Vllaznia gjen fitoren e dytë, mposht sërish Lushnjën

0
868

Vllaznia rikthehet te fitorja dhe e bën këtë pikërisht ndaj Lushnjës, skuadrës së vetme që arriti t’i marrë 3 pikët në fazën e parë. Në takimin e prapambetur në javës së 10, shkodranët dominuan takimin dhe fituan 2-1, në një ndeshje ku mund të kishin shënuar shumë më tepër.

Shkodranët e nisin në mënyrë të përsosur sfidën, teksa mbyllin Lushnjën në gjysmëfushën e saj dhe gjejnë golin që në minutën e 5-të, me anë të kapitenit Gilman Lika, që nuk gaboi pas asistit perfekt të Hasanit. Në minutën e 22-të, sulmuesi Atsina u nis i vetëm me portierin, por u ndalua me faull nga mbrojtësi Marku dhe gjyqtari akordoi 11-metërsh. Penalltinë e ekzekutoi mbrojtësi Gocaj dhe shënoi golin e dytë për shkodranët. Nga ana tjetër, lushnjarët patën vetëm një mundësi të shkëlqyer me Sefën, por goditja e tij me kokë u prit nga portiere Selimaj.

Edhe pjesa e dytë pati pak a shumë të njëjtën tablo, por me ndryshimin se këtë herë ishte Lushnja që rihapi sfidën në minutën e 56’, me anë të mbrojtësit Meto. Gjithsesi, Lushnja nuk arrin të rrezikojë më portën e Selimajt deri në fund të sfidës, ndërsa te shkodranët bëhet protagonist sulmuesi ganez, Atsina, I cili humb të paktën 4 raste të pastra shënimi.

Me këtë fitore, Vllaznia shkon në kuotën e 9 pikëve, po aq sa ka edhe Luftëtari i parafundit. Kategoria Superiore kryesohet nga Skënderbeu me 27 pikë, i ndjekur nga Flamurtari me 20 dhe Kukësi me 19.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here