Deputeti i LSI, Përparim Spahiu: Me këtë qeveri të inkriminuar nuk mund të ketë zgjedhje

0
639

Intervistë për “Koha Jonë”, deputeti e LSI-së, Përparim Spahiu: Nuk përjashtohet djegia e mandateve, akt moral

Intervistoi: Jonida Halili

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Përparim Spahiu në një intervistë të posaçme për Gazetën “Koha Jonë” ka deklaruar se në mbledhjen e radhës së grupit parlamentar të LSI ka kërkuar djegien e mandateve dhe mos njohjen e një parlamenti ilegjitim.

“Unë besoj se përgjimet e grupit “Habilaj ishin argument i mjaftueshëm për mos njohjen e Parlamentit aktual, jo më me ngjarje të shumta aq të rënda të mëvonshme, ku shumica opozitare ka vendosur të mos marri më pjesë në Parlament”, është shprehur fillimisht Spahiu.

Më tej sa i takon aksionit të opozitës Spahiu shprehet: “Opozita po ngjiz koalicionin më të madh të partive rreth të cilave mblidhen shumica dërmuese e shqiptarëve që refuzojnë të pranojnë këtë qeveri mashtruese. Jemi një vit pas zgjedhjve dhe duket sikur vendi është në luftë. Ndaj ne kemi detyrë parësore të bashkohemi edhe në aksionin opozitar”.

Maxhoranca ju fton që të merrni pjesë në seancën e javës së ardhshme për të votuar ligjin që parashikon mbylljen e basteve dhe zhvendosjen e kazinove. Çfarë qendrimi do mbajë LSI-ja?

“Sot, minimalisht 18 mandatet e Tiranës kanë rënë…!!! Për dy të Dibrës, ato të koncensioneve flasim ditë tjetër…!!!”. Ky ka qenë reagimi im pas asaj që u pa dhe u dëgjua nga përgjimet e grupit “Habilaj”. Këtë qendrim kam shprehur edhe në mbledhjen e radhës së grupit parlamentar të LSI, ku kam kërkuar djegien e mandateve dhe mos njohjen e një parlamenti ilegjitimi,  “zgjedhur” në Qershor 2017.

Unë besoj që edhe me aq sa kishte ndodhur ishte argument i mjaftueshëm për mos njohjen e Parlamentit aktual, jo më me ngjarje të shumta aq të rënda të mëvonshme, ku shumica opozitare ka vendosur të mos marri më pjesë në Parlament.

Sa do zgjasë kjo situatë, ku ju do të jeni jashtë Parlament? Se ndërkohë maxhoranca është komode.

Opozita e nisi sesionin e ri parlamentar me një takim në Shkodër ku pasoi më vonë me Elbasanin dhe Durrësin, qytetet më problematike sa i takon kriminalitetit dhe filozofisë qeverisëse të Rilindjes. Aktualisht jemi në situatën e marrëdhënieve mjaft të kufizuara me parlamentin, ku nuk përjashtohet as dhe djegia e mandateve, si akt moral korrekt me të gjithë ata që përfaqësojnë qendrim opozitar me një parlament dhe qeveri të lidhur keqas me krimin dhe kriminelë.

Si e komentoni vendimin e qeverisë për heqjen e kazinove elektronike dhe të basteve në qendrat e banuara? Në fakt LSI e ka kërkuar prej kohësh, por a besoni realisht se Rama do t’i rezistojë mafias së lojërave të fatit?

Historia e lojrave të fatit është një gjellë e gatuar keq, mes marrëveshjesh, por edhe mosmarrëveshjesh midis grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Ishin ata që e nisën aksionin “Fundi i Marrëzisë”, po ata që hartuan ligjin e ri për lojrat e fatit dhe i njëjti grup që e shtyu implementimin e atij ligji me disa vite. Jam i lumtur që tani janë vetëm dhe të shohim se çfarë drejtim do marri kjo çështje, gjithmonë nëse kryeministri e ka vërtetë seriozisht atë që e ka menduar dhe po artikulon.

LSI-ja ka filluar takimet në të gjitha degët në vend, në fakt cili është qëllimi? Janë sinjale të një rruge që të çon në zgjedhje të parakohshme apo fuqizimin për zgjedhjet lokale?

LSI-së nuk i mungojnë asnjëherë takimet me njerëzit e saj, në çdo lloj situatë, për të qenë pranë dhe kuptuar në qelizë hallet dhe problemet që shqetësojnë jo vetëm anëtarësinë, por të gjithë vendin.

PD çdo ditë po denoncon skandale. Përmendim këtu rastet e bujshme si “Babalja”, “Xhisiela”, dhe së fundmi lista e fluturimeve të Taulant Ballës me trafikantë, të paktën siç pretendon opozita. Po pozicioni i LSI cili është?

LSI është shprehur si forcë opozitare që në ditët e para paszgjedhore të 2017-s dhe si e tillë mbështet çdo lëvizje a mendim opozitar, për çdo lloj çështje. Çështjet e lartpërmendura janë mjaft shqetësuese, ku tregojnë qartazi filozofinë kriminale të qeverisjes aktuale.

Sipas jush a do të funksionojë paketa anti-shpifje e propozuar nga kryeministri Edi Rama?

Edi Rama së pari duhet të zgjidhi mijëra çështje gjyqësore për pronat e shqipëtarëve, duhet të zgjidhi hallet e minatorëve me mungesën e Statusit, duhet të lidhi Fierin me Vlorë, Tiranën dhe Elbasanin, Fushë-Krujën me Milotin e me Shkodër më tej.

Shqipëria rënditet si vendi më i varfër në Europë, vendi ku çdo ditë njerëzit kanë në mendje veç të largohen. Këto janë çështje, por ka shume të tjera përpara hallit të shpifjes.

A do të pranojë opozita që kryeministër në zgjedhje të vazhdojë të jetë Edi Rama apo e keni kusht të panegociueshëm se me Ramën nuk hyni në zgjedhje?

Asnjë opozitë në botë nuk duhet t’i frikësohet zgjedhjeve, në kushte normale. Por, nëse këto do të ishin zgjedhje të parakohshme, kurrësesi nuk mund të pranojë që të shkojë në zgjedhje të tilla ku shkak është një qeveri e lidhur në çdo qark me elemente kriminale, ku nuk garantoheshin zgjedhje të vërteta, të lira dhe të ndershme.

Shtatori pritej të ishte i “zjarrtë”, të paktën kështu thuhej nga opozita, por asnjë protest nuk u pa. LSI vijon konferencat për shtyp, denoncimet në facebook, e kështu me radhë. A mundet që kjo qeveri, e cilësuar nga ju si e lidhur me bandat, të rrëzohet me konferenca dhe statuse në facebook?

Çdo element ka rëndësinë e vet, si denoncimet, statuset në Facebook dhe debatet televizive. Tashmë të gjithë jemi njohur me platformën e opozitës, ku ne jemi konkretë për problematika emergjente si në përfaqësim politik, problemet e ekonomisë, zgjedhjet, etj. E rëndësishme është që opozita të jetë një alternativë besuese për nxjerrjen e vendit nga kriza dhe absolutisht ardhja e saj në pushtet nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Përballja me krimin qeveritar, kërkon përplasje me turma. Është e gatshme opozita të thërrasë shqiptarët?

Ajo që ka shumë rëndësi është që shqiptarët, gjithë opinion publik po kërkon një reagim ekstrem ndaj keq qeverisjes. A do jetë e zonja opozita e bashkuar të menaxhojë këtë kërkesë të shumicës së shqiptarëve, kjo mbetet për tu parë.

Çfarë hapi do ndërmarrë tani opozita? Do qëndroni ende në akuza në konferenca shtypi apo opozita do hidhet në sulm?

Opozita po ngjiz koalicionin më të madh të partive rreth të cilave mblidhen shumica dërmuese e shqiptarëve që refuzojnë të pranojnë këtë qeveri mashtruese. Jemi një vit pas zgjedhjeve dhe duket sikur vendi është në luftë. Ndaj ne kemi detyrë parësore të bashkohemi edhe në aksionin opozitar, por më e rëndësishmja është për ndërtimin e qeverisjes së ardhme. Rilindjes i ka ngelur vetëm Xhisiela dhe Alizoti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here