Një sërë marrëveshjesh të rëndësishme janë nënshkruar midis qeverive të Shqipërisë dhe Gjermanisë. 6 mln euro do të jetë vlera e investimit të nënshkruar në kuadrin e zhvillimeve ekonomike. Edhe konviktet e Universitetit të Tiranës, do të përfitojnë ku është rënë dakord që të rehabilitohen pjesa më e madhe e tyre.
Qeveria shqiptare dhe ajo gjermane kanë nënshkruar disa marrëveshje të rëndësishme të cilat kanë të bëjnë me promovimin e punësimit dhe arsimit profesional dhe për rritjen e eficencës në energji. 6 milionë euro financim për programin e zhvillimit ekonomik dhe rajonal duket se do jenë mëse të mjaftueshme për të dhënë rezultatet e kërkuara nga ata që nënshkruan kontratën Ministri Ahmetaj dhe Ambasadorja Schütz.
Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaron se, “objektivi kryesor i programit është përmirësimi i situatës së vetëpunësimit, të punës së kualifikuar në veçanti të të rinjve në lidhje me tregun lokal të punës”. “Përmirësimet do të kryhen në të gjitha rajonet e Shqipërisë në sektor të përcaktuar ndërmjet ndërhyrjeve në dy drejtime, së pari në ndërmarrjet mikro, pra të vogla dhe të mesme dhe në projektet për investime”.
Edhe konviktet e universitetit të Tiranës do të përfitojnë nga marrëveshjet midis dy vendeve ku është nënshkruar një project për rehabilitimin e tyre sipas Parimit të Eficensës së Energjisë. “Pas përfundimit të projekteve prej këtyre masave do të përfitojnë rreth 3 mijë studentë dhe kursimet e energjisë e siguruar, kësisoj do të lehtësojë ndjeshëm barrën e arkës publike në masën 60%“, thotë ambasadorja Gjermane, Schütz
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri u shpreh që një projekt të tillë duhet shtrirë në të gjitha godinat e tjera qeveritare. “Ky është avantazhi. Pra, të nxisim industrinë që është efiçiente nga pikëpamja energjetike dhe të gjitha investimet që do të bëhen në Shqipëri, sidomos ato që kanë dorën e shtetit dhe financimet e shtetit duhet të dizenjohen dhe të ndërtohen nga pikëpamja e efiçencës energjetike”, shprehet Ministri Gjiknuri
Këto investime, për kryebashkiakun e Tiranës, do të shtrihen edhe në objekte të tjera nën administrim të Bashkisë së Tiranës. Erion Veliaj sqaron se, “shkon në sinkron me planin e përgjithshëm vendorë të Tiranës ku ne i kemi kërkuar dhe ndërtuesve të ndërtesave të reja që ta aplikojnë këtë standard. Çfarë është bërë në vitet 90 me gjithë rrumpallhanen e Tiranës në urbanistikë nuk mund të zhbëhet por ajo që mund të bëhet saktë nga tani e tutje janë ndërtimet që kanë këtë efiçencë energjetike, ose adaptimi i ndërtesave ekzistuese”.
Nga viti 1988, Gjermania e ka mbështetur Shqipërinë me më shumë se 1 miliard euro përfshirë këtu kontributin në nivel të BE-së dhe të Kombeve të Bashkuara.