Saturday, December 28, 2024
HomeAktualitetKreditë me probleme e mbyllën vitin 2022 në rënie, zbritën poshtë 5%...

Kreditë me probleme e mbyllën vitin 2022 në rënie, zbritën poshtë 5% për herë të parë që nga viti 2008

-

Raporti i kredive me probleme pësoi një rënie të lehtë gjatë muajit dhjetor dhe ra poshtë nivelit të 5% për herë të parë që nga viti 2008.

Sipas informacioneve nga Banka e Shqipërisë, raporti i kredive me probleme e mbylli vitin e kaluar në nivelin 4.99%, nga 5.65% që kishte qenë në fund të vitit 2021. Shifrat tregojnë se ulja e kredive me probleme ka vijuar, pavarësisht mjedisit mjaft sfidues makroekonomik, i karakterizuar nga nivelet më të larta të inflacionit në 24 vjet dhe nga një rritje e shpejtë e normave të interesit në tregun e brendshëm financiar.

Gërryerja e aftësisë paguese të huamarrësve nga inflacioni dhe rritja e interesave nuk ka sjellë ende një përkeqësim të dukshëm të cilësisë së portofolit të kredisë. Megjithëse në muajt e fundit të vitit 2022 kreditimi është ngadalësuar ndjeshëm, me bazë vjetore huaja ka vijuar të rritet edhe gjatë vitit të kaluar.

Portofoli i kredisë për ekonominë, i matur si tepricë, në fund të vitit 2022 arriti vlerën e 713.3 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 7.1%. Rritja e portofolit të kredisë në total ka një rol të rëndësishëm në mbajtjen e një peshe në rënie të kredive me probleme.

 

 

Megjithatë, ana tjetër e medaljes është se ulja e raportit të kredive me probleme është ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. Nëse për vitin 2021 raporti i kredive me probleme ishte ulur me 2.46 pikë përqindje, për vitin 2022 rënia e raportit ishte vetëm 0.66 pikë përqindje.

Rënia e raportit të kredive me probleme nuk ishte shumë e madhe as në muajin dhjetor, muaj kur zakonisht bankat aplikojnë fshirjen nga bilancet të kredive të humbura, sipas kërkesave rregullatore të Bankës së Shqipërisë.

Krahasuar me nëntorin, raporti i kredive me probleme u ul me vetëm 0.06 pikë përqindje. Këto janë sinjale se disa efekte të rritjes së çmimeve dhe normave të interesit kanë filluar të shfaqen tashmë, pavarësisht se ende nuk kanë sjellë rritje në vijueshmëri të raportit të kredive të këqija.

Në skenarët bazë të parashikimit të bankave, një rritje e kredive me probleme është e pritshme gjatë vitit 2023. Pritet që ekonomia shqiptare të ngadalësojë ritmin e saj të rritjes gjatë këtij viti, duke reflektuar më shumë efektet negative të trashëguara nga zhvillimet e vitit 2022.

Rritja e çmimeve pritet të sjellë frenim të konsumit, që është kontribuesi kryesor në zgjerimin e vlerës së shtuar në ekonominë shqiptare. Një efekt negativ do të japë gjithashtu edhe ngadalësimi i kredisë bankare. Në katër muajt e fundit të vitit 2022 kredia e re pësoi rënie kundrejt të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Bankierët presin që një tendencë e ngjashme të vijojë edhe gjatë vitit 2023. Më pak kredi nënkupton më pak mbështetje me financim për konsumin dhe investimet, çka do ta ndikojë gjithashtu negativisht rritjen ekonomike. Një tablo e tillë pritet të sjellë rritje të raportit të kredive me probleme, pro, megjithatë, sipas skenarëve të deritanishëm, bankierët presin që kjo rritje të jetë e lehtë dhe e menaxhueshme./Monitor/

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts