- Ky tekst është pjesë e programit të këmbimit të vëzhgimeve midis gazetës “Danas” nga Beogradi dhe “Mapo” nga Tirana, me qëllim të përparimit të komunikimit dhe mirëkuptimit më të mirë të ndërsjellë në Shqipëri dhe në Serbi. Projektin e mbështesin Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Serbi dhe Misioni i Shqipërisë në Serbi. Qëndrimet, mendimet, përfundimet, supozimet dhe informatat e tjera të autorit (korrespondencën e zhvillojnë Zoran Panoviq e Mustafa Nano) të shprehura në këtë artikull, nuk e përfaqësojnë domosdoshmërisht edhe qëndrimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë ose Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Europian (OSBE).
As unë nuk jam hamendur shumë a ta pranoj ftesën e OSBE-së nga Beogradi dhe përmes korrespondencës me ty të marr pjesë në atë që ti e quan ‘aventurë pioniere’. Qëndrimi yt që serbët dhe shqiptarët nuk kanë lindur për të qenë armiq, në Serbi tërhoqi vëmendjen, sepse me siguri supozon që shumica edhe këtu mendojnë që konflikti është i përjetshëm dhe që shpëtimi është vetëm në ‘ndarjen e kufirit’ për “jetë të jetëve’, siç thoshin pleqtë tanë. Madje më telefonuan edhe lexuesit, të cilët u interesuan për librin tënd “Sandwich” dhe më pyetën a është përkthyer në serbisht? Epo, kjo domethënë diçka në këtë moment të parë. Ti përmendje reagimet agresive në Shqipëri lidhur me tekstin se e ëma e Skënderbeut ishte me ‘origjinë sllave’ (serbe), por më duhet të të them që shumica e njerëzve të zakonshëm në Serbi nuk kanë kurrfarë njohurish për këtë, dhe pikërisht ata të cilët ‘pagabueshëm’ në kafene e dinë se cilët nga kroatët, boshnjakët, maqedonasit ose malazeztë e ka ‘origjinën serbe’.
Ti mbron tezën se armiqësia (ajo e vërteta) e serbëve dhe e shqiptarëve fillon që në shekullin XIX. Pati edhe deri atëherë grindje dhe mosmarrëveshje, por jo edhe ‘armiqësi të vërteta’. Para pak kohe dikush në Kroaci tha se për kroatët do të ishte më mirë vetëm nëse serbët do të bëheshin bullgarë. A ka krahasime të ngjashme për serbët dhe shqiptarët, e që të mos ngjajë politikisht jokorrekte, ose simpati si ndaj bullgarëve? Nëse nuk mund të bëheni për ne grekë, a mundeni së paku të bëheni maqedonas? Po ju pyes pa kurrfarë cinizmi. Në këtë fazë kur marrëdhëniet e Vuçiqit dhe të Ramës nuk janë ende aq të mira siç kanë qenë marrëdhëniet e Kiro Gligorovit dhe të Sllobodan Milosheviqit, por megjithatë duket se janë shumë më të mira se sa marrëdhëniet e Vuçiqit dhe të Zoran Zaevit.
Para pak kohe lexova në revistën kroate ‘Globus’ se profesori i atjeshëm Ivo Biqaniq, e përkufizon ‘formulën kroate të dështimit’ si 3K2D (Korrupsioni + Klientelizmi + Kronizmi + Dilentatizmi + Destruktivizmi). Kjo më rikujtoi shakanë time të zakonshme për katër fantazmat serbe (kalorëset e apokalipsit), të cilat të çojnë në mossukses: Jokompetenca, korrupsioni, paranoja dhe hipokrizia. Mund të të them se edhe ky artikulli yt është bërë pjesë e paranojës serbe. Ja sesi: “Presidenti Vuçiq ka paralajmëruar dialogun e brendshëm për Kosovën, ndërsa letërkëmbimi ynë duhet të shërbejë për të ‘relaksuar gjërat’. Ja, edhe kësi budallallëqesh dëgjoj nëpër çarshi (lagje)”. Ja edhe një shembull hipokrizie. “Kosova është ‘gjë e shenjtë’ dhe nuk jepet për asgjë”, thonë këtej nga ne. Por nëse pyesni a do “ta jepnit” Kosovën, nëse Republika Serbe e Bosnjë-Hercegovinës do t’i bashkohej Serbisë, atëherë disave fillon e u lëshon goja lëng. Po a kanë gjërat e shenjta kompensim? Do të dëgjosh këtu edhe se ju nga Shqipëria ‘megjithatë jeni më ndryshe’ se shqiptarët e Kosovës. Që të mos ketë keqkuptime, ky është kompliment për ju. Madje mendoj që në konkurrencën midis Krimesë dhe Durrësit, disa vendës të mi, më parë do të parapëlqenin që të veronin në bregdetin tuaj. Është vështirë t’i bindësh njerëzit se motivi për korrespondencën tonë megjithatë në brendi është motiv i gazetarisë, një lloj kërshërie dhe përurimi i dialogut, pa ambicie – me siguri je dakord – që pikërisht ne po e paragjykojmë ‘Big Deal’-in e dy popujve pas urrejtjes së fuqishme dhe krimit. Në gjuhën serbe fjala “motiv” si edhe “skenar”, e kanë humbur neutralitetin e vlerave – motivi është përherë komplotues, njëlloj sikurse nuk ekziston skenar i cili të mos jetë antiserb dhe antivuçiqian. Provo ta kuptosh se në çfarë “matriksi” politiko-mental jetohet në Serbi. Pasi gjykatat franceze refuzuan kërkesën që t’ia dorëzojnë Serbisë liderin e dikurshëm të UÇK-së, Ramush Haradinajn (për të cilin pohohet se ekzistojnë fakte të pakundërshtueshme se është kriminel lufte), Vuçiqi i porositi zyrtarët e lartë të Serbisë që për tre muaj të mos udhëtojnë në Francë, ndërsa sot për kreun shtetëror të Serbisë është normale që Lista serbe në Kosovë (levë e Beogradit zyrtar) mbështet qeverinë që udhëheq Haradinaj. Por shih këtu edhe këtë: Gjykatat kroate kanë vendosur që Serbisë t’ia dorëzojnë Ismail Morinën, atë tipin që “u bë i famshëm” atëherë kur me një dron lëshoi mbi fushën e futbollit në Beograd, ku po zhvillohej ndeshja Serbi-Shqipëri, flamurin e Shqipërisë së madhe. Ministrja serbe e drejtësisë pohon se Morina do të ketë një gjykim të ndershëm dhe të drejtë, por edhe këtu paranoja gjen mënyrë për t’u shprehur, sepse sipas këtij interpretimi Kroacia do “të na e fusë me këtë rastin Morina”, në mënyrë që të na bëjë të grindemi me shqiptarët dhe në këtë mënyrë të përkeqësojë “dialogun tonë të brendshëm”. Më ke pyetur a ekziston në gjuhën serbe shprehja ‘po më hanë brirët’? Nuk më kujtohet ta kem dëgjuar. Por, a ekziston në gjuhën shqipe shprehja ‘vetëvrasje nga pusia’? E Mustafa, kjo është taktikë e shpeshtë në historinë e teorisë dhe praktikës së politike serbe, e cila ka të bëjë me metaforën politike të kohës së shkuar në të ardhmen – Po të kapa do të ta lëroj nënën (lost in translation?) Paranoja në Serbi ka arritur në atë shkallë saqë tani shprehet në terma kontradiktorë të errët: Kancelarja jonë Ana Bërnabiq para disa ditësh në Bledë, Slloveni, në tubimin rajonal tha që Serbia është e vendosur të shkojë në drejtim të BE-së (këtë e thotë edhe Vuçiqi), kurse në mediat e regjimit është atmosfera e zakonshme ksenofobe ndaj Perëndimit. Vuçiqi vazhdimisht na bën vërejtje që të mos jemi dembelë egalitarë, që të bëhemi siç janë sipërmarrësit protestantë (Maks Veberi është sociologu, të cilin Vuçiqi e bëri të njohur në Serbi), por shumë përkrahës të Vuçiqit edhe më tutje mendojnë se çdo gjë është ‘truk’, dhe që ai thellësisht në vetvete mban anën e rusëve (të Putinit) dhe se këtë do ta shfaqë kur të piqen kushtet, dhe se integrimi europian është vetëm një mjegullim pragmatik. A ekziston në gjuhën shqipe shprehja ‘me mbushë ujë me shoshë’? Sa u përket integrimeve serbe në BE këtu del se ata nuk e kanë ndërmend të na pranojnë shpejt, por as ne nuk po nxitojmë që të hyjmë shpejt. Ky do të ishte ‘gallop i kërmijve’, po e përdor titullin e librit të njërit prej shkrimtarëve dhe poetëve më të rëndësishëm bashkëkohorë serb, Ljubomir Simoviqit. Edhe dy fjalë, dy sfida përkthimi, e tregojnë fatin europian të serbëve – gjallimi dhe robëtimi. Ne, i dashur Mustafa, askund nuk po nxitojmë. Unë me siguri jo. Unë qëmoti jam bërë euroskeptik. Më duket se ju në Shqipëri jeni më shumë të entuziazmuar. E përmenda ‘gallopimin e kërmijve’. Një nga stereotipet e këtuhit është se malazeztë janë përtacë. Ekziston një barsoletë e vjetër: Një malazez niset më këmbë për në Podgoricë, dhe përnjëherë kthehet dhe i thotë kërmillit i cili shkon pas tij: Pse më vjen pas që nga Cetinja (kryeqendër)? Në Serbi shumë njerëz ende nuk janë të vetëdijshëm se Mali i Zi qëmoti e ka ndryshuar shpejtësinë, se ka hyrë në NATO dhe që në integrimet në BE është më e shpejtë se sa Serbia. Po marr pjesë në hulumtimet e opinionit publik në Qendrën Hulmtuese ‘Demostat’. Para disa ditësh i paraqitëm rezultatet, të cilat tregojnë një hipokrizi të madhe në shoqërinë serbe. Shihe tani këtë zhbalancim: 41 për qind e të anketuarve konsiderojnë se Rusia është miku më i madh i Serbisë, por megjithatë 52 për qind e serbëve më me dëshirë do të jetonin në Perëndim. Zgjedhja e parë është Gjermania. Këtu më së shumti do të donin që t’u jetonin fëmijët – 16 : 3 është raporti i Gjermanisë me Rusinë për këtë çështje. Edhe pse, më duhet ta pranoj që pushteti i Vuçiqit dukshëm i ka përparuar marrëdhëniet me Gjermaninë dhe me Austrinë. Opozita serbe konsideron se kjo është vetëm për shkak të kooperativitetit rreth Kosovës dhe migrantëve, që Angela Merkeli e mbështet Vuçiqin në mënyrë jokritike dhe që po i mbyll sytë përballë përforcimit të pushtetit personal dhe deficitit demokratik të tij. Liderët e një pjese të opozitës e cila e llaston veten se është ‘e vërtetë’ e të cilën e udhëheq ish-avokati i popullit Sasha Jankoviq dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme Vuk Jeremiq, e bojkotuan takimin me ‘të dërguarin evropian’ për Serbinë, David McAllister-in, përndryshe pjesëtar i CDU-së së Angela Merkelit, gjë që në opinionin opozitar u pranua në mënyrë të dyfishtë – njëra palë e konsideron se kjo është kotësi fshatarake, kurse pala tjetër bojkotimin madje e lavdëroi si akt patriotik. Partia ‘Përparimtare’ e Vuçiqit (PPS) natyrisht në zgjedhjet e ardhshme në Gjermani është me CDU-në dhe zonjën Merkel.
Në Serbi ekziston një mit urban se Boris Tadiqi pati rënë simbolikisht nga pushteti pikërisht atëherë kur Merkeli i dha duart për shkak të politikës kosovare, ku Tadiqi, ndoshta edhe në mënyrë të papritur ishte pak a shumë i ngurtë. Por sikur të bënte atë që po bën sot Vuçiqi, opozitari i atëhershëm Vuçiq me siguri që do ta kishte akuzuar për tradhti. Serbia është hapërdarë në hipokrizinë e saj: zemrën e ka në Lindje, ndërsa xhepin e ka në Perëndim, sikurse thotë sociologu i dëgjuar serb Sreçko Mihajlloviq i “Demostatit”, ndërsa “specialisti” i Trump-it për Ballkanin Perëndimor, Hoyt Brian Yee në mbledhjen e lartpërmendur në Bledë porositi që Serbia duhet të jetë 100% për BE-së.
Dhe kjo tamam kur Vuçiqi me sa duket i ka bindur qytetarët e Serbisë se neutraliteti ushtarak është i mundshëm, sepse 53% e të anketuarve të Demostatit mendon se Serbisë nuk i duhen bazat ushtarake por, nëse na duhen, atëherë zgjedhim që natyrisht të jenë ruse. Nuk është e gjitha hipokrizi e tulatur, sepse qytetarët e Serbisë me vështirësi e vërejnë lidhjen shkak-pasojë se cilësia e jetës varet nga politika që bëhet. Gjithashtu Mustafa, a thua ju në Shqipëri u frikësoheni rusëve së paku gjysmën e asaj që ne i duam?
Titulli i shkrimit është vendosur nga redaksia, ndërkohë që titulli i autorit është “Raporti midis gjallimit dhe robëtimit”