Bushati e Kotzias pritet të nënshkruajnë marrëveshjen për njohjen e patentave shqiptare

0
594

Fundi i ditës së sotme pritet të kumtojë një lajm të mirë për emigrantët shqiptarë në Greqi, teksa shteti grek më në fund do të njohë lejet shqiptare të drejtimit të mjetit.

Marrëveshja përkatëse, pjesë e negociatave që janë zhvilluar mes të dy vendeve muajt e fundit- pritet të firmoset pas orës 18:30, nga dy Ministrat e Jashtëm, Bushati e Kotzias.

Në fakt, kjo përbën një kërkesë të kahershme dhe realizohet në kohën që shumica e shqiptarëve në Greqi janë pajisur tashmë me patentë greke.

Por gjithsesi janë dhe disa që kishin procese të hapura gjyqësore për mungesën e patentës. Kjo kategori pritet që pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, mos t’u nënshtrohet më sanksioneve.

Marrëveshja do firmoset në Greqi, ku Ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati po merr pjesë në takimin “Vishegrad-4 plus Balkan-4 plus, që po mbahet në afërsi të Athinës

Bushati ka nënvizuar se zgjerimi i Bashkimit Europian duhet të jetë një proces i dyfishtë.

“Për ne është një mjet që të transformohemi, por është gjithashtu dhe një shans që Europa të zgjerojë sferën e influencës në Ballkan”, ka deklaruar Bushati.

Takimi me emrin e koklavitur ka mbledhur rreth një tryeze 14 ministra të jashtëm: 8 prej të cilëve nga vendet e rajonit anëtare apo kandidate për në BE, si dhe ata të Hungarisë, Polonisë, Çekisë dhe Skllovakisë”, të njohur si “grupi i Vishegradit”. Në takim marrin pjesë edhe Qipro e Sllovenia.

E ardhmja e BE, zgjerimi i unionit dhe energjia janë tre çështjet kryesore që po diskutohen në Sunio, ku ndodhet tempulli i famshëm i Poseidonit.

Ditmir Bushati ka vlerësuar faktin se gjithë vendet e rajonit dhe ato fqinje janë bërë bashkë, “në mbështetje të projektit europian”.

Ai shtoi se shpreson që ky takim të jetë një burim frymëzimi për samitin e Sofies që do të mbahet në fund të javës së ardhshme në Sofie.

“Nevojiten iniciativa në drejtim të zgjerimit, që duhet të diskutohen në Sofie dhe ky është një element shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Europës, jo vetëm për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor”, theksoi Bushati.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here