Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i shoqëruar edhe nga homologia e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, nderuan sot Ditën e Shenjtërimit të Shenjt Terezës, me çeljen e një ekspozite kushtuar figurës së saj, që u hap në ambientet e jashtme të Institucionit të Presidentit. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Presidenti Begaj u shpreh: “Sot ne mblidhemi këtu për të nderuar shpirtin e jashtëzakonshëm të një shenjtoreje që e jetoi jetën me dhembshurinë, dashurinë dhe në shërbim ndaj njeriut të pamundur, shenjtores shqiptare, Nënë Terezës. Ndërsa ne qëndrojmë këtu në mesin e kësaj ekspozite që paraqet udhëtimin e jashtëzakonshëm të saj, si dhe në iniciativat e reja për të promovuar madhështinë e figurës së saj, le të marrim një moment për të reflektuar mbi ndikimin thelbësor që ajo pati në botë.”
Sipas Kreut të Shtetit, jeta e Nënë Terezës ishte një dëshmi për fuqinë e pakufizuar të mirësisë. Përkushtimi i saj i pandalshëm për të ndihmuar më të dobëtit, shërben si një shembull i potencialit të njerëzimit për të bërë më të mirën.