‘TËRMETI SPAK’, ZBARDHEN DOSJET DHE ZYRTARËT E SHËNJESTRUR

0
999

 

Të gjitha pritshmëritë, makthet e politikës dhe sfidat për vitin 2018 konsistojnë në finalizimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi.

Dhe zbatimi i reformës duhet të kalojë përmes disa pikave kulmore, siç është ngritja e SPAK-ut, rezultatet e para të Vetingut, konstituimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i Këshillit të Lartë Gjyqësor si dhe zgjedhja e kryeprokurorit me mandat 7-vjeçar nga KLP dhe Parlamenti. Vetingu në Policinë e Shtetit dhe reforma në të gjithë piramidën e administratës publike, janë një tjetër sfidë për vitin që vjen. Në fokus të vëmendjes do të jetë edhe aksioni politik i opozitës, i cili do të nisë në janar, me qëllim për të rrëzuar qeverinë ‘Rama 2’ dhe kryeprokuroren e re të përkohshme Arta Markun. Vendimi i Këshillit të Ministrave të BE për çeljen ose jo të negociatave do të jetë një tjetër ngjarje që do të shënjojë vitin 2018 për shqiptarët.Ngritja e mundimshme e SPAK-ut

SPAK-ut është një strukturë e veçantë e parashikuar në Kushtetutën e ndryshuar dhe në një ligj të veçantë. Kjo strukturë ka si objekt gjurmimin, hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit në nivele të larta. SPAK-u përbëhet nga Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykatat e Speciale. Për miratimin e kësaj strukture të frikshme që ka trembur politikanë, kanë luftuar për tre vite me radhë amerikanët dhe vendet e BE.

Kur ndërkombëtarët thonë se politika dhe gjyqësori kanë frikë nga reforma, i referohen pikërisht SPAK-ut. Fillimisht, ngritja e SPAK u tentuan të sabotohej, duke mos votuar ndryshimet Kushtetuese, por deputetët që bënë rezistencë u kërcënuan se do të futeshin në listën e zezë të SHBA. Më pas, SPAK-u u bllokua përmes zvarritjes së Vetingut nga armata e gjyqtarëve dhe një pjesë e politikës, duke ankimuar ligjin në Kushtetuese. Aktualisht, zbatimi i ligjit të SPAKut është bllokuar për shkak të zvarritjes së ngritjes së KLP dhe KLGJ, po nga politika dhe gjyqësori.

Gjithsesi, procesi ka hyrë në një rrugë pa kthim. Duke iu referuar procedurave dhe afateve, lëvizjet e para për ngritjen e SPAK-ut do të nisin në muaj mars të këtij vitit 2018. Për ngritjen e strukturave të SPAK do të asistojnë përfaqësues të SHBA dhe BE. Njerëzit që do të bëhen pjesë e këtyre strukturave do të kalojnë Vetingun, duhet të plotësojnë kushte dhe kritere të forta si dhe do të jenë nën monitorim të rreptë nga struktura të tjera të posaçme.

Dosjet që do jenë objekt i SPAK-ut

Në kompetencë të Byrosë së Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme do të jenë 40 vepra të ndryshme penale dhe të gjitha dosjet e funksionarëve dhe ish-funksionarëve shtetërorë që nuk janë hetuar apo gjykuar deri më sot. Disa nga veprat penale që do hetohen nga Byroja dhe do gjykohen nga Gjykatat e Speciale janë korrupsioni pasiv dhe aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë si dhe korrupsioni aktiv dhe pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë.

Gjithashtu, në kompetencë të organeve të SPAK-ut do të jenë çdo vepër penale që dyshohet se është kryer apo që është kryer nga funksionarë apo ish-funksionar shtetëror që nga viti 1991 deri në ditët sotme. Pra, çdo aktivitet i paligjshëm i zyrtarëve dhe ishzyrtarëve që pas rënies së regjimit komunist, mund të hetohet dhe gjykohet.

Funksionarët në shënjestër

Objekt i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale do të jenë veprat penale të presidentit dhe ish-presidentëve, kreut të kuvendit dhe ishkryetarëve të Kuvendit, kryeministrit dhe ish-kryeministrave, ministrave dhe ishministrave, të të gjithë deputetëve dhe ish-deputetëve, të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, të kryeprokurorit dhe ish-kryeprokurorit, të krerëve të organeve të reja të drejtësisë dhe të drejtuesve të institucioneve qendrore apo të pavarura që nga viti 1991, shkruan shqiptarja.com.

 

Funksionarët në shënjestër të SPAK

 

Presidenti i Republikës, ish-presidentët

Kryetari i Kuvendi, ish-kryetarët e Kuvendit

Kryeministri, ish-kryeministrat

Ministrat, ish-ministrat

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, ish-gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese

Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, ish-gjyqtarët e Gjykatës së Lartë

Prokurori i Përgjithshëm, ish-kryeprokurorët

Inspektorit të Lartë të Drejtësisë

Kryetarit të Bashkisë, ish-kryebashkiakët

Deputetët, ish-deputetët

Zëvendësministrat, ish-zëvendësministrat

Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor

Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë,

Drejtuesit e institucioneve qendrore, ish-drejtuesit e institucioneve qendrore

Drejtuesit e institucioneve të pavarura, ish-drejtuesit e institucioneve të pavarura

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here