Policia e Kavajës ka vënë në pranga autorin e plagosjes me armë zjarri të 29- vjeçarit M. Xh, ngjarje e
ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Uniformat blu kanë arrestuar shtetasin V. H., 27 vjeç, banues në Kavajë, i dyshuar si autori kryesor i ngjarjes, ndërsa kanë shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij, S. V., 40 vjeç dhe E. C., 35 vjeç.
Të dy këta shtetas u shpallën në kërkim, së bashku me automjetin që janë larguar dhe vijon puna intensive për kapjen e tyre, si dhe për gjetjen e sekuestrimin e automjetit në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjetin që drejtohej nga shtetasi V. H., brenda të cilit u gjetën një gëzhojë, një antiplumb, 4 aparate celular, si dhe një automjet tjetër në pronësi të shtetasit V. H.
Materialet hetimore në lidhje me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me paramendim’’ e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 01:00 të mëngjesit, tek ish-fabrika e letrës, në Kavajë, ku pas një konflikti për motive të dobëta mbeti i plagosur me armë zjarri në këmbë, shtetasi M. Xh., 29 vjeç, i cili u dërgua në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën.