Ministria e Brendshme i përgjigjet PD

0
599

Ministria e Brendshme iu përgjigj akuzave të Partisë Demokratike në lidhje me emërimin e Agim Hysit, duke nënvizuar se ai është zv/drejtor i Përgjithshëm i komanduar pranë SHÇBA-së.

Ministria thekson se nuk ka asnjë pengesë ligjore për ish-gjyqtarin Hysi që të qëndrojë në këtë detyrë.

Reagimi vjen pas deklaratave të deputetit të PD-së, Gent Strazimiri, i cili theksoi se Vettingu në polici do bëhet nga një i shkarkuar nga KLD-ja

Reagimi i plotë:

Lidhur me deklaratën e radhës së PD-së, përmes së cilës tentohet të hidhet baltë mbi procesin e Vetting-ut në Polici, i cili pas miratimit të bazës ligjore brenda pak ditësh do të nisë zbatimin, sqarojmë se:

Z.Agim Hysi nuk është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Ai është Zv/drejtor i Përgjithshëm, i komanduar përkohësisht prej datës 16 mars 2018, me qëllim sigurimin e funksionimit normal administrativ të institucionit, në kushtet e mungesës për momentin të një Drejtori të Përgjithshëm.

Ndërkohë prej datës 16 mars ka nisur procedura për përzgjedhjen dhe emërimin e Drejtorit të ri të SHÇBA-së dhe shumë shpejt është drejt finalizimit.

Sjellim në vëmendjen e publikut gjithashtu se përveç të shkuarës si gjyqtar, z.Hysi ka shërbyer si ndihmës ligjor pranë Gjykatës së Lartë në vitet 2011-2012, si dhe pranë Zyrës së Avokatit të Shtetit deri në emërimin e tij si Zv/drejtor i Përgjithshëm i SHÇBA. Nënvizojmë se nuk kishte dhe nuk ka asnjë pengesë ligjore që z.Hysi të emërohet apo të qëndrojë në këtë detyrë. Agim Hysi është pajisur me certifikatë sigurie, vërtetim nga Autoriteti për Informimin mbi dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, si dhe ka dorëzuar rregullisht formularin e Vetë-deklarimit për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, të gjitha këto përpara se të emërohej në detyrën që mban aktualisht.

Duke iu përgjigjur interesit të medias dhe në respekt të opinionit publik, mbi bazën e Ligjit “Për vlerësimin kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së”, sqarojmë se edhe vetë SHÇBA-ja do të jetë objekt i këtij ligji, përfshirë zotin Hysi.

Vettingu është dëshmia e qartë e vullnetit tonë për të ndërtuar institucione të forta, me njerëz me integritet, për të konsoliduar Agjencitë ligj zbatuese dhe për t’i barazuar me standardet europiane.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here