BSH: Rritja ekonomike sivjet 4%, në ulje çmimi i banesave

0
868

 

Ashtu si dhe Komisioni Evropian dy ditë më parë, edhe Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia shqiptare pritet të rritet me rreth 4% këtë vit, rritje kjo më e lartë se parashikimet e deritanishme. Kjo vjen për shkak se rritja e viteve të mëparshme ka qenë ndjeshëm më e ulët se kapacitetet e ekonomisë, ndaj, për të arritur rritjen potenciale, rritja reale pritet që në dy vitet e ardhshme të jetë më e lartë. Kështu, BSH ka rivlerësuar për lart potencialin e rritjes së ekonomisë shqiptare në raportin e fundit të politikave monetare për këtë vit.

Megjithatë, ekonomia shqiptare vazhdon të operojë ende poshtë potencialit, çka vijon të frenojë presionet për rritje të pagave dhe të kostove të prodhimit. Potenciali më i lartë i rritjes ekonomike lidhet sidomos me akumulimin e kapitalit të ri fizik në vitet e fundit. Siç dihet, që nga viti 2014 e në vazhdim, rritja e ekonomisë shqiptare është mbështetur kryesisht në zgjerimin e investimeve. Rolin kryesor e kanë pasur disa projekte madhore të investimeve të huaja, që kanë sjellë një formim në rritje të kapitalit fiks për disa vite me radhë.

Vlerësimi i ri për rritjen potenciale ka sjellë edhe një ndryshim në projeksionet për rritjen ekonomike dhe kthimin e inflacionit më objektiv. Por një potencial rritjeje më i lartë do të bëjë që ekonomisë t’i duhet më shumë kohë për të arritur këtë rritje potenciale. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo pritet të ndodhë në vitin 2019. Raporti i politikës monetare thekson se aktiviteti ekonomik në vend është përmirësuar, i ndikuar nga një ambient i jashtëm i favorshëm, nga përmirësimi i besimit të agjentëve ekonomikë, nga rritja e punësimit si dhe nga kushte më të mira financimi në vend. Nga ana tjetër, presionet inflacioniste janë të zbehta dhe inflacioni shënoi rënie.

Rritja ekonomike e tremujorit të dytë rezultoi më e lartë se pritjet e Bankës së Shqipërisë, ndërsa inflacioni i tremujorit të tretë rezultoi më i ulët. Inflacioni mesatar i tremujorit të tretë zbriti në nivelin e 1.7%, kundrejt nivelit 2% në tremujorin paraardhës. Ngadalësimi i tij pasqyron rënien e inflacionit të ushqimeve, si pasojë e rritjes së ofertës vendase, mbiçmimin e kursit të këmbimit dhe ngadalësimin e inflacionit në tregjet e huaja. Banka e Shqipërisë parashikon se inflacioni mesatar vjetor i vitit 2017 do të jetë rreth nivelit 2%. Në horizontin afatmesëm, Banka e Shqipërisë pret një rritje të qëndrueshme të ekonomisë dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda 6 muajve të parë të vitit 2019.

Banesat

Tregu ngelet në një fazë kur blerja e banesave është ende e leverdisshme. Çmimet paraqiten në rënie, ndërsa interesat e financimit bankar janë në nivelet më të ulëta historike. Rrjedhimisht, blerja e banesës mund të jetë një investim i mirë për të ardhmen.

Banka e Shqipërisë ka konfirmuar rënien e çmimit të banesave në treg, tendencë kjo e shfaqur në pjesën e parë të vitit, megjithëse ritmi i rënies në tremujorin e tretë ka qenë më i ulët sesa periudha janar-qershor 2017. Raporti i Politikës Monetare për tremujorin e tretë të këtij viti nënvizon se rënia vjetore e indeksit të çmimit të banesave ishte 2.8%, krahasuar me 5.9% dhe 11.5% në tremujorin e parë dhe të dytë të vitit.

Tremujori i tretë i vitit ka shënuar një pikë kthese për indeksin tjetër që lidhet me qiratë e banesave. Ky i fundit ka qenë në rritje për katër tremujorë rresht por që për korrik-shtator ka regjistruar rënie me 5.3 për qind. Zhvillimet më të fundit në çmimet e tregut të banesave e kanë afruar raportin e çmimeve ndaj qirasë me mesataren afatgjatë të dhjetë viteve të fundit, thekson raporti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here