzot Massafra.
Lutja e ipeshkvit Massafra është që këto Krishtlindje të kalohen në paqe kudo në botë, edhe në Sirinë e largët ku po përjetohen momente të vështira. Drita e Krishtlindjes le të ndezë një shpresë tjetër për botën tha ai.
Krishtlindjet e këtij viti janë të parat që kisha katolike shqiptare i përjeton pas një sërë ngjarjesh të shënuara, që nisën me shenjtërimin e Nënë Terezës, u pasuan me lumturimin e 38 martirëve të fesë dhe së fundmi me shpalljen kardinal të Ernest Troshanit.