Agjencia e Trajtimit të Pronave: Procedurat për kompensim brenda vitit

0
851

Agjencia e Trajtimit të Pronave do t’i japë përparësi kompensimit të pronarëve që kërkojnë pagesë të përshpejtuar. Të gjithë ish-pronarët që kanë një vendim për njohjen e pronës nga ATP, për të përfituar kthimin ose kompensimin duhet të paraqiten pranë Agjencisë për të plotësuar formularët për pagesa të përshpejtuara. Për të përfituar pagesën e përshpejtuar mund të aplikojnë pronarët që kanë aplikuar në vitet 1993, 1994, 1995 dhe 1997 pasi për ta ka përfunduar vlerësimi financiar. Pronarët duhet të paraqiten në ATP të plotësojnë formularin tip dhe të zgjedhin një nga tre afatet që parashikon ligji, pagesë brenda vitit, brenda 3 vjetëve ose brenda 5 vjetëve. “Gazeta Shqiptare” publikon formularët që mund të plotësohen për të përfituar nga përparësitë që jep ligji i ri për të marrë kompensimin me procedurë të përshpejtuar apo për të marrë pjesë në ankande.

 

 

Tri afatet
Janë vendosur tri afate pagesash të përshpejtuara. Pagesë brenda një viti, brenda tre vjetësh dhe brenda pesë vjetësh. Për secilin variant në një VKM të posaçëm është përcaktuar edhe përqindja e pagesës. Për pagesën brenda një viti pronari merr 20% të vlerës së faturës, për pagesën brenda tri viteve merr 30% dhe brenda pesë viteve merr 40% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere. Të gjitha subjektet që kanë një vendim përfundimtar kompensimi, pavarësisht rendit kronologjik të tij dhe llojit të zërit kadastral të pronës së vlerësuar, kanë të drejtë të aplikojnë pranë ATP-së me kërkesë të veçantë, ku shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht. Kërkesat e veçanta për kompensim financiar do të trajtohen sipas kësaj procedure: nga çdo fond vjetor buxhetor i kompensimit financiar, jo më shumë se 1/3 e tij mund të përdoret për kërkesat e veçanta të kompensimit financiar. Të gjitha subjektet kërkuese, që shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht me kërkesë të veçantë, duhet të aplikojnë pranë ATP-së brenda vitit të çeljes së fondit vjetor buxhetor të kompensimit financiar. Pas aplikimit për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, ATP-ja përgatit vlerësimin financiar të pronës, pavarësisht rendit kronologjik të vendimit dhe në rastin e disa aplikimeve për kompensim me kërkesë të veçantë do të zbatohet rendi kronologjik i datës së vendimeve për këto aplikime.

DOKUMENTET
Dokumentacioni shoqërues që vërteton pronësinë e subjektit të shpronësuar, përbëhet nga: a) dokumentacioni ligjor; b) dokumentacioni hartografik; c) vërtetime për përfitim nga dispozitat ligjore për ndarjen e tokës bujqësore. Sipas legjislacionit në fuqi, dokumentacioni ligjor përbëhet sipas rastit nga: a) dokumentacion hipotekor, kadastral, arkivor, vendimet e mëparshme të ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Komisionit/Komitetit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ish-ZRKKP-së, AKKP-së. Duhet të dorëzohet dokumenti që vërteton heqjen ose marrjen e së drejtës së pronësisë nga shteti subjektit të shpronësuar, sipas akteve ligjore e nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose në çdo mënyrë tjetër të padrejtë që nga data 29.11.1944?. Ndërsa kur një nga dokumentacionet e sipërpërmendura ligjore paraqet mangësi lidhur me sipërfaqen dhe kufijtë e pronës së pretenduar, subjekti depoziton vendimin gjyqësor të formës së prerë së bashku me planvendosjen e pronës, objekt gjykimi, të vulosura nga gjykata, si dhe aktekspertimin, në rast se gjatë gjykimit të çështjes në gjykatë është kryer një i tillë. Sipas ligjit dhe VKM-së që rregullon funksionin e tij dokumentacioni hartografik aktual, i cili përmban çdo të dhënë topografike dhe hartografike të pronës së pretenduar, të pasqyruar në hartën aktuale dhe të konfirmuar nga institucioni ku sipas rastit mund të jetë Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për të gjitha zonat urbane dhe për zonat rurale, ku është bërë regjistrimi, ose Drejtoria e Shërbimit Pyjor, për pyjet e kullotat dhe tokat e tjera jobujqësore, si dhe pozicionimin e pronës së pretenduar me inxhinier/ gjeodet të licencuar, me përjashtim të rasteve kur pozicionimi i pronës është kryer me vendim gjykate të formës së prerë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here