Wednesday, December 11, 2019

Kundër çeljes së negociatave, Meta: Të shohim problemet tek vetja, boll me demonizimin e Francës, Holandës e vendeve skeptike të BE

87
0

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një intervistë të dhënë për gazetarin Robert Rakipllari në “News 24” ka bërë thirrje për dhënien fund të fushatës sipas tij demonizuese ndaj vendeve skeptike të BE-së që nuk pranuan hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Sipas Metës në rradhë të parë, duhet të shohim problemet tek vetja që sipas tij detyruan një sërë vendesh anëtare të BE-së të votonin kundër dritës jeshile për Shqipërinë.

Teksa renditi disa nga shqetësimet e ngritura nga këto vende adresuar Shqipërisë, Meta tha se është e pandershme të thuash që “Holanda nuk e do Shqipërinë”.

“Është e pandershme të thuash që Holanda nuk e do Shqipërinë, apo kërkon t’i mbyllë dyert Shqipërisë për kushedi çfarë arsyesh. Kjo është e pavërtetë! Holanda ka tre vjet që na paralajmëron për liberalizimin e vizave (të mos harrojmë se është marrë një iniciativë për herë të parë për të rishikuar liberalizimin e vizave), si dhe për çështje të cilat kanë të bëjnë me grupet e krimit të organizuar shqiptar, që kanë lidhje me Shqipërinë dhe që i krijojnë shqetësime Holandës”, pohon Meta.

PJESË NGA INTERVISTA

Gazetari: Duke pasur parasysh rrjedhën e Samitit të Liderëve të Këshillit Europian, zoti President, ishte fakti që Franca, Holanda ose disa vende të tjera që në fund refuzuan këtë vendimmarrje për refuzimin e negociatave. Kryeministri i vendit zoti Rama u shpreh se Shqipëria i ka bërë të gjitha detyrat e veta sipas Raportit të Komisionit Europian, dhe se kjo nuk është një çështje e jona, pra nuk është një problem i joni por më tepër një problem i vendimmarrjes së Bashkimit Europian.
Ju si Presidenti si mendoni se ky rezultat, që Shqipëria nuk i mori negociatat është më shumë një problem i joni, apo është një problem i vendimmarrjes së Bashkimit Europian?

Presidenti Meta: E vetmja pjesë e saktë e asaj që thotë Kryeministri apo përfaqësues të qeverisë në këtë rast është që, sipas Komisionit Europian ata i kanë bërë detyrat, apo Shqipëria i ka bërë detyrat.

Dhe kjo nuk është për herë të parë këtë vit, por kjo është për herë të tretë sepse u bë tre vite rresht që Komisioni Europian jep propozimin që Shqipërisë t’i hapen negociatat dhe pa kushte.

Në të tri rastet, në qoftë se u kthehemi vendimeve të mëparshme të para një viti, qershori 2018, po ashtu qershori 2017 e kështu me radhë, vendet anëtare kanë vendosur kushte mbi raportin e Komisionit Europian. Ajo që ka ndodhur praktikisht dhe që Franca, por edhe vende te tjera e kanë bërë evidente e që ka një bazë reale, është që Komisioni Europian nga një komision teknik shpesh është shfaqur si një komision politik.

Ndërsa vendet anëtare nga vendimet politike që do të duhet të merrnin bazuar mbi raportet teknike, janë bërë më teknike, pra nuk i marrin të mirëqena raportet e Komisionit Europian, por thellohen në ecurinë e reformave, nga letrat në terrenin konkret, në rezultatet e tyre. Duke qenë se nuk u korrespondojnë këto suksese në shumë raste që raporton Komisioni Europian, vendosin kushte, pasi është në të drejtën e tyre, tërësisht legjitime, që një vend anëtar të mbajë qëndrime të bazuara në fakte dhe standarde.

Tani le të ndalemi pak te Franca dhe tek Holanda. Më vjen shumë keq që kemi vënë re një fushatë demonizuese për Francën dhe për Holandën. Është e qartë se kanë qenë disa vende kundër. Nuk kanë qenë vetëm dy vende si Franca dhe Holanda, as katër vende siç shtohet dhe Danimarka apo Spanja, por kanë qenë shumë vende skeptike dhe dyshuese për kapacitet e Shqipërisë për të merituar çeljen e negociatave.

Është e pandershme të thuash që Holanda nuk e do Shqipërinë, apo kërkon t’i mbyllë dyert Shqipërisë për kushedi çfarë arsyesh. Kjo është e pavërtetë! Holanda ka tre vjet që na paralajmëron për liberalizimin e vizave (të mos harrojmë se është marrë një iniciativë për herë të parë për të rishikuar liberalizimin e vizave), si dhe për çështje të cilat kanë të bëjnë me grupet e krimit të organizuar shqiptar, që kanë lidhje me Shqipërinë dhe që i krijojnë shqetësime Holandës.

Edhe çështja e azilantëve, është problem i ngritur nga pala holandeze. Ne kemi bërë sikur nuk janë kaq serioze! Por janë probleme të ngritura nga Prokuroria holandeze, nga Qeveria holandeze dhe nga Parlamenti holandez. Pra, këtu kemi një problem të qartë, sistematik dhe shqetësues të një vendi partner, që nuk është adresuar në mënyrë të qartë, agresive, të besueshme nga ana e jonë si Shqipëri, që e detyroi Holandën të shkonte tek ai qëndrim që ka qenë mjaft i qartë edhe nga Kryeministri edhe nga Ministri i Jashtëm.

Unë një gjë mund t’iu them me siguri të plotë. Në rast se Danimarka do të kishte një të dhjetat e shqetësimeve që ka Holanda nga krimi i organizuar shqiptar, apo nga problematikat e shkaktuara nga shqiptarët, të jeni të sigurt se qëndrimi do ishte edhe më i ashpër se sa ai i Holandës. Sepse ka disa vende në Europë, të cilat janë shumë demokratike dhe nuk mund të pranojnë kurrsesi të cenohen standardet e tyre apo të qytetarëve të tyre për qëllime politike. Pra, ta pranojmë Shqipërinë apo ta pranojnë një vend tjetër pavarësisht nga këto probleme, sepse kjo i shërben stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Kjo nuk funksionon me të gjitha vendet. Funksionon me Italinë, Austrinë apo me disa vende të BE pranë rajonit tonë, që janë më fleksibël, por jo me disa vende të tjera në Veri të Europës që janë më kërkuese në respektimin e kritereve.

Është padrejtësi që ne të mos shohim problemet te vetja jonë, sepse unë nuk do t’i referohesha Kryeministrit të Holandës, Ministrit të Jashtëm, sepse këto kanë qene evidente, por do t’i referohesha një interviste të dhënë nga Wiersma, lider laburist holanez, një nga udhëheqësit kryesor të Partisë Socialiste Europiane, ish-Zëvendës President i saj dhe i Grupit Parlamentar në Bruksel, Grupi Socialist Europian, një mbështetës i njohur i Partisë Socialiste këtu në të kaluarën.

Ai është shprehur mjaft qartë që shumica e deputetëve ne Parlamentin e Holandës nuk besojnë në kapacitetet e Shqipërisë për të realizuar reformat që kërkohen për procesin e anëtarësimit. Dhe paralajmërimi tjetër i tij se një vend kaq i ndarë do ta ketë të vështirë që edhe në një rast tjetër në të ardhmen, përsëri të ketë mundësi të fitojë çështjen e negociatave. Sepse për Europën, dialogu politik është kyç për zbatimin e reformave dhe efektivitetin e tyre. Në një mjedis kaq të polarizuar dhe kaq të ndarë, si mund të flitet për një zbatim efektiv të ligjit.

LEAVE A REPLY