Mediat në Maqedoni: Ivanov nuk do nënshkruajë ligjin për gjuhën shqipe

0
805

Mediat në Maqedoni së fundmi kanë aluduar se Presidenti maqedonas  Gjorgje Ivanov nuk do ta nënshkruajë Ligjin për gjuhët, ligj i cili do të miratonte përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.

Agjensia e lajmeve INA, raporton se pas komunikimit me një burim në kabinetin e presidentit është njoftuar mundësia e mos nënshkrimit dhe madje thuhet që Ivanov mund të vendosë  veto për këtë ligj.

Kabineti presidencial është mbyllur gjatë orëve të fundit dhe nuk ka dhënë asnjë deklaratë zyrtare për mediat, që kur ligji për dygjuhësinë në Maqedoni mori dritën jeshile nga 69 deputetë të Kuvendit. Nëse Gjorge Ivanov vendos të mos e miratojë ligjin për përdorimin e gjuhëve, atëherë ky ligj në një afat prej 30 ditësh nga dita e miratimit, kthehet sërish në Kuvend për t`u miratuar, e në këtë rast mjafton vetëm të sigurojë shumicën e thjeshtë, pa pasur nevojë të nënshkruhet nga Presidenti.

Por se sa do të ndodhë zbatimi i këtij ligji, njohësit e zhvillimeve politike janë tejet skeptik.  Ekspertja e çështjeve juridike, Mirjana Najçevska disa ditë më parë tha për mediat se sipas saj zbatimi i ligjit të dygjuhësisë do të jetë tejet i vështirë për shkak të mungesës së vullnetit politik. Najçevska nënvizoi se miratimin e këtij ligji nuk e sheh si përmbyllje të kapitullit shumë të rëndësishëm të Marrëveshjes së Ohrit.

Disa sinjale për mos nënshkrimin e ligjit Presidenti Ivanov i ka dhënë edhe më herët kur ka nënvizuar se Ligji për përdorimin e gjuhëve është jo-kushtetues dhe cënon unitetin e Maqedonisë. Ndërkohë pas zhvillimeve më të fundit është njoftuar se Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të mbajë një vizitë dyditore të mërkurën dhe të enjten në Maqedoni ku do të takohet me krerët e shtetit, ministrat si dhe me disa liderë të partive politike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here