“Së pari, lërmëni të them se gjuha shqipe është një gjuhë e një tipi të veçantë”

0
869

Këtë përfundim mjaft të saktë dhe vlerësues për gjuhën tonë e citoi filologu dhe albanologu danez Holger Pederson (1867-1953). Ishte profesor i Universitetit të Kopenhagenit dhe indoevropianist. Vëmendjen kryesore ia kushtoi gjuhës shqipe dhe më pas gjuhëve të tjera.

Mbrojti tezën e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja dhe theksoi se ndryshimet midis dialekteve të shqipes janë të vogla krahasuar me gjuhë të tjera. Studioi ndikimin e latinishtes në kalkulimin gramatikor të gjuhës shqipe.

Autor i një sërë librash me vlerë. Ka botuar gjermanisht e danisht një varg studimesh e veprash për gjuhët kelte e balto-sllave për shqipen, armenishten etj, si dhe për lidhjet midis gjuhëve indoevropiane semitike dhe urgo-fine.

Gjatë qëndrimit në Korfuz më 1893 mblodhi këngë e përralla e bëri një vizitë të shkurtër në Sarandë dhe Delvinë. Materialin e mbledhur e botoi në veprën: “Albanische Texte mit Glossar”, Lajpcig, 1895 (Tekste shqiptare me fjalor) që është në botim me interes gjuhësor e folklorik.

Botoi mjaft studime me vlerë për gjuhën shqipe si: “Kontribut për historinë e gjuhës shqipe” (1894), Tinguj të shqipes (1897), “Asnjanësi i shqipes” (1899), “Grykoret e shqipes” (1900), “Studime për gjuhën shqipe”, Prishtinë, (2003) etj.

Në këto studime sqaroi probleme të vështira të fonetikës dhe të gramatikës historike të shqipes, sisteme nyjore, pronoret e shqipes etj. Mbrojti tezën e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja dhe theksoi se ndryshimet midis dialekteve të shqipes janë të vogla krahasuar me gjuhët e tjera.

* * *
Studime për gjuhën shqipe

“…Unë kam ushqyer gjithnjë dëshirat më të sinqerta për fatin e kombit tuaj, veçanërisht në vitet e kësaj lufte. Pikë së pari lërmëni të them se gjuha shqipe është një gjuhë me një tip të veçantë, afrimi që ka me gjuhën e sllavëve ose të grekëve është gjithë aq e lartme sa afrimi që ka me gjuhën daneze ose të persianëve.

Gjuha shqipe është, pra, e vetmja e vegël për të ndriçuar dhe përhapur përparimin moral, e cila mund të zbatohet dobisht në Shqipëri. Të përdorurit me forcë të shkollave dhe kishave me gjuhë të huaj midis kombit shqiptar ose midis një pjese të tij është barbari për vrasjen e shpirtit të kësaj race fisnike plot dhunti.

Asnjë nga kundështimet kundër gjuhës shqipe nuk mund të qëndrojnë në këmbë. Shumë shpesh është thënë se nuk ka njësi gjuhësie në Shqipëri, se dialektet e veriut ndryshojnë krejt nga dialektet e jugut, kështu që marrëveshja midis këtyre dy pjesëve të Shqipërisë është e pamundur.

Po kjo është një deklaratë krejt e rreme. Ndryshimi midis dy dialekteve të gjuhës shqipe është shumë më i vogël sesa ndryshimet dialektore që janë midis shumë gjuhëve të tjera; nga pikëpamja praktike ndryshimi midis dialekteve të gjuhës shqipe nuk ka asnjë rëndësi.

…Pa dyshim shqiptarët lypset përherë të përdorin dy dialektete në gjuhë të shkruar; por ky nuk është një ndalim i madh, veçanërisht në qoftë se përkujdesen të familjarizojnë brezin e ri me të dy dialektet. Thuhet se gjuha shqipe nuk ka ortografi të shkruar.

Kjo ishte e vërtetë 10 vjet më parë; por pas Kongresit të Manastirit 1908, kjo deklaratë është një anakronizëm. Ortografia e gjuhës shqipe është aq e mirë vendosur, sa edhe çdo tjetër ortografi…

“…Si të tëra gjuhë të tjera, gjuha shqipe ka thithur një numër fjalësh nga lënda e huaj, por ka pas një zhvillim të veçantë të sajën, edhe është tani një gjuhë e bukur dhe e fuqishme, e cila lypset të jetë mburrje për folësit e saj dhe një vepër e shenjtë për rrritjen mendore dhe arsimore të kombit shqiptar…”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here