Friday, October 18, 2024
Home Aktualitet Protesta në Rrugën e Kombit, Avokati i Popullit: Shkeljet gjatë arrestimeve

Protesta në Rrugën e Kombit, Avokati i Popullit: Shkeljet gjatë arrestimeve

0
513

Avokati i Populli në një raport për protestën e dhunshme në Rrugën e Kombit perveç shkeljeve te shefit te policise, ka konstatuar shkelje edhe nga prokuroria.  Në raport thuhet se Prokuroria ka lëshuar urdhrat e ndalimeve për 37 persona.

Në përfundim të këqyrjes së të gjithë procesit, ky institucion konstaton se Prokuroria ka cenuar të drejtat e të ndaluarve duke llogaritur si kohë ndalimi orën e ekzekutimit të urdhrave të ndalimit datë 01.04.2018, pas orës 10.20-12.00, kohë e cila siç përmendëm nuk është koha faktike e ndalimit.

“Nga ana tjetër theksojmë se, Afati i paraqitjes së kërkesës për vlerësimin e ndalimit fillon nga çasti kur të ndaluarit i hiqet liria, kudo qoftë ai, dhe jo nga çasti i mbylljes në dhomat e paraburgimit, në rastin konkret me vendosjen e prangave në banesë, pas orës 03.00 të datës 01.04.2018”, thuhet në raport.

Kjo ishte një nga pikat më të debatuara.

Sipas Avokatit të Popullit, parimisht personat nuk u nënshtrohen masave të kufizimit të lirisë së tyre përpara se të shpallen fajtorë nga gjykata.

Raporti thotë se në Prokurori, rezulton se nuk ka të regjistruar ndonjë kallëzim të bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë, Kukës, ndaj organizatorëve të protestës.

Për sa i përket rolit të policisë në protestë, Avokati i Popullit thotë se “gjatë kryerjes së hetimeve lidhur me këtë ngjarje është konstatuar që ka patur edhe punonjës policie (nga pamjet filmike rezulton numër i kufizuar) që kanë qëlluar me gurë tubuesit dhe për këtë organi i Prokurorisë ka filluar me iniciativë, procedim penal ndaj Policisë për veprën penale të “kryerjes së veprimeve arbitrare””.

Një fakt tjetër interesant i konstatuar nga Avokati i Popullit është se pas dorëzimit dorazi të urdhrave të ndalimit për 37 protestues, emrat e tyre janë vendosur edhe në sistemin TIMS si të shpallur në kërkim, duke njoftuar kështu të gjitha pikat e kalimit kufitar për arrestimin e tyre. Hedhja e këtyre të dhënave në sistem ka nisur rreth orës 01: 50, ndërkohë që 23 prej tyre ishin arrestuar tanimë.

Avokati i Populli thekson se u ka kërkuar institucioneve ligjzbatuese në Kukës që të mos kryenin arrestimet gjatë natës “për të mos cenuar dinjitetin, moralin dhe integritetin e individëve duke qenë se nuk ndodheshin në kushtet e flagrancës”.

Për sa i përket ndalimeve, Avokati i Popullit thotë se disa prej personave të arrestuar nuk kishin asnjë arsye objektive të largoheshin nga vendi.

“Kështu, shtetasi A.D., paraqitet si person me probleme të shëndetit mendor; shtetasi L.R., ka vajzën e mitur 12 vjeç me sëmundje celebrale. Ai posedon një mjet me të cilin ushtron aktivitetin e tij privat dhe për arsye frike se mos ia vjedhin fle natën në të. Kurse, shtetasi A.D., i cili është invalid i grupit të  dytë pasi paraqitet me sëmundje zemre, në seancë ngriti pretendimin se, Policia Gjyqësore i kishte bllokuar librezën e invaliditetit, e për rrjedhojë nuk mund ta paraqiste si dokument para Gjykatës“, thuhet gjithashtu.

“Në këtë kontekst duhet të ishin hetuar nga ana e organit të akuzës edhe pretendimet në lidhje me orën e saktë të ndalimit të tyre dhe garantimin e të drejtave të parashikuara nga ligji procedural penal”. 

Roli i Policisë Gjyqësore-

Avokati i Populli konstaton gjithashtu se procesverbalet e Policisë Gjyqësore për ekzekutimin e urdhrave të arrestit, kanë mangësi të theksuara “dhe se në tërësinë e tyre këto procesverbale nuk janë hartuar në përputhje me parashikimet e nenit 255/1 të Kodit të Procedurës Penale”. 

Midis shkeljeve, Avokati i Popullit konstaton se të 23 personave të ndaluar, nga Policia Gjyqësore, nuk u është dhënë kopje e urdhrit të prokurorit për ndalimin e tyre, në momentin e vendosjes së prangave, në orët e para të mëngjesit, të datës 01.04.2018.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here