Saturday, April 27, 2024
Home Kronika Kontrata e fshehtë e PD me lobistin amerikan, transferta milionëshe përmes kompanisë...

Kontrata e fshehtë e PD me lobistin amerikan, transferta milionëshe përmes kompanisë ‘offshore’

0
707

Partia Demokratike fshehu pagesa prej më shumë se gjysmë milionë dollarë për një kompani lobimi në Uashington dhe dështoi të bënte transparencë në KQZ, ndërkohë që njëra prej transfertave rezulton të jetë bërë nga një kompanie guackë me aksionerë anonimë e regjistruar në parajsa fiskale.

Në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, Partia Demokratike e udhëhequr nga Lulzim Basha lidhi dy kontrata me lobistin  e saj në Uashington, ‘Stonington Strategies’, në mënyrë që të siguronte takime të nivelit të lartë me administratën e Presidentit Donald Trump.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pagesat për kompaninë e lobimit u bënë nëpërmjet dy kontratave të lidhura në fund të marsit nga Partia Demokratike dhe një kompani guackë e regjistruar në Skoci me emrin “Biniatta Trade LP”- të cilat kapin një vlerë totale prej 675 mijë USD dhe ku përfshihen tarifat mujore të firmës si dhe pagesat për shpenzimet e saj.

Kontrata e drejtpërdrejtë e PD-së me “Stonington Strategies” është raportuar në Departamentin e Drejtësisë në SHBA që në muajin mars, ndërsa kontrata me “Biniatta Trade LP’ është mbajtur e fshehur për disa muaj dhe është raportuar në mesin e muajit nëntor.

Nëpërmjet këtyre pagesave të majme, “Stonington Strategies” ka kërkur dhe planifikuar takime për lidershipin demokrat me zyrtarë të stafit të presidentit amerikan, Donald Trump, anëtarë të Kongresit si dhe ka ndërmarrë kontakte në median amerikane – përfshirë një intervistë të kreut të PD-së, Lulzim Basha me portalin e “Breitbart News”.

Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD.

Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit, çka ngre dyshime serioze për origjinën e parave.

Gjithashtu, mbetet e paqartë se cila është marrëdhënia mes Partisë Demokratike dhe kompanisë ‘Biniatta Trade LP,’ e cila është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë- nje shtet i Amerikës Qendrore i njohur si parajsë fiskale.

Përveç dy kontratave të lidhura me ‘Stonington Strategies,’ gjatë të njëjtës peridhë PD ka lidhur edhe një kontratë me kompaninë lobiste “Barnes and Thornburg LLP” në fillim të prillit me vlerë 150 mijë USD.

Në total, shpenzimet e Partisë Demokratike për lobistët në Uashington për peridhën mars- qershor kapin vlerën e 825 mijë USD- më e lartë se të ardhurat totale që Partia Demokratike deklaroi në KQZ.

E pyetur nga BIRN për kontratat e mësipërme, Partia Demokratike mohoi si pagesat në vlerën e 525 mijë USD për “Stonington Strategies” ashtu edhe çdo marrëdhënie financiare me kompaninë guackë “Biniatta Trade LP”.  PD i tha BIRN se kishte paguar 125 mijë USD gjithsej për kontratat e saj të lobimit.

Pavarësisht se Shqipëria është një vend i vogël me ekonomi të dobët, partitë politike shqiptare nuk kursehen në pagesat e tyre të majme për lobistët e Uashingtonit. Njësoj si Partia Demokratike, edhe Partia Socialiste apo Lëvizja Socialiste për Integrim kanë pasur kontrata lobimi aktive gjatë vitit 2017, me vlerë qindra mijëra dollarë.

‘Stoningon Strategies’-lobuesi i padeklaruar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është pjesë e kompanisë lobuese ‘Muzin Capitol Partners’ – e regjistruar në Maryland të SHBA-ve.

Muzin Capitol Partners LLC është themeluar nga Nicolas Muzin, një këshilltar strategjik dhe zëvendës-shef shtabi për senatorin Republikan, Ted Cruz gjatë fushatës së tij për President në vitin 2016.  I trajnuar si mjek dhe jurist, Nick Muzin ka punuar gjithashtu si shef stafi i senatorit Tim Scott, kur ky i fundit ishte në pozicionin e kongresmenit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here