Austria asistencë Ministrisë së Brendshme, Xhafaj takon homologun Kickl

0
524

Gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në Austri, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u takua sot në Vjenë me homologun e tij Herbert Kickl.

 

 

Në takimin që zgjati rreth 90 minuta, u shprehën vlerësime për marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe u diskutua për një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi në vijim. Ministrat evidentuan se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera, ndërsa u nënvizua mbështetja e plotë e Austrisë për përpjekjet e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në BE.

Në fjalën e tij ministri Xhafaj bëri një paraqitje konkrete të prioriteteve të Ministrisë së Brendshme, në fushën e rendit dhe sigurisë dhe njëherësh, të arritjeve të derisotme veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ministri Kickl përgëzoi Shqipërinë për arritjet dhe garantoi se Austria do të jetë gjithmonë një ‘avokate’ e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE.

Ministria e Brendshme e Austrisë do të ofrojë asistencë teknike dhe logjistike për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit.

Gjithashtu u dakordësua bashkëpunimi i ndërsjellë për projekte konkrete. Në javët në vijim do të ngrihen grupe pune në nivel ekspertësh për organizimin e eventeve të rëndësishme, për shkak të Presidencës së BE-së së Austrisë në 6 mujorin në vijim dhe Presidencës së Shqipërisë të Konventës për Bashkëpunimin Policor për Evropën Juglindore.

Takimi i Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë së vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në vjeshtën e këtij viti, është rënë dakord me palën austriake, të mbahet në Tiranë.

Austria ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për të avancuar projektin e propozuar nga ministri Xhafaj në takimin e Triestes vitin e kaluar, për ngritjen e Qendrës Rajonale të Bashkëpunimit Policor.

Në përfundim të takimit Xhafaj ftoi homologun austriak për një vizitë në Shqipëri, e cila u pranua me kënaqësi nga ministri Kickl.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here