Lubonja: Reforma në drejtësi e konceptuar keq që në fillim, ja arsyeja

0
573

Analisti Fatos Lubonja ka komentuar zhvillimet politike ne News24. Duke folur për reformën në drejtësi dhe atë çfarë po ndodh me gjyqtarët dhe prokurorët që po kalojnë vettingun, Lubonja tha se ajo është konceptuar keq që në fillim pasi duhet të niste me ndryshimin e sistemit për të eliminuar konfliktin e interesit.

“Reforma në drejtësi është konceptuar keq që në fillim. Nuk duhej filluar nga reforma në drejtësi por në ndryshimin e sistemit. E keqja e madhe e sistemit tonë edhe të drejtësisë është se kemi të mbushur me konflikt interesi. Ata që duhet të na shërbejnë janë në konflikt interesi. Një reformë e vërtetë duhet të ishte një reformë politike që duhet të eliminonte këto konflikte interesi”, tha Lubonja.

I pyetur nëse ka rrezik që shumica ta kapë sistemin, analisti i njohur u shprej se në fund asnjë palë nuk do jetë e zhgënjyer, duke shpjeguar arsyet.
“Ajo është e qartë. Në fund fare nuk duhet të kemi të zhgënjyer nga asnjëra palë. Ndoshta do kemi të zhgënjyer ndonjë perëndimor. Nuk do kemi të zhgënjyer nga opozita sepse ata e kanë ditur që kjo nuk bëhej për të zhdukur konfliktin e interesit por që drejtësia të kapej nga maxhoranca. As maxhoranca nuk do jetë e zhgënjyer. Ajo që është e re është se po i del boja asaj gjëje që po tentonte ta mbulonte Edi Rama me furçet e tija”, tha Lubonja.

Ai shprehu mosbesimin e tij se vettingu do të eliminojë konfliktin e interesit.
“Nuk besoj se kjo formë e pastrimit të gjyqtarëve na eliminon atë që e quajta konflikt interesi. Nuk mund të kurohet vetëm një organ, ndërkohë që nga truri dhe organet e tjera i ka kapur sëmundja”, tha ai.

Po Lubonja foli edhe për çeljen e negociatave, një përgjigje që pritet në fund të qershorit nga Europa. Ai tha se një hapje e negociatave mund t’i shërbejë një të keqeje më shumë se sa interesave të shqiptarëve.

Në lidhje me opozitën dhe aksionin e saj Lubonja deklaroi se është e kompleksuar dhe kontradiktore. “Nga njëra anë kërkon të bindë ndërkombëtarët se sa e vështirë është gjendja në Shqipëri, nga ana tjetër thotë që duhet t’i njihni. Pse duhet t’i njohim? Ka progres apo regres. Në qoftë se opozita mendon që ka regres nuk duhet pranuar ai raport që flet për progres. Opozita ka komplekse ndaj ndërkombëtarët, nga Edi Rama, mund të jenë dhe interesa të tjera. Por krijon bindjen që është një opozitë e dështuar që nuk mund ta nxjerrë Shqipërinë nga balta”, tha Lubonja.

Ai theksoi se një mosnjohje e negociatave, për një klasë të përgjegjshme politike duhet të jetë kambanë alarmi. “Opozita do ta kishte luftën më të lehtë. Maxhoranca do duhej të bëhej më e përgjegjshme”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here