Kryetari i Kuvendit takim me keshilltarin e Donald Trump

0
654

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi priti sot në një takim të veçantë ish- Kryetarin e Bashkisë së New York-ut (SHBA), Rudolph Giuliani, aktualisht Këshilltar personal i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si dhe Drejtues i Komitetit mbi Sigurinë Kibernetike në Shtëpinë e Bardhë.

Dy zyrtarët kanë kaluar minuta të këndshme në shoqërinë e njëri-tjetrit siç reflektohet edhe në këto foto ku zyrtari amerikan shfaqet duke qeshur me të madhe.Kryetari i Kuvendit i shprehu mirëseardhjen e ngrohtë dhe një mirënjohje të thellë Guliani për mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë në momentet më vendimtare për demokratizimin e jetës së vendit dhe ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme e demokratike.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri strategjik i shqiptarëve dhe ne ju jemi mirënjohës për rolin vendimtar tuajin si në zhvillimin e proceseve demokratike në vend, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe, sigurisht, për rolin tuaj në krijimin e shtetit të ri të Kosovës”, – u shpreh z. Ruçi në këtë takim.

Kryetari i Kuvendit vuri në dukje faktin se Shqipëria është në rrugën e mbarë të reformave thelbësore për vendin për forcimin e shtetit të së drejtës, për një ekonomi të qëndrueshme dhe mirëqenie të qytetarëve të saj, duke u shprehur besimplotë në vijim e mbështetjes së SHBA-ve për Shqipërinë në këtë drejtim.

Nga ana e tij, z. Giuliani falënderoi Kryetarin e Kuvendit për pritjen e ngrohtë, duke vlerësuar virtytet dhe arritjet e popullit shqiptar këto vite në Shqipëri, por edhe kontributin shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në qytetin e New York-ut. Z. Giuliani, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë kontributin e Shqipërisë në kuadër të NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin në botë, u shpreh se SHBA shikojnë tek vendi ynë një partner të qëndrueshëm dhe një kontribuues real në koalicionin kundër terrorizmit për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në rajon e më gjerë.

Duke konstatuar disa prej zhvillimeve pozitive të vendit, z. Giuliani u shpreh i gatshëm për inkurajimin dhe një vëmendje më të madhe të sipërmarrjeve amerikane për potencialet ekonomike që ofron Shqipëria. Në këtë kontekst ai vuri në dukje se vizitat e ndërsjella të niveleve të larta, por edhe të përfaqësuesve të botës së biznesit, do të ishin një kontribut konkret në këtë drejtim, duke bërë me dije se ai do t’i propozojë Presidentit Trump të vizitojë Shqipërinë për të parë nga hapat e mëdhenj që ka bërë vendi.

Në komunikimin me z. Giuliani, Kryetari i Kuvendit u shpreh se vëmendja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë dhe rajonin janë gjithnjë të mirëpritura. Në këtë kuptim, edhe vizitat e përfaqësuesve më të lartë të shtetit amerikan në Shqipëri, vizita e Presidentit të SHBA-ve, z. Donald Trump, do të vlerësohej si një mesazh i fortë për stabilitetin e rajonit, por edhe për përpjekjet e qytetarëve të tij për paqe, zhvillim, prosperitet dhe një të ardhme të sigurt.

ruci1.jpg

ruci.jpg

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here