Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta deklaroi sot se kjo qeveri është vetë problemi dhe jo zgjidhja e krizës.
Ai tha në Konventën Kombëtare se kriza energjetike është krizë korrupsioni dhe administrimi mafioz nga Rilindja e sistemit të energjisë elektrike.
“Jetojmë në kohë krize të shumëfishtë ekonomike, sociale, energjetike, ushqimore dhe inflacioniste që po varfëron shqiptarët çdo ditë e më shumë…
Qytetarët tashmë e kanë kuptuar që kjo qeveri është vetë problemi dhe jo zgjidhja e kësaj krize.
Kujtojmë, se gjatë pandemisë dhjetëra mijëra qytetarë humbën vendin e punës dhe mijëra biznese falimentuan.
Ndërsa qeveritë e tjera mbështetën ekonomitë, qytetarët dhe bizneset e tyre me gati 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, Rilindja u mjaftua vetëm me paketat e lëmoshës që në total nuk arritën as 1% e PBB-së.
Kriza energjetike është krizë korrupsioni dhe administrimi mafioz nga Rilindja e sistemit të energjisë elektrike”, tha Meta.
Ai deklaroi më tej se është fakt që HEC-et në vend kanë prodhuar më shumë energji elektrike sesa kanë pasur nevojë konsumi vendas gjatë vitit 2021.
“Është fakt që për një dekadë të tërë kjo qeveri nuk ka inauguruar asnjë vepër energjetike.
Është fakt që mbi dhjetëra kërkesa për autorizime dhe leje për ndërtimin e parqeve solare me kapacitete instalues në total mbi 1000 Mega që kjo qeveri i ka bllokuar për me shumë se 3 vite.
Është fakt që janë investuar nga privati 1.2 miliardë euro në fushën e prodhimit të energjisë dhe Edi Rama kërkon t’i falimentojë megjithëse ata e shesin energjinë shtatë herë më pak se çe blen banda e Rilindjes në tregjet e jashtme.
Është fakt investimi i rreth 1 miliard Euro për humbjet teknike dhe niveli i tyre mbetet po i njëjti, në masën 20%.
Është fakt që 1.3 miliardë Euro, është borxhi i ndërsjelltë i ndërmarrjeve të energjisë elektrike, ku vetëm Ujësjellësit kanë mbi 220 milionë euro borxh për energji elektrike të papaguar”, u shpreh Meta.
Ai theksoi se përgjegjësia për krizën energjetike dhe çmimet e larta të energjisë për konsumatorët kanë vetëm një emër, atë të Edi Ramës që në 10 vjet si Kryeministër është kujdesur vetëm për të mbushur xhepat e tij duke zbrazur xhepat e familjeve shqiptare dhe duke i kthyer kompanitë shtetërore, KESH, OSSHE, etj., në kompani korruptive dhe elektorale.