Haradinaj optimist për vizat: Deri në fund të vitit presim lajme të mira

0
791

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se deri në fund të vitit Kosova duhet të marrë lajme të mira për liberalizimin e vizave. Por njësoj nuk mendon raportuesi i ri i Kosovës në PE, i cili vlerëson se janë ende pa plotësuar kriteret kryesore për ti dhënë dritën jeshile vendit.

Një nga temat më të nxehta në klasën politike në Kosovë është liberalizimi i vizave për qytetarët e saj.

Ndërkohë që instancat ndërkombëtare e kanë bërë të ditur edhe publikisht, që çështja e Demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi është kusht kryesor për t’iu dhënë drita jeshile vizave për qytetarët kosovarë, zërat nga qeveria e Kosovës nuk janë gjithmonë në sinkron me kriteret e përcaktuara nga familja evropiane.

Ka qenë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili gjatë një vizite zyrtare sot në Ministrinë e Tregtisë, deklaroi se deri në fund të vitit, Kosova do të marrë lajme të mira sa i përket procesit të liberalizimit.

Por, nga ana tjetër, në të njëjtin hark kohor raportuesi i ri i Kosovës në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, i cili vlerësoi se ka marrë përsipër një mision të vështirë, tha se mbeten ende kushte për tu përmbushur deri në liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Nuk është sekret që disa kushte duhet të përmbushen nga ana e Kosovës, që janë shumë të rëndësishme për shtetasit kosovar, sikurse liberalizimi i vizave, demarkacioni i kufirit është një prej tyre, gjithashtu një kusht i rëndësishëm që duhet të përmbushet. Sado që të jetë i nevojshëm procesi i liberalizimi, fillimisht duhet të plorësohen të gjitha kushtet, pastaj normalisht do të jetë më e lehtë të parashikohet data më e saktë e liberalizimit të vizave”.

Komisioni Evropian në fillim të muajt maj 2016 në një raport të tij, propozoi liberalizimin e vizave për Kosovën me kushtin e ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here