Zv.ministrit të Brendshëm Julian Hodaj, mbajti një konferencë për shtyp pas miratimit të ligjit për Vettingun në Polici.
Gjatë fjalës së tij Hodaj u shpreh se procesi është ndërtuar për të siguruar një vlerësim të ndershëm, të pavarur.
“Në këtë kontekst vlerësojmë qëndrimin e grupit parlamentar të LSI dhe sidomos të deputetëve të përfshirë direkt në diskutime konstruktive. Nga ana tjetër shprehim keqardhje për një pjesë të opozitës, sidomos të disa deputetëve, që pavarësisht trumbetimit me të madhe të detyrimit për konsolidim të agjencive ligjzbatuese, nuk dëshiruan të ishin pjesë e diskutimeve apo të kontribuonin në miratimin e këtij projektligji”, është shprehur ndër të tjera Hodaj.
E PLOTË:
Mirëdita të gjithëve, siç jeni në dijeni, në seancën e djeshme, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi me 88 vota pro ligjin për “Vlerësimin kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së”, i njohur si Vetting-u. Kjo nismë është mjaft e rëndësishme në kuadër të reformës së ndërmarrë në agjencitë ligj zbatuese përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, ku duhet të përmenden edhe nismat e tjera për përmirësimin e sistemit të arsimit, ri-organizimit në territor dhe qasjes më gjithëpërfshirëse ndaj qytetarëve, si dhe masave të veçanta për luftën ndaj grupeve kriminale. Kjo reformë është dëshmi e qartë e vullnetit të qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme për të ndërtuar institucione të forta me njerëz me integritet, për të konsoliduar agjencitë ligj zbatuese dhe për ti ngritur ato në standardet e kërkuara Europiane.
Policia e Shtetit apo agjencitë e tjera të përfshira në këtë proces nuk i përkasin as qeverisë as mazhorancës së momentit. Ato janë në shërbim të qytetarëve dhe për këtë arsye u bë një përpjekje maksimale për të pasur një konsensus sa më të gjerë. Si dëshmi e qasjes konstruktive të qeverisë dhe mazhorancës mjafton të përmendet fakti se miratimi nën për nen dhe në tërësi u shty për një javë, jo për arsye votash apo numrash, por për të pasur mundësi për të diskutuar në detaje propozime apo këndvështrime të tjera të cilat mund ti shërbenin përmirësimit të mekanizmit të vlerësimit. Në këtë kontekst vlerësojmë qëndrimin e grupit parlamentar të LSI dhe sidomos të deputetëve të përfshirë direkt në diskutime konstruktive. Nga ana tjetër shprehim keqardhje për një pjesë të opozitës, sidomos të disa deputetëve, që pavarësisht trumbetimit me të madhe të detyrimit për konsolidim të agjencive ligjzbatuese, nuk dëshiruan të ishin pjesë e diskutimeve apo të kontribuonin në miratimin e këtij projektligji. Ne besojmë se procesi është ndërtuar për të siguruar një vlerësim të ndershëm, të pavarur dhe natyrisht të paanshëm. Jemi sot shumë të bindur se zbatimi i këtij ligji do të jetë një kontribut i padiskutueshëm dhe do t’i shërbejë identifikimit të pjesës së shëndoshë në agjencitë ligj-zbatuese, pra ata punonjës që janë të dedikuar, të përkushtuar, të cilët janë padyshim shumica. Mbi këtë shumicë, do të ngrihen nesër institucionet ligj zbatuese. Institucione me punonjës me integritet dhe të aftë profesionalisht do të garantojnë besueshmëri më të lartë tek qytetari, agjencitë e tjera ligj zbatuese dhe padyshim tek partnerët ndërkombëtarë. Ministria e Brendshme falënderon të gjithë bashkëpunëtorët që punuar me këtë projekt, partnerëve që asistuan dhe gjithë punonjësit që e kanë mbështetur këtë nismë.