Me gjithë propaganën e qeverisë greke –dhe përkrahjen nga disa qeveri europiane- e vërteta mbi persekutimet e çamëve u zbulue dhe u raportue me iniciativa private të disa organizatave ndërkombëtare për ndihmë si dhe nga personalitete politike me sensin e zhvilluem të drejtësisë.

 

Më 12 janar 1923, dy personalitete të Near and Middle East Association (angleze), Edward Gleichen dhe Audrey Herbert, botuen në fletoren londineze The Times nji përshkrim të gjendjes në Çamëri dhe dëbimin e forcuem dhe të pashpirtë të popullsisë shqiptare në rajonin e Çamërisë, okupimin e shtëpive të kësaj popullsie dhe pronat e tjera, dhe vendosjen e refugjatëve grekë që u kthyen mbas disfatës së madhe në Anadoll. Ata i bajnë thirrje qeverisë greke që të ndalojë këto aksione të turpshme, dhe viktimet shqiptare të kthehen në votrat e tyne stërgjyshore, si dhe të paguej kompensim për pasunitë e grabituna pa të drejtë. Reagimi i zyrtarëve britanikë në Greqi ka qenë: Qeveria greke nuk ka ushtrue presion mbi myslimanet shqiptarë të Çamërisë, dhe se ata.”.. nuk vuejnë në duert e grekëve në Epir”.(f.73)

 

Kjo situatë vazhdoi edhe mbas nënshkrimit të Marrëveshjes turko-greke për shkëmbimin e popullsive (Lausanne, 20 janar 1923), me gjithë premtimet greke (Z. Kaklamanos) se shqiptarët myslimane të Çamërisë “…nuk përfshihen në masat e shpërnguljes” meqenëse “nuk janë turq” Gazeta The Ëestminster Gazette, më 21 mars 1923, raporton:” Afër 30.000 shqiptarë myslimanë, të cilët pak kohë ma parë ishin nënshtetas shqiptarë, dhe nuk kanë asnji simpati për Turqinë, do të transferohen në Anadoll, ku i pret nji fat i padëshirueshëm”(f.74)

 

Dhe gazeta Korça, më 24 gusht 1923, shkruen:”…Për arsye të nevojës me sistemue refugjatët grekë (që vijnë nga Turqia) autoritetet greke përdorojnë çdo mjet të mundshëm me detyrue çamët të largohen. Vrasje ngjasin çdo ditë, në të gjithë Çamërinë me qëllim që të krijohet nji atmosferë paniku. Të rrahuna, vjedhje e vrasjet janë ushqimi i ditës. Persona të panjohun, por të njohun nga autoritetet greke kryejnë vepra për shqetësimin e popullsisë, dhe bajnë jetën e shqiptarëve të padurueshme; kështu çamët mbledhin rrobet e lëshojnë vendin e tyne”(f.75)

 

Më 22 nandor 1923, Mehmed Konitza, ministër i Shqipërisë në Londër, njofton Qeverinë angleze se “…në Çamëri, rajon ku shqiptarët janë në shumicë, po jetojnë në nji rregjim terrori. Me vendosjen e Qeverisë revolucionare në Greqi, gjendja e shqiptarëve në Çamëri ashtë ba e padurueshme, dhe krimet e brigandazhi që ata i nënshtrohen ashtë i vazhdueshëm: shtëpitë e pasunitë e tyne janë marrë me forcë dhe refugjatët grekë nga Anadolli i kanë përvetësue; vuejtjet e tyne janë të papërshkrueshme….. E gjithë kjo vuejtje kryehet në Çamëri me gjithë premtimet e. Z.Venizelos se “…Greqia nuk ka as ma të vogëlin qëllim me ba shkëmbimin e popullsive myslimane shqiptare. Shqiptarët banojnë në këtë zonë të veçantë të Epirit. Megjithëse shqiptarët janë bashkëfetare me turqit, ata nuk janë bashkëkombas me turqit”.(f.76)

 

“Para nji situate të këtillë”  vazhdon nota e Z. Konitza, “Qeveria shqiptare nuk ka alternativë tjetër veçse me debue popullsinë grekofone në Shqipëri, e në vendin e tyne me prue shqiptarët që jetojnë në Mbretëninë greke, tue njohë të drejtat e këtyne të fundit, ashtu edhe të drejtat e atyne shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri, por posedojnë prona në Greqi”. (f.77)

 

Protesta kundër persekutimeve greke u banë dhe nga qytetarë privatë çamë mbrenda  dhe jashtë Çamërisë, sidomos në SHBA.

 

Më 24 shtator 1923, delegati shqiptar pranë Lidhjes së Kombëve (LK) Mit’hat Frashëri,  tue ju referue garancive të dhana për pronat e shqiptarëve myslimanë në Greqi (Art.VI i Konventes turko-greke, 1 nandor 1913, dhe Art. 17 të Kushtetutës greke që garanton pasuninë e qytetarëve ) proteston marrjen me dhunë të shtëpive dhe pronave të shqiptarëve nga qeveria greke. Si përgjigje, Kryeministri grek E.Venizelos, deklaroi:” Nga Lausanne, unë i kam telefonue qeverisë sime tue i tërheq vrejtjen mbi pozitën e qytetarëve myslimanë me kombësi shqiptare, që të mos konsiderohen si turq…”(f.80) Në nji mbledhje të Këshillit të LK, 7 shtator 1923, në lidhje me shkëmbimin e popullsive, përfaqsuesi shqiptar, Z. Blinishti paraqiti nji raport të gjatë spjegues të gjendjes në Çamëri. Pothuesje  çdo ditë, protestat e popullsisë çame i drejtohen LK me përshkrime të hollësishme të krimeve, grabitjeve, dhe poshtërimeve që ata u nënshtroheshin në duert e autoriteteve greke.

 

Njikohësisht, nji Rezolutë e LK, atë 17 dhetor 1923, thekson:” Ashtë tërheqë vemendja e Këshillit mbi deklaratën e bame në të njëjtën kohë nga përfaqësuesi i Greqisë. Qëndrimi i qeverisë greke ashtë se nuk ka asnji qëllim me përfshi pronat e kombësisë shqiptare në këtë skemë të shpërnguljeve” (f.100)

 

Nga ana e saj, Federata Panshqiptare e Amerikës, VATRA deklaron se trajtimi i çamëve nga Greqia ashtë moralisht barbar dhe ban thirrje për ndihmë. Njikohësisht, nji Komision çam i drejtohet Kryqit të Kuq Amerikan dhe organizatave bamirëse në Angli , me qëllim të shpëtimit të jetëve të grave, fëmijëvë dhe pleqëve, dhe të gjindet nji vend tjetër mërgimi, por jo në Turqi. (f.100)

 

Si rrjedhim i presionit grek kundër popullsisë shqiptare çame, ministri M.Konitza i drejtohet Kryeministrit anglez Ramsey MacDonald, më 17 mars 1924,

 

“Në qoftë se nuk merr nji përgjigje të kënaqshme (nga Greqia) qeveria shqiptare do të jetë e justifikueme me konsiderue veten të çlirueme nga detyrimet e marruna për minoritetet, në lidhje me Greqinë, dhe do të jetë e detyrueme me debue grekët që banojnë në Shqipëri”. (f.106)(Theksi im.SR)

 

Në muejin nandor 1925, Mehdi Frashëri, përfaqësues i Shqipërisë pranë LK sqaron për Komisionin për Shkëmbimin e Popullsive: “…Zona e Çamërisë që banohet nga shqiptarë myslimanë, banues në Greqi, ka qenë e ndame në dy pjesë: 52 fshate të vendosuna në dy distrikte të Maqedonisë (greke) e kufizueme me Shqipërinë lindore dhe Epirin Perëndimor. Të gjithë udhëtarët në Ballkan, kanë vënë në dukje karakterin shqiptar dallues të vendit –cilësitë fizike, zakonet, veshjen, gjuhën etj. të këtyne banorëve”(f.181)

 

Në të njëjtën kohë, në emën të familjeve Demi dhe Sejko, nënshkruesi Abedin Haki Sejko i drejtohet LK (Komitetit për Pakicat) me spjegime përkatëse për humbjen e pasunive. Ai citon deklaratën e Z. Venizelos, në 1918, simbas të cilit në bazë të ligjit nr. 2520, janë dhanë udhëzime për pagimin e pasunive të sekuestrueme simbas çmimit të dhanun nga nji Komision i veçantë. Këto kohët e fundit, nji kërkesë e re ashtë paraqitë në Ministrinë e Bujqësisë, datë 13 gusht 1925, Nr.prot. 105.377. Të vorfenuem deri në fund, shpresohet se njifarë damshpërblimi do të jepët për çamët.”

 

Asnji hap nuk ashtë marrë si përgjigje  e kësaj kërkese!

 

Përsëri në nandor 1925, Qeveria shqiptare i drejtohet LK ku e njofton se qeveria greke ka vendos shkëmbimin e 5.000 shqiptarëve çame me 5.000 refugjatë grekë nga Konstantinopoli .” Qeveria shqiptare tërheq vemendjen e LK për faktin se ashtë e nji randësie jetësore për ruejtjen e paqes e stabilitetit që kjo popullsi të mos dëbohet në Turqi…prej ku ata kthehen në Shqipëri në konditat ma të vajtueshme” (f.194_) “Opinioni publik shqiptar ashtë shumë i shqetësuem dhe tregon shenja se do të hakmerret kundër popullsisë grekofone në Shqipëri”(195)

 

Dhjetë ditë ma vonë, Shqipëria proteston kundër deportimit në Turqi të banorëve shqiptarë të katundeve Gardhiq dhe Dragumi…nji numër prej 800 vetësh. Nji protestë formale i drejtohet edhe Kryetarit të Konferencës,, Paris, Z.A.Briand me kërkesë për ndërhymje me ndalue deportimet.

 

Kryetari i Komisionit Mikst për Shkëmbimin e Popullsive, Gjenerali H.M.De Lara, në nji telegram drejtue LK konfirmon se shkëmbimi i 5.000 grekëve orthodoks të Konstantinopolit “…do të ishte në kundërshtim me vendimet e marruna në parim, e me instruksionet e Komisionit Mikst në lidhje me këtë problem, e që ashtë akoma në fuqi”(f.199)

 

Me 5 dhetor 1925, shqiptarët e Amerikës i drejtohen LK tue protestue debimin e popullsive shqiptare nga fshatet Gardhiq dhe Dragumi. Firmue: Rexhep Koburi, President, Shoqata Çamëria në Amerikë. Dhe, më 20 dhetor 1925, përfaqësueset e fshateve të masipërme i drejtojnë nji Peticion LK :” Për hir të Zotit dhe të nderit të LK  Z. Drejtor merrni masat e duhuna me pengue këtë krim të urryem që turpnon LK.dhe  njerëzimin mbarë”. (f.203) Firmue Jakup Mahmoud.

 

Qeveria greke u përgjegj se debimi do të bahet me krijue vendbanime për refugjatët. Ndërsa francezët heqin dorë nga ky problem që, simbas tyne, i takon LK.

 

Në pamundësi me justifikue dëbimin e çamëve në Turqi, qeveria greke paraqet dy arsye të paarsyeshme për largimin e tyne:

 

E para, çamët, ashtu si çdo mysliman, nuk dëshirojnë me jetue nën nji qeveri jo myslimane, sepse nga klasë sunduese ata kthehen në të nënshtruem; dhe,

 

E dyta, ata nuk duen shqiptarët e Shqipërisë sepse i konsiderojnë moderne në çështje fetare. Për ma tepër, çamët myslimanë kanë vuejte shumë nëpër kampe. (shqiptare).

