Tuesday, May 7, 2024
Home Politikë DW: Çelja e negociatave me Shqipërinë ka gjasa të shtyhet për në...

DW: Çelja e negociatave me Shqipërinë ka gjasa të shtyhet për në vjeshtë

0
417

Në prag të publikimit të progres-raportit të BE-së po shtohen gjasat që vendimi për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të shtyhet për në vjeshtë, shkruan DW në një artikull të publikuar sot me titull “Kur do të çelen negociatat e Shqipërisë me BE-në?”

Në Gjermani kanë dalë në pah kohët e fundit dallimet mes Partisë Socialdemokrate dhe Unionit Kristiandemokrat e Kristiansocial. Grindja e dy partive më të mëdha në parlamentin e Gjermanisë (Bundestag) ka të bëjë me datën e votimit për çeljen e negociatave.

Ndërsa socialdemokratët kërkojnë që votimi të bëhet sa më shpejt, pra, menjëherë pas publikimit të progres-raporteve të dy vendeve, Unioni Kristiandemokrat dhe Kristiansocial e ka caktuar datën e vendimit për 23 shtator.

Një datë, me të cilën, ministri i shtetit Michael Roth, që është përfaqësuesi më i flaktë i qeverisë gjermane pro çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nuk është dakord. Siç e tha edhe një intervistë me Deutsche Welle-n, ai mendon se ka ardhur koha që BE-ja të mbajë premtimin e dhënë një vit më parë ndaj këtyre dy vendeve dhe të japë dritën e gjelbër për negociatat qysh në qershor.

Por edhe pse Michael Roth është përfaqësues i ekzekutivit, nuk mund të thuhet ende me siguri nëse ky është qëndrimi përfundimtar i qeverisë gjermane.

Kancelarja Angela Merkel nuk e ka shprehur akoma mendimin e saj për këtë çështje. Zëdhënësi i saj, Steffen Seibert, i pyetur para do kohësh në konferencën e rregullt të shtypit, tha se “vendimi për çeljen e negociatave do të varet nga progresraporti i Komisionit”. Por sipas ligjit, qeveria gjermane duhet të marrë parasysh edhe mendimin e Bundestagut para se të formulojë qëndrimin e saj për Këshillin e BE-së në qershor të këtij viti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here