Tuesday, January 14, 2025
HomeAktualitetHistoria në numra e universiteteve. Ekspertët: S’është koha për panik

Historia në numra e universiteteve. Ekspertët: S’është koha për panik

-

Nga 2011-a e deri në këtë vit akademik, numri i studentëve që regjistrohen në vitin e parë në universitet ka rënë me 43%. Reduktimi i lindjeve dhe emigracioni i përqendruar te moshat e reja pritet ta çojnë totalin e studentëve në 50-60 mijë në vitin 2033 nga rreth 120 mijë aktualisht. Reduktimi është shoqëruar me përmirësim të orientimit për degët që ka treg pune. Ekspertët e arsimit thonë se nuk është koha për panik, pasi ulja e numrit të studentëve duhet të rrisë cilësinë e studimeve. Historia në numra e universiteteve shqiptare, degët më të kërkuara dhe ato që rrezikojnë të mbyllen

Volumi i punës në universitetet e vendit është duke pësuar rënie drastike vit pas viti, prej pakësimit të grupmoshave të reja të popullsisë dhe emigrimit në nivele të larta te të rinjve vitet e fundit. Numri maksimal i studentëve që pritet të regjistrohen këtë vit të ri akademik në programin bachelor në publik dhe privat është më pak se 20 mijë, nga rreth 28 mijë maturantë gjithsej. Nga viti 2011 e deri në këtë vit, numri i studentëve që regjistrohen në vitin e parë ka rënë me 43%, sipas krahasimeve me të dhënat zyrtare të statistikave të arsimit. Këtë vit akademik, gati një e treta e maturantëve zgjedhin të mos vazhdojnë, ose të ikin për studime jashtë.

Zhvillimet demografike paralajmërojnë se gjatë dekadës në vijim do të kemi sërish përgjysmim të numrit të studentëve. Rënia e lindjeve dhe emigracioni i përqendruar te moshat e reja pritet ta çojë numrin total të studentëve që regjistrohen në vit të parë jo më shumë se 10 mijë në vitin 2033 dhe jo më shumë se 50-60 mijë studentë gjithsej në universitete, nga rreth 120 mijë që ishin në vitin e kaluar.

Rënia e numrit të studentëve po tkurr volumin e punës në universitete, por kjo tendencë nuk duhet konsideruar si një sfidë, por një shans për të rritur cilësinë e studimeve në universitetet dhe për t’iu kthyer atyre funksionet që u takojnë në dije dhe në angazhimin në shkencë, thotë ish-ministri Arsimit, Myqerem Tafaj, tani anëtar i trupës akademike në vend.

Rënia e numrit të studentëve, rritja e pagave të stafit akademik, rritja autonomisë dhe fondeve për kërkimin shkencor do të rrisë cilësisë në universitete. Zoti Tafaj thotë se rritja e cilësisë mund frenojë fluksin e studentëve që ikin jashtë vendit dhe në afat të gjatë të mund të bëhemi tërheqës për studentët e huaj.
Ekspertët mendojnë se nuk ka vend për alarm, nëse disa degë nuk kanë mjaftueshëm të interesuar, pasi sot, në të gjithë botën, studimet orientohen në bazë të nevojave globale të tregut të punës.

Zhvillimet demografike dhe ato teknologjisë tregojnë se në dekadat në vijim, degët e TIK-ut dhe të shëndetit do të jenë ofruesi i madh i vendeve të punës në të gjithë botën.

Kjo tendencë po vihet re edhe në universitetet shqiptare, në të cilat, në vitet e fundit, ka një përqasje më të mirë për të zgjedhur degët që kanë më shumë perspektivë me tregun e punës, si degët mjekësisë, informatikës dhe ato që lidhen me arkitekturën dhe zhvillimin urban.

Kurba në rënie e universitetit

Në vitin 1950, Shqipëria kishte vetëm një universitet në të cilin studionin 300 studentë dhe gjithsej ishin 13 pedagogë, teksa popullsia e vendit ishte vetëm 1,2 milionë banorë, sipas të dhënave historike zyrtare mbi arsimin e lartë.

Ekonomia e centralizuar e regjimit komunist kishte kërkesa të mëdha për specialistë të të gjitha fushave, ndaj dy dekada më vonë, në vitin 1970, numëroheshin gjithsej 5 universitete, me 26 mijë studentë, kurse popullsia e vendit kishte arritur në më shumë se 2 milionë banorë.

Në vitin 1990, kur nisi përmbysja e regjimit, ishin gjithsej 8 universitete me 27 mijë studentë dhe trupa akademike numëronte 1806 pedagogë, kurse popullsia e vendit ishte gati 3,2 milionë banorë.

Pas viteve 1990, struktura e ekonomisë ndryshoi me përqasje ndaj tregut të lirë dhe liberalizimi i ekonomisë u shoqërua edhe me hapjen e studimeve në universitete, jo më sipas planifikimit të para viteve 1990, por sipas preferencave të të rinjve.

Kulmi arriti në vitin akademik 2013-2014, kur numri i studentëve arriti më shumë se 176 mijë, në mbi 24 universitete, ku gati gjysma ishin private.

Rritja e numrit të studentëve shkoi në degë që nuk kishin lidhje me tregun e punës. Programe të tilla si shkencat politike, sociologji, punë sociale, komunikim dhe drejtësi morën një numër të lartë studentësh, ndërsa tregu i punës po orientohej në drejtime të tjera si tregtia, shërbimet, ndërtimi, energjia, telekomunikacioni.

Mentaliteti se duhet shkolla e lartë krijoi një inflacion diplomash të cilat nuk u përkthyen në profesione. Shumica e të rinjve të diplomuar në dy dekadat e fundit u punësuan në call center dhe kamerierë në njësitë e shërbimeve, si rrjedhojë e mospërputhjes së shkollës me diplomën.

Zhvillimet në arsimin e lartë në dy dekadat e fundit i kanë bërë më skeptikë maturantët. Nga viti 2016 deri në vitin 2022, një fluks i lartë të rinjsh kanë emigruar dhe ky fenomen, bashkë me rënien e lindjeve vite më parë, po sjell ulje të numrit të studentëve. Vitin e kaluar, sipas INSTAT, në universitetet vendase ishin të regjistruar rreth 121 mijë studentë dhe rreth 9600 pedagogë.

Siç shihet, numri i studentëve, universiteteve dhe pedagogëve është rritur me shpejtësi në tre dekadat e fundit, por bizneset kanë ngritur shqetësimin se burimet njerëzore janë një problem i madh në aktivitetin e tyre. Bizneset duhet të harxhojnë muaj të tërë për trajnime, pasi programet e studimeve shpesh nuk u përgjigjen kërkesave të kohës.

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts