Urdhër-arrestet për dosjen “Habilaj”, MB: S’gjetëm zyrtarët, por prova me vlerë

0
959

 

Ministria e Brendshme deklaron se ka nisur procedurat administrative për nxjerrjen e urdhrave të përjashtimit për ish shefat e policisë të shpallur në kërkim si persona që kanë lidhje me dosjen Habilaj.

Përmes një njoftimi për shtyp ministria e Brendshme tregon procesin nga momenti kur ka marrë në dorë urdhërndalimet dhe më pas kontrollet në banesë.

Data 22 nëntor 2017 ora 10:30 SHÇBA merr nga Prokuroria për Krimet e Rënda dy urdhra-ndalimi për Jaeld Çela, ish-Drejtor i Policisë Vendore Vlorë dhe Gjergj Kohila, ish-shef i Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Vlorë

Gjithashtu në dorë kanë marrë një vendim të Gjykatës për Krimet e Rënda, për masë sigurie në mungesë “Arrest në burg” për Sokol Bode.

Urdhër-ndalimet mbajnë datën 21 nëntor 2017.

Urdhër për kontrollin e banesës 

Gjithashtu janë marrë për ekzekutim edhe tre vendime të Gjykatës për Krimet e Rënda për ushtrim kontroll banese, mbi bazën e një procedimi të nisur në vitin 2016 nga Prokuroria për Krimet e Rënda, Tiranë.

Urdhër-ndalimet janë nxjerrë për shtetasit

– Jaeld Çela, ish-Drejtor i Policisë Vendore Vlorë, liruar nga detyra dhe nxjerrë në dispozicion që prej muajit Prill 2017; i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Trafikim të narkotikëve”, të kryer në bashkëpunim në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284, 283/a dhe 333/a.

– Gjergj Kohila, ish-shef i Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Vlorë, liruar nga detyra dhe nxjerrë në dispozicion që prej muajit Maj 2017; i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 284 dhe 333/a, të Kodit Penal.

Vendimi i Gjykatës në mungesë për masën e sigurisë “Arrest në Burg” është nxjerrë për shtetasin Sokol Bode, ish-shef i Postës së Policisë Kufitare Dhërmi, Vlorë, i pezulluar nga detyra në datë 25 Tetor 2017; i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 284 dhe 333/a, të Kodit Penal.

Operacioni për arrestimin 

Ministria e Brendshme informon se janë kontrolluar banesat ku dyshohet se mund të strehoheshin tre ish shefat e policisë por nuk janë gjetur. Ndërkohë janë sekuestruar prova materiale të konstatuara si me vlerë   

“Sapo është vënë në dijeni për vendimet, SHÇBA-ja ka organizuar punën dhe ndarë detyrat për zbatimin e tyre konform Kodit të Procedurës Penale.

Të gjitha veprimet proceduriale nga SHÇBA-ja, pas njohjes me aktet e Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe Gjykatës, janë drejtuar nga Prokurorët e çështjes dhe drejtuesi i Prokurorisë për Krimet e Rënda, për ndjekjen e hapave proceduriale sipas rradhës së veprimeve në interes të hetimit. 

Megjithë kontrollet e ushtruara në banesa dhe vendet ku dyshohej se mund të strehoheshin personat e mësipërm, nuk është bërë e mundur gjetja dhe ndalimi i tyre. 

Nga kontrolli në banesa dhe ambjente janë sekuestruar prova materiale, të konstatuara si me vlerë për hetimet e mëtejshme dhe i janë dërguar zyrtarisht Prokurorisë për Krimet e Rënda, Tiranë.” informon ministria e Brendshme

Prej ditës së djeshme në kërkim 

Prej datës 22 nëntor Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) ka shpallur në kërkim shtetasit Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergj Kohila dhe po punohet për kapjen e ndalimin e tyre.

Hetohen veprimet e policisë. Urdhërohet përjashtimi

“Në datë 23 Nëntor 2017 rreth orës 09:00, me kërkesë të drejtuesit të SHÇBA-së është zhvilluar analizë me prokurorët e çështjes dhe drejtuesin e Prokurorisë për Krimet e Rënda, për gjithë veprimet proceduriale të kryera dhe që do të kryhen në vijim, në funksion të këtij hetimi.” informon ministria e Brendshme

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur procedurat administrative për nxjerrjen e urdhrave të përjashtimit për këta ish-oficerë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here