Vlerësimi i ndikimit në mjedis, drejtori i AKM: Në 6-mujorin e parë të 2018 do rishikohen licencat e studiove mjedisore

0
1501

Në kuadër të projektit CO-SEED – “Shoqëria Civile vepron për Zhvillimin Social – Ekonomik mbi Bazat e një Mjedisi të Shëndetshëm”, Instituti për Ruajtjen e Natyrës (INCA) së bashku me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe organizatat e shoqërisë civile që kanë fituar grante nga ky projekt, kanë zhvilluar sot një tryezë të rrumbullakët me tematikë “Procedurat e VNM/VSM – analiza, rekomandimet dhe shembujt më të mirë të zbatimit të tyre”.

Gjatë këtij takimi, ku ishin të pranishëm ekspertë të fushës, inxhinierë mjedisorë, përfaqësues të OJF-ve, dhe Shoqërisë Civile, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Edison Konomi u ndal tek puna e studiove ligjore mjedisore.

Konomi tha se në 6-mujorin e parë të vitit të ardhshëm do të rishikohen licencat e studiove ligjore mjedisore, të cilat bëjnë vlerësimet e ndikimit në mjedis.

“Një mjedis i pastër dhe i mbrojtur është edhe përgjegjësi e çdo qytetari të vendit. Mendoj se mbetjet urbane po ashtu janë përgjegjësi e çdo qytetari. Qasja e AKM në dhënien e VNM-ve dhe procedurave për ndikimin në mjedis është me rëndësi, dhe tashmë po punohet për rishikimin e gjithë kuadrit ligjor. Nisur nga zhvillimet e fundit në vend, por edhe kërkesat e shoqatave të mjedisit, këto ndërhyrje shihen të nevojshme. Në 6-mujorin e parë të 2018, do të rishikohen disa studio ligjore, për të verifikuar mënyrën sesi janë licencuar.

Me rëndësi gjatë realizimit të VNM-ve të thelluara është konsultimi me publikun. VNM-ja nuk është leje mjedisore, as kontratë koncesionare, por është një marrëveshje për të garantuar mbrojtjen e mjedisit. Sa i përket konsultimit me publikun, dua të them se është një element kyç. Është me rëndësi që në këto konsultime të mos shihet vetëm interesi personal i atyre që marrin pjesë, por të shihet interesi i të gjithëve, dhe i gjithë vendit.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit është dhe do të jetë promotor i procedurave dhe eksperiencave më të mira në fushën e mjedisit, në fokus të mbrojtjes së mjedisit. Sot duhet të pranojmë se kemi një mjedis të sëmurë, dhe ne jemi të fokusuar dhe të angazhuar ta shërojmë dhe ta shëndoshim atë” u shpreh drejtori i AKM-së, Edison Konomi.

Tryeza e sotme ka për qëllim të nxisë dhe të mundësojë një mjedis ligjor dhe financiar për shoqërinë civile dhe media pluraliste, si dhe fuqizimin e organizatave të shoqërisë civile dhe medias për të qenë aktorë të pavarur efikas dhe të përgjegjshëm, dhe për të rritur kapacite in e tyre për të pasur dialog me qeveritë që ndikojnë proceset e politikave dhe ato vendimmarrëse, dhe për t’i bërë ato të përgjegjshme për performancën e tyre ndaj qytetarëve dhe shoqërisë në shkallë të gjerë.

Projekti ka hartuar raportin e analizës së thelluar të kuadrit ligjor dhe institucional për zbatimin e procedurave të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) të projekteve që ndikojnë në mjedis, si dhe të procedurave të Vlerësimit Strategjik Mjedisor (VSM) të strategjive, programeve dhe planeve të veprimit kombëtare duke evidentuar mangësitë dhe dhënë rekomandimet përkatëse të përmirësimit të këtij kuadri ligjor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here