 

Pothuejse çdo ditë, protestat e popullsisë çame i drejtohen LK me përshkrime të hollësishëme të krimeve, grabitjeve dhe poshtërimeve që ata i nënshtrohen në duert e qeverisë greke..

 

Më 6 mars 1926, delegati shqiptar, Mehdi Frashëri, në nji leter për Sekretarin e Përgjithshëm të LK mbasi numron padrejtësitë e Qeverisë greke, sidomos rastin e fshateve Kardhiq dhe Dragumi shton se “…mund të çojë në marrjen e masave të njillojta kundër popullsisë grekofone në Shqipëri. Në nji rast të këtillë nji konflikt në mes të dy fqinjëve do të ishte krejt i mundshëm…”(f.217)_

 

Më 8 mars 1926, Komisioni Mikst për Shkëmbimin e Popullsive njofton Sekretarin e Përgjithshëm se…”në bazë të hetimeve tona në vend dhe raportet e informacionin që kemi grumullue, na konsiderojmë se popullsia myslimane e Çamërisë në përgjithësi, dhe ajo e Kardhiqit dhe Dragumit në veçanti,, janë me origjinë shqiptare, dhe si rrjedhim jo objekt për shkëmbim…”(f.219)

 

Nji javë ma vonë, 16 mars 1926, në Mbledhjen e IV të Sesionit 39 të Këshillit të LK njoftohet se: “…Qeveria greke ka vendos mos me kërkue largimin e 800 personave të masipërm. Popullsia e Çamërisë që nuk ashtë shkëmbye do të gzojë të njëjtin trajtim në ligj dhe në fakt si çdo qytetar grek. Të gjitha masat e jashtëzakonshme, të cilat mund të jenë marrë nga qeveria greke për këtë popullsi për arsye se u konsideruen  material për shkëmbim, do të abrogohen”. Kjo rezolutë u adoptue! (f.221)

 

Nji qëndrim i këtillë, përgënjeshtrohet pa vonesë nga trajtimi zyrtar grek i popullsisë. Shembull: tue i përgjegj kërkesave shqiptare për shkolla shqipe, qeveria greke jep këtë spjegim:

 

“…Për sa i përket ankesës së myslimanëve të Epirit se ata nuk kanë shkollat e tyne shqipe, ashtë e pamundun që njeriu të mos çuditet, sidomos ata që njohin mirë këtë popullsi. Të paaftë çdo kohë për çdo kulturë, ata i shmangen sistematikisht çdo përpjekje intelektuale, dhe se janë të kënaqun me disa njohuni elementare fetare, dhe pak turqisht ose shqip që u mësohet fëmijëve nga hoxhët në Minare…”f.234)(sic!)

 

Gazeta e Tiranës Telegraf publikoi me 28 nandor 1927 nji shkrim të Mit’hat Frashërit – mbrojtësi ma i madh i çamëve në ditët ma të vështira- ku në mes tjerash thuhet:

 

“ Njerëzit shpeshherë frikësohen gjatë natës, ata parandjejnë nji katastrofë, janë në panik. Duan të thrrasin me zë te lartë por asnjë fjalë nuk del nga goja. Duan të ikin me vrap, por këmbët e tyre nuk bëjnë asnjë hap…! Kjo është gjendja e çamëve sot….Nga 80.000 banorë shqiptarë që jetojshin në Epirin grek kanë mbetë ma pak se 20.000, dhe nga 40.000 shqiptarët në Maqedoninë (greke) as edhe nji i vetëm nuk ka mbijetue në prefekturat e Kastorias dhe Follorinës” (f.242)

 

Më 14 prill 1928, Mehmed Konitza, botoi në gazetën Telegraf të Tiranës nji thirrje për shqiptarët: “Sa kohë do të durojmë të këqijat e Greqisë?” ku shkruen:

 

” …Ne kemi harruar vuajtjet tona nga grekët në 1912-13, vrasjen e 72 burrave të fshatrave të Çamërisë, ne kemi harruar djegien e Masaresë dhe vrasjen e të gjithë meshkujve të katundit, ne kemi harruar djegien e Hormovës dhe vrasjen e të gjithë banorëve, tue përfshirë gra e fëmijë, ne kemi harruar djegien e Panaritit dhe vrasjen e 375 banorëve-burra, gra e fëmijë!

 

Ne kemi harruar djegien e nji pjese të Shqipërisë së Jugut që nga Delvina deri në Korçë që detyroi shpërnguljen e më shumë se 150.000 shqiptarëve të cilët jetuan për dy vite të gjata në ullishtet e Vlorës, varrezë për shumë të mjerë që vdiqën nga uria…”(f.253)

 

Më 5 qershor 1928, përfaqesuesi shqiptar pranë LK, Mehdi Frashëri, tue fol para Këshillit të LK mbrojti të drejtën e pronës private në Çamëri. Tue iu referue Traktatit të Athinës (1913), ai thekson përgjegjësinë e Qeverisë greke për moscënimin e pronësisë në krahinat e aneksueme gjatë Luftës Ballkanike (1912-13). Artikulli 5 Traktatit të Athinës thotë:” Të drejtat e fitueme deri në ditën e pushtimit të territorëve të marruna, si dhe vendimet gjyqësore dhe aktet zyrtare nga organet kompetente të autoriteteve otomane, do të respektohen, dhe nuk do të preken deri sa të hidhen poshtë ligjërisht.

 

Art. 3- par. 2 dhe 3- Asnjëri nuk do të zhvishet nga prona e tij, krejtësisht ose pjesërisht, direkt ose indirekt, me përjashtim kur e kërkon e mira publike, dhe mbasi të jetë shpërblye në mënyrë të përshtatshme….Me rastin e shpronësimit ose të marrjes në njënin nga dy shtetet, qytetarët e njënit vend nuk do të trajtohen ndryshe nga çdo qytetar i nji vendi të tretë.” Z. Frashëri  citoi nji deklaratë zyrtare greke: “ I lutem Sh.T. (Mehdi Frashërit) të besojë se këto probleme (të pronës) do të shqyrtohen me të gjithë vullnetin e mirë. Posa të bahet ky shqyrtim, unë (perfaqësuesi grek) do të informoj legatën shqiptare në Athinë me qëllim që të gjindet nji zgjidhje e kënaqshme” (f.262-263) Z. Frashëri numëron, megjithatë, 16 ankesa çame të cilat qeveria greke nuk tregon interesim me përgjegje.

 

Menjiherë mbas këtij premtimi solemn dhe zyrtar grek, fillon shpronësimi në masë dhe i plotë i fshatarëve çamë, në kundërshtim flagrant edhe me legjislacionin grek, në fshatet Mleninas, Neohora, Karvunari, Grika, Gurza, Rigadula, të banueme nga çamët.

 

Më 29 nandor 1934, përfaqësuesi  shqiptar në LK, Z. Lec Kurti, i drejtohet Sekretarit të Përgjithshëm tue e njoftue se qeveria greke nuk ka respektue klauzolat e Traktatit të Sevres mbi minoritetet dhe thotë:

 

“1) Mungojnë plotësisht shkollat për shqiptarët çamë, qoftë ato publike qoftë të veçanta për shqiptarët.

 

2) merren masa represive mos me lejue reklamimin e të drejtave të çamëve

 

3) Megjithëse pakica shqiptare në Greqi ka respektue besnikërisht ligjet e Greqisë, asnji përpjekje, sado e vogël qoftë, nuk ashtë ba nga autoritetet greke me ju njohë qoftë edhe të drejtat ma elementare.”

 

Dhe kështu vazhdon politika greke e spastrimit etnik në Çamëri deri në prak të L2B, periudhë kur u morën të gjitha masat për asgjasimin fizik, të plotë, të Çamërisë nga popullsia shqiptare.

LEAVE A REPLY