Monday, May 6, 2024
Home Aktualitet DASH: Shqipëria gjithnjë e më shumë vend tranzit për drogat e forta

DASH: Shqipëria gjithnjë e më shumë vend tranzit për drogat e forta

0
708

Korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes e kufizon efektivitetin e përgjithshëm të luftës kundër narkotikëve dhe fshehjen e krimeve financiare.

Këto konkluzione iu paraqitën të enjten, 28 mars 2019, kongresit amerikan përmes një raporti me dy vëllime të përpiluara nga DASH nën titullin “Raporti strategjik i luftës ndërkombëtare kundër narkotikëve.”

Në pjesën për Shqipërinë, DASH thotë se ky vend mbetet një vendburim për prodhimin e kanabisit si dhe ka marrë rolin e një nyje tranzitore për kokainën dhe heroinën me prejardhje nga Amerika Jugore dhe Azia.

“Përpjekjet për të shkatërruar dhe për të ndjekur penalisht prodhuesit e kanabisit kanë qenë të shumanshme por të crregullta, dhe prishja e infrastrukturës së trafimit të krijuar përgjatë dy dekadave mbetet një sfidë. Shkalla e lartë e papunësisë dhe zbatimi i dobët i ligjit kanë krijuar një mjedis ideal për grupet e organizuara kriminale. Institucionet shqiptare janë mjaftueshëm të afta për t’i bërë luftë këtyre krimeve por korrupsioni në çdo nivel të qeverisë e kufizon veprimtarinë e tyre. Korrupsioni zyrtar është i shtrirë kudo dhe krijon një  mjedis ku trafikantët mund të veprojnë pa u ndëshkuar.”

Departamenti i Shtetit thotë se tranziti i kanabisit si dhe i drogave të forta komandohet kryesisht nga elementë të krimit të organizuar që transferojnë droga të paligjshme nga vendet burim për në tregjet evropiane. Vëllimi i konfiskimeve të drogës dhe arrestimet e lidhura me drogën në vitin 2018, thuhet në raport, ishin me rëndësi, të nxitura kryesisht nga bashkëpunimi i organeve ligjzbatuese me partnerët ndërkombëtarë, presioni ndërkombëtar në rritje dhe përpjekjet e Shqipërisë për të hyrë në Bashkimin Europian.

Pastrimi i parave-  Gjatë vitit 2018 qeveria e Shqipërisë nuk bëri përparim të rëndësishëm për parandalimin e pastrimit të parave dhe krimeve financiare, thuhet në raport.

Qeveria shqiptare gjatë vitit 2018 nuk ka bërë hapa thelbësorë për parandalimin e pastrimit të parave dhe krimeve financiare. Vendi mbetet i prekur nga ky fenomen për shkak të korrupsionit.  

Si shkak për këtë, raporti e ve gishtin te korrupsioni, rritja e rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucionet e dobëta ligjore dhe qeveritare.

Në raport thuhet se ekonomia e vendit operon në masë të madhe me cash dhe në mënyrë informale, me hyrje të konsiderueshme të parasë nga jashtë në formë të dërgesave të emigrantëve. Krimet që gjenerojnë më shumë para në Shqipëri janë trafikimi i drogës, evazioni fiskal dhe kontrabanda, sipas DASH.

Elementë të tjerë me rëndësi në këtë aspekt, sipas raportit, janë falsifikimi, kontrabanda e armëve dhe trafikimi i qenieve njerëzore.

Shqipëria, thuhet në raport, shërben si bazë operacionesh për grupet e krimit të organizuar që veprojnë në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut.

Reformat e fundit në drejtësi, verifikimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve për korrupsion dhe për lidhjet me krimin e organizuar si dhe krijimi i një task-force policore që synon aktivitetet e krimit të organizuar, thuhet në raport, kanë krijuar një trajektore pozitive që Shqipëria të trajtojë çështjen e pastrimit të parave dhe të krimeve financiare.

Raporti i DASH, perfundon se korrupsioni i përhapur përbën një sfidë për zgjidhjen e tyre.

Raporti nisi të botohej në vitin 1986 dhe publikimi i tanishëm mbulon vitin kalendarik 2018.

/Ora News.tv/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here