Sejko: Masat për deeuroizimin e ekonomisë do të nisin të aplikohen në 2018

0
905

Masat për deeuroizimin e ekonomisë do të nisin të aplikohen në 2018, tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko në një konferencë për shtyp.

 

 

“Një angazhim tjetër strategjik, lidhet me rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare, e thënë ndryshe me deeuroizimin e ekonomisë. Për këtë qëllim, gjatë vitit 2017, në konsultim dhe me industrinë bankare, kemi ideuar disa masa specifike, të cilat do të hyjnë në fuqi në gjysmën e parë të vitit 2018”, tha Guvernatori.

Për ta bërë deeuroizimin gjithëpërfshirës, Banka e Shqipërisë nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, për të nxitur marrjen e masave të ngjashme edhe në pjesën tjetër të sistemit financiar dhe në ekonominë reale. Kjo iniciativë pritet të rezultojë shumë shpejt në masa konkrete shtesë.

Guvernatori tha se gjatë vitit që po mbyllet është punuar në drejtim të përmirësimit të mëtejshëm të instrumenteve dhe metodologjive të parashikimit, si dhe në drejtim të përsosjes së procesit të zbatimit të politikës monetare. Kjo e fundit është realizuar nëpërmjet standardizimit të praktikave për administrimin e likuiditetit të sistemit bankar, përmirësimeve teknologjike në zhvillimin e ankandeve REPO, si dhe publikimeve javore të parashikimeve për sasinë e likuiditetit në sistem.

Një zhvillim i rëndësishëm përkon me zgjerimin dhe thellimin e tregut të letrave me vlerë të qeverisë, nëpërmjet dhënies së aksesit për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të të gjitha institucioneve financiare jorezidente. Një arritje tjetër në veprimtarinë tonë ka të bëjë me administrimin e rezervës valutore. Pavarësisht ambientit të vështirë me të cilin përballen investitorët në Eurozonë, ambient ky i karakterizuar nga norma të ulëta dhe shpesh negative interesi, ne kemi arritur të ruajmë një kthim pozitiv për rezervën valutore, duke respektuar njëkohësisht të gjitha limitet, rregullat dhe procedurat për administrimin e rrezikut të investimit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here