‘Rruga e Kombit’, Ahmetaj-Berishës: Tarifa me destinacion specifik, jo taksë

0
623

Gjatë seancës plenare të mbajtur sot në parlament, u diskutua dhe debatua gjatë për çështjen e tarifës për ‘Rrugën e Kombit’. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj gjatë fjalës së tij, debatoi me ish kreun e opozitës, Sali Berisha duke e akuzuar për përçarje veri-jug, e duke sqaruar opozitën për tarifën e vendosur nga qeveria .

Fjala e plotë e ministrit Ahmetaj

Besoj që patjetër ka nevojë për një sqarim edhe për ty Sali. Këtë tarifën e rrugës e ke iniciuar ti, apo jo, dhe në këndvështrimin tim personal, por jo vetëm personal, është zgjidhje e duhur. E ke iniciuar me vendim qeverie dhe besoj në bazë të një studimi, i cili është përdorur sërish. Këtu ka dy gjëra, o padituri nga ana e kryetarit të opozitës, o qëllimshmëri. Të dyja janë të rënda përpara shqiptarëve, se po të jetë qëllimshmëri po ngre një tezë që ti vetë kur ke qenë kryeministër i je kthyer një prej anëtarëve të grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe i ke thënë: ç’është kjo që tenton të bësh ti, ndarje veri-jug. E dëgjove se çfarë bëri? Të lutem mos e mbaj kokën ulur në respekt të asaj që ke tentuar të mbjellësh vetë. Pra kryetari i opozitës, nëse e dëgjuan shqiptarët, tentoi të fusë përçarje veri-jug, një populizëm i rrezikshëm në dëm të kombit. Është e qëllimshme apo është nga padituria këtë le ta zgjidhë me veten e vet, por nëse është e qëllimshme është më e rëndë, nëse e ka nga padituria besoj që korrigjohet gjatë rrugës. Për sqarim teknik, në vitin 2011, ia dërgova dhe Florianit, nuk e di ta tregoi apo jo, Ridvan Bode, me firmën e Sali Berishës, me vendim qeverie ka shfuqizuar katër taksa dhe po i numëroj, besoj i mbani mend. Është taksa për importin e automjeteve, taksa për qarkullimin rrugor, taksa e regjistrimit dhe taksa për shitjen e automjeteve. Janë katër taksa që u shfuqizuan, të cilat kishin një efekt prej 7 miliardë dhe u vendosën 3 taksa me një efekt 9 miliardë, teknikisht. Do të thotë se taksa vjetore e automjeteve, taksa për gazoilin dhe benzinën me një efekt prej 9 miliardë dhe e keni firmosur ju z. Berisha këtë vendim. Pra, keni vendosur taksën e qarkullimit dhe taksa e qarkullimit nuk ka si qëllim një destinacion përdorimi, duhet të ta kishte mësuar Flori. Pse flisni budalliqe kur thoni kjo është për të mirëmbajtur rrugën. Jo. Ajo taksë shkon në xhepin e madh të buxhetit të shtetit dhe pastaj shpërndahet nëpërmjet shpenzimeve dhe është pa destinacion specifik. Tarifa është me destinacion specifik dhe mos bëni gabim teknik. Ty të takon pikë së pari ta mësosh, tarifa ka destinacion specifik dhe jo taksa sepse është budallallëk ta thuash. Ty nuk të takon, se i rri në krah dhe nuk e mëson. Nuk të takon, pa mirë Saliu që e luan lojën si të duash.Tani unë nuk do të flas për këtë pjesë, do flas për raportin e fundit të Bankës Botërore, shumë shkurt, se flisni për të varfrit dhe flisni për varfërinë. Asgjë nuk keni bërë dhe keni vënë rekord në vitin 2012, keni vënë rekord me varfërinë në 2012. Vini këtu diskutoni si patriotë. Është e rëndë ajo që bëni, në funksion edhe të alternativës që keni, po kjo s’është puna ime dhe kjo s’është punë e Partisë Socialiste, kjo nuk është punë e Kryeministrit, kjo është puna juaj. Unë po ju tregoj një fakt, raporti i 25 Marsit i Bankës Botërore, i cili flet për varfërinë me 3.2 dollarë në ditë dhe flet se si përqindja është ulur në vite, me kampion vitin 2012 dhe në 2017 me një ulje serioze që sa të doni kundërshtojeni, ja ku e keni në raport. Dhe e dyta, thotë dhe për atë me 5 dollarë në ditë, se si është ulur varfëria këto vite, diku modestisht, diku në masa të konsiderueshme dhe thotë dhe një fjali në një pargaraf shumë të rëndësishëm: “Arsyeja e uljes së varfërisë është përmirësimi i tregut të punës”. Është përmirësimi i tregut të punës dhe këtu është shumë e rëndësishme të sjellim një statistikë, një statistikë po nga borderoja. Do ta përmend 100 herë sa herë të ngrihem këtu. Kemi pasur në 1 Janar të vitit 2013, 423 mijë vende pune. Sot numërohen 667 mijë vende pune. Përsëris, 667 mijë vende pune dhe i bie që mbi 200 e ca mijë vende pune të jenë krijuar në 4 vite. Dhe ja ku është reflektimi në raportin e Bankës Botërore, meqë sillni raporte të Bankës Botërore, meqë sillni raporte të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar iu referua si vendi me rritjen më të lartë në rajon. Nuk është mjaft, patjetër që nuk është mjaft prandaj vazhdon dhe puna, por të vish këtu dhe të diskutosh në një ditë të rëndësishme për shqiptarët, ditën e Parlamentit, dhe të përdorësh tarifën e rrugës si ndarje jug-veri është nga gjërat më të padrejta që ju bëhet qytetarëve. Po kur të vihen tarifa tolls në pjesën jugore çfarë do të thoni? Po kur të vihen tarifa për të mirëmbajtur rrugët në segmetin Tiranë-Durrës, apo Kashar Rrogozhinë në potencialisht rrugën e re? Janë të gjitha patjetër në favor të mirëmbajtjes së rrugëve dhe ju e dini shumë mire, dikush nga ju edhe e ka qeverisur në atë ministri, që pa mirë mbajtje rruga humbet cilësinë dhe rriten aksidentet në rrugë. Janë të gjitha për sigurinë e qytetarëve dhe janë të krahasueshme me të gjithë rajonin. Unë do ta mbyll duke theksuar një gjë, është e çuditshme, çdo opozitë ka mënyrën e vet të të bërit opozitë dhe diku gabon, diku bëhet populiste, diku bëhet qesharake, diku bëhet e ashpër dhe diku bëhet e drejtë. Tani, një gjë nuk e kuptoj me ju, edhe me ndihmën ekonomike, edhe me Rrugën e Kombit vini këtu dhe thoni: çfarë është kjo që po bëni? Të dyja janë vendime të qeverisë së Sali Berishës, të dyja janë studime të referuara nga institucionet ndërkombëtare në kohën kur ju qeverisnit. Ajo që ne kemi bërë është që kemi zbatuar me rigorozitet ato që mendojmë që janë të shëndetshme dhe kjo që bëjmë është e shëndetshme, në favor të mirëmbajtjes së infrastrukturës dhe ajo që kemi bërë me ndihmën ekonomike është e shëndetshme në favor të rritjes së punësimit dhe ndihmesës së familjeve që realisht kanë nevojë për ndihmë ekonomike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here