Bonot arrijnë në 2.63% – Në shtatë muaj janë rritur me 0.8 pikë përqindjeje

0
868

Rregullimi në rritje i interesave të bonove të thesarit shënoi një tjetër hap këtë javë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bonot me maturim 12 mujor u emetuan të mërkurën me një interes mesatar të ponderuar prej 2.63%, nga 2.54% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Rritja e yield-eve është një tendencë që po vazhdon, pothuajse pa ndërprerje, në gjithë gjysmën e dytë të vitit 2017, ndonëse me ritme të ngadalta dhe pa goditje shqetësuese për tregun.

Në shtatë muaj, yield i bonove 12 mujore është rritur gjithsej me 0.8 pikë përqindjeje, me një mesatare prej rreth 0.1 pikë përqindje në muaj. Kjo tregon se ngjitja e kurbës ka qenë relativisht e ngadaltë, duke pasur parasysh edhe bazën e ulët nga ka nisur.

Rritja nuk duket të jetë e lidhur domosdoshmërisht me një rënie të gatishmërisë së tregut për të financuar borxhin qeveritar. Në ankandin e kësaj jave, kërkesa e tregut për bono rezultoi e mjaftueshme, me një total prej 11.3 miliardë lekësh, nga 8.2 miliardë lekë të shpallura për financim nga qeveria.

E megjithatë, rritja e interesave vijoi, çka dëshmon se kjo tendencë është më shumë një ekuilibrim i tregut drejt niveleve më të arsyeshme, sesa pasojë e raporteve mes kërkesës dhe ofertës në treg.

Investitorët, kryesisht bankat, duket se po vërejnë një përmirësim të kërkesës për kredi nga sektori privat. Kjo duket se po ndikon në një çmim disi më të lartë të kërkuar për të financuar deficitin qeveritar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here