Zbardhet takimi i ambasadorit Donald Lu me Kryeprokuroren Arta Marku, porosia: Vini shënjestrën tek…

0
1290

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara Donald Lu ka shkuar sot në Prokurorinë e Përgjithshme ku ka zhvilluar një takim me Kryeprokuroren e Përkohshme Arta Marku.

Pas takimeve që pati dje me krerët e opozitës Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, Donald Lu ka takuar për 30 minuta edhe kryeprokuroren Arta Marku. Ka qenë vetë zonja Marku e cila priti diplomatin e SHBA-ve në hyrje të Prokurorisë, duke i uruar mirëseardhjen.

Ambasadori Donald Lu i ka kërkuar Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku të nxisë prokurorët të shënjestrojnë korrupsionin në nivele të larta dhe kriminelët përfshirë politikanët e lidhur me krimin dhe Saimir Tahirin.

Ai po ashtu shprehu dëshirën e SHBA që kryeprokurorja MArku t’i ushtrojë detyrat e saj kushtetuese në mënyrë të pavarur dhe jo partiake.

Theksojmë se ky është takimi i parë që ambasadori Lu ka zhvilluar me kryeprokuroren e përkohshme, pas zgjedhjes së saj në këtë detyrë por edhe takimi i parë i Markut me diplomatë të huaj. Ndërsa për kryeprokuroren e re kjo është dita e tretë e punës.

Ambasadori Lu është shprehur haptasi pro një Kryeprokurori të Përkohshëm me gjithë kundërshtimet e opozitës. Si ai ashtu edhe ambasadorja e BE kërkuan që parlamenti të vijonte punën për të zgjedhur një Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm pas mbarimit të mandatit të Adriatik Llallës.

Ditën që u zgjodh Kryeprokurorja Arta Marku mes protestave të opozitës jashtë dhe brenda parlamentit, ambasadori Lu deklaroi se komisionet e Vetingut do të kenë së shpejti rezultatet e tyre të para. “Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur. Së shpejti do të shohim krijimin e SPAK-ut dhe BKH-së, të cilat do hetojnë dhe ndjekin penalisht zyrtarë të korruptuar të nivelit të lartë. Qytetarët shqiptarë presin me padurim për drejtësi. Dhe politikanët kanë frikë”, u shpreh Lu më 18 dhjetor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here