TVSH për biznesin me xhiro 2 mln lekë/vit, nga 1 prilli

0
1232

 

Do të fillojë të zbatohet nga 1 prilli i vitit të ardhshëm ndryshimi i regjimit të TVSH-së për biznesin e vogël.

Duke zbatuar Nenin 117 të ligjit për TVSH-në, që autorizon Këshillin e Ministrave të vendosë pragun minimal të xhiros së bizneseve të përfshirë në këtë sistem, në mbledhjen e fundit të qeverisë, që u zhvillua në Peshkopi, është vendosur që ky prag do të ulet përfundimisht, nga 5 milionë lekë xhiro vjetore, në vetëm 2 milionë lekë xhiro. Në këtë mënyrë, do të jenë shumë të paktë ato subjekte, të cilët do të operojnë pa fatura TVSH-jë, pas tremujorit të parë të vitit 2018.

Sipas Drejtorisë së Tatimeve, janë mbi 60 mijë biznese, që aktualisht operojnë pa TVSH. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, kishte deklaruar gjatë diskutimeve për këtë amendim të politikës fiskale se në skemën e TVSH-së do të futeshin vetëm 9 mijë biznese më shumë se sa deri tani dhe disa kategori, si berberët, ambulantët, etj do të përjashtoheshin.

Por, tani del se një përjashtim i tillë nuk bëhet me kategori, por vetëm nisur nga xhiroja. Pra, një berber me shumë xhiro duhet t’u presë kupon me TVSH klientëve të tij.

Amendimi është kundërshtuar hapur nga zyra e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Tiranë. Vetë përfaqësuesi i FMN Jens Reinke tha publikisht pak ditë më parë se “ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual.

Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të ishte një barrë shumë e rëndë për Tatimet. Ndërkohë, informaliteti dhe evazioni fiskal mund të rritet dhe efiçienca e administratës tatimore ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen, gjithashtu, me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime”.

Por duket se kjo këshillë nuk është marrë parasysh. Në kushtet kur marrëveshja trevjeçare me FMN nuk është rinovuar nga ana e palës shqiptare, ky institucion mund vetëm të japë këshilla, ndërkohë që më parë kërcënonte me mosdhënie të kësteve të kredisë 330 milionë euroshe në rast se qeveria shqiptare do të refuzonte të zbatonte këshillat e saj. Kjo vendosmëri për të ecur përpara pa dëgjuar këshillat e të huajve duket se dekonspiron qartazi arsyet pse marrëveshja në fjalë nuk është rinovuar.

Hotelet 

Por, nuk është vetëm pragu i TVSH-së ndryshimi problematik, për të cilin nuk iu vu vëshi Fondit Monetar. I njoftuar më parë edhe për lehtësime tatimore në fushën e turizmit, ky i fundit ka bërë gjithashtu vërejtje lidhur me masat e propozuara. “Ne e shikojmë si veçanërisht problematik faktin që përjashtimet fiskale mund të përfshijnë shërbime të tjera, përveç akomodimit të ofruar nga hotelet dhe barazinë e tyre (p.sh., “statusi special”).

Përjashtimet e propozuara mund të jenë shkak që të rriten më tej mundësitë për evazion fiskal. Për ne, nuk është e qartë se si përfitimet nga taksat për hotelet do të kthehen në përfitime për Shqipërinë. Turizmi është një sektor me potencial domethënës të mëtejshëm, rritja e të cilit duket se aktualisht kufizohet nga problemet në infrastrukturë dhe dobësia në të drejtat e pronësisë”, ka deklaruar FMN.

Ky ishte një koment për projektet e qeverisë lidhur me lehtësime të ndjeshme nga taksat për një kategori shumë të vogël hotelesh. Megjithatë, Këshilli i Ministrave miratoi në Dibër një projektligj, i cili akordon lehtësi fiskale, që do t’i përfitojnë hotelet me 4 yje për vlerë investimi të paktën 8 milionë euro dhe hotelet me 5 yjë të paktën 15 milionë euro.

Kriteret se kush do t’a përfitojë këtë status do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave. Paketa fiskale ka përcaktuar tashmë se hotelet me status special do të përjashtohen nga tatim fitimi për 10 vitet e para, ndërsa hotelet me 5 yje nuk do të paguajnë as taksë infrastrukture.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here