Friday, December 27, 2024
HomeAktualitetCIA dosje për të gjithë krerët e Komunizmit, ja të dhënat për...

CIA dosje për të gjithë krerët e Komunizmit, ja të dhënat për Nexhmije Hoxhën dhe Ramiz Alinë, çfarë e trembte më shumë Mehmet Shehun me Enver Hoxhën

-

CIA dosje për të gjithë krerët e Komunizmit, ja të dhënat për Nexhmije Hoxhën dhe Ramiz Alinë, çfarë e trembte më shumë Mehmet shehun me Enver Hoxhën
CIA ka pasur të dhëna për krerët kryesore të Partisë Komuniste në Shqipëri. Përmes disa dokumenteve të deklasifikuar, tregohen të dhëna për Nexhmije Hoxhën dhe Ramiz Alinë. Po ashtu tregohet se ajo që trembte më shumë Enver Hoxhën me Mehmet Shehun, ishte fakti se qytetarët mund të informoheshin për zhvillimet në shtetet e huaja.

Shtator 1950

Të dhëna biografike të personaliteteve shqiptare bazuar në informacione dhe shtypin e brendshëm

Nexhmije (Xhunglini) Hoxha ka lindur në 1921. Kur ishte 16 vjeç ajo merrte pjesë në lëvizjen klandestine komuniste kundër regjimit të Zogut, ndërsa pas pushtimit fashist ishte aktive në demonstratat anti-fashiste. Ajo thuhet se ka qenë përgjegjëse për frymëzimin e vajzave në Institutin Femëror të Tiranës. Në nëntor 1944 ajo u bë anëtare e komitetit të Partisë Komuniste. Në vitin 1946 në kongresin e dytë të partisë komuniste, ajo u bë presidente e organizatës së grave, post që mban edhe sot. Ajo është zëvendës-presidente e shoqatës së marrëdhënieve kulturore Shqipëri-BRSS.

Mihal Prifti

Lindur në 1918 në Gjatë të Gjirokastrës. Kur ishte 11 vjeç u bashkua me babanë e tij që kishte shkuar në emigracion në Greqi dhe kreu atje shkollën e mesme. Në vitin 1940 u kthye në Shqipëri ndërsa në 1941 u bë anëtar i Partisë Komuniste. Prej punës së tij në Parti, në vitet 1942-1943 Prifti u bë sekretar politik për qytetin e Vlorës, dhe më vonë ishte komisar politik i brigadës partizane të atjeshme. Pas luftës në prill 1945 ai u lirua nga ushtria dhe u emërua sekretar i përgjithshëm i Kryeministrisë. Në 1947 u emërua ministër i plotfuqishëm i Shqipërisë në Bashkimin Sovjetik, post që mban edhe sot.

Karaman Ylli

Ylli lindi më 25 prill 1917 në Lushnje në një familje të pasur fshatare. Familja e tij kishte marrë pjesë në lëvizjen e vitit 1924 dhe njihej për ndjenjat e saj nacionaliste. Babai i tij u internua nga regjimi i Zogut. Ylli mbaroi shkollën fillore në Berat dhe shkollën e Mesme në Normalen e Elbasanit në 1933. Ai punoi më pas një vit si mësues dhe u largua drejt Francës ku u vu në kontakt me komunistë të tjerë dhe ndihmoi në botimin e gazetës “Populli”. Në 1937 ai u bë anëtar i Partisë Komuniste të Francës. Pas kthimit në Shqipëri, ai mori pjesë në demonstratat antifashiste në Berat dhe u zgjodh në krye të Këshillit Çlirimtar të zonës. Ylli mori pjesë në konferencën e parë të Partisë Komuniste shqiptare në Labinot, ndërsa më vonë u bë komisar i brigadës së 14 partizane. Pas çlirimit të Shqipërisë ai ka mbajtur poste si shef i personelit të ministrisë së Financave dhe i zyrës së Kryeministrit, dhe më vonë ambasador i plotfuqishëm në Francë, post që mban edhe sot.

Abedin Shehu

Abedin Shehu ka lindur në Bicaj, Lume në 1918 dhe ka studiuar në liceun e Shkodrës deri në 1939. Ai vinte nga një familje e varfër dhe ka nisur aktivitetet revolucionare që në bankat e shkollës. Në vitin 1942 u bë anëtar i Partisë Komuniste dhe po atë vit doli në mal si partizan. Në fillim të 1943 ai u bë komandant i kompanisë guerile të Çermenikës dhe më pas komisar i batalionit në Lume. Pas Çlirimit të vendit ai u emëruar sekretar politik i komitetit rajonal të Kukësit dhe më pas u transferua në Tiranë. Në qershor 1946 Shehu u bë zëvendës-ministër i punëve publike, post që mban edhe sot.

Teodor Heba

Teodir Heba ka lindur në 1914 në Tiranë, në një familje të varfër artizane. Në vitin 1925 ai kreu studimet e mesme profesionale në Rumani. Para pushtimit fashist Heba merrte pjesë në grupin komunist të Shkodrës dhe në vitin 1941 u bë anëtar i partisë komuniste. Ai u kap nga italianët në 1942 por u arratis nga burgu dhe doli në mal si partizan me kompaninë e Çermenikës. Pas çlirimit të vendit ai ka punuar si drejtor në Ministrinë e Punëve Publike dhe më vonë u emëruar ambasador në Rumani e Bullgari, post që mban edhe sot.

Manoz Konomi

Ka lindur në 1912 në Poliçan nga një familje e varfër fshatarake. Ai mbaroi studimet e ulëta në zonën e tij dhe arriti të diplomohej për shkenca politike në universitetin e Tuluz në Francë. Gjatë kohës që jetoi në Francë ai qëndroi në kontakt me komunistët shqiptarë atje, që po organizonin rezistencën kundër Zogut. Në korrik 1942 Konomi u bashkua me Partinë Komuniste Shqiptare dhe më vonë u kap dhe u internua nga fashistët në Porto Romano. Pas kapitullimit të Italisë ai u lirua dhe vazhdoi aktivitetin me lëvizjen çlirimtare të Korçës. Pas mbarimit të luftës ai u emëruar ministër i Drejtësisë, ndërsa sot mban postin e kreut të institutit të shkencave.

Pilo Peristeri

Peristeri ka lindur në Korçë në 1909 nga një familje qytetare e klasës së mesme. Ai vetë ka qenë punëtor hekuri. Aktivitetin e tij komunist ai e nisi në Korçë prej vitit 1932. Pasi punoi me grupin e Korçës deri në 1940, Peristeri shkoi në Tiranë ku bashkëpunoi me Enver Hoxhën, Koço Tashko dhe të tjerë, për përhapjen e lëvizjes komuniste, dhe më vonë kontribuoi në themelimin e Partisë Komuniste. Në nëntor 1941 ai doli partizan dhe ka punuar me organizimin e kompanive partizane në Vlorë dhe më vonë në Korçë. Në prill 1945 ai u lirua nga ushtria dhe u emëruar drejtues i komitetit komunist të Korçës. Më vonë ai u bë anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës.

Ramiz Alia

Ka lindur në Shkodër në 1925 në një familje të varfër qytetare. Shkollën e mesme e kreu në liceun e Tiranës ku dhe hyri në kontakt me grupet komuniste. Në gusht 1942 u arrestua nga policia fashiste por u lirua pas disa ditësh prej moshës së re. Më pas Alia u dërgua nga komunistët në komitetin e të rinjve të Beratit. Pas çlirimit të Shqipërisë në 1944, Alia u bë komisar politik i brigadës së 5-të në rangun lejtnant-kolonel. Në 1945 ai ka luftuar në ndihmë të forcave jugosllave për çlirimin e Kosovës. Në vonë në kongresin e parë të Partisë së Punës, Alia u bë anëtar i Komitetit Qendror të partisë.

Nëntor 1952

Kampi internimit në Kamëz

Burimi: Gazeta Flamuri

Kampi i internimit në Kamëz në periferi të Tiranës përbëhet nga dy kazerma me përmasa 50×100 metra rreth 1 km larg njëra-tjetrës, të rrethuara të gjitha me gardh. Drejtori i kampit është Shyqyri Zelka. Ndërtesat janë të drunjta, të vjetruara dhe të palyera. Shiu vazhdimisht hyn brenda mureve dhe çative, ndërsa ambientet nuk janë dezinfektuar kurrë. Vendi është shumë i pashëndetshëm, veçanërisht për të rinjtë dhe të vegjlit. Të internuarit flenë në dysheme, pa ngrohje, dhe shumicën e kohës pa drita. Në kamp ka rreth 900 të internuar, duke përfshirë gra, pleq dhe fëmijë.

Të gjithë të internuarit vijnë nga rrethet jugore të Shqipërisë dhe janë internuar prej arratisjes së ndonjë anëtari të familjes që ka marrë pjesë në aktivitete antiqeveritare. Mes tyre ka gra dhe vajza që janë internuar që prej vitit 1945. Shumë prej tyre janë të sëmurë me pneumoni, pasi të internuarit nuk lejohen të sjellin me vete rroba apo batanije, dhe qeveria nuk jep materiale të tillë, të gjithë të internuarit nga 14 deri në 60 vjeç duhet të punojnë në kooperativën Ylli i Kuq ose në fabrikën e tullave pranë Laprakës. Ata punojnë nga ora 07.00 deri në 18.00 në kushte barbare. Përveç kësaj, gratë duhet të mbledhin dru në darkë për të mbajtur ngrohtë fëmijët e tyre. Ata që punojnë marrin 600 gramë buke misri dhe një pjatë supë në ditë.

Të tjerët marrin 400 gramë bukë dhe një pjatë supe të cilësisë më të keqe. Në verën e vitit 1950 rreth 30 fëmijë nën moshën 5 vjeç vdiqën në kamp nga uria dhe kushtet e rënda të jetesës. Mes tyre ishin: Bija e Osman Sojakut nga Pogradeci, biri i Qamil Çollakut nga Bilishti, bija e Sabri Leminotit nga Maliqi, bija e Rrapo Sadikaj nga Selca, biri i Dalip Pirgut nga Koça, bija e Shero Tresovës nga Tresova, Bija e Ganimet Podgorisë nga Korça, biri i Batire Oshafit nga Pogradeci, bija e Tosum Hoxhallait nga Tresova, biri i Kaim Cerada nga Pogradeci, Ligor Gjata nga Bilishti, nëna e Kaim Cerava, Nizam Qazimi nga Kapshtica, një grua e vjetër e quajtur Brakollari nga Dusara, ndërsa 18 vjeçari Bajram Kuci nga Zhulet i Gjirokastrës u mbyt në liqen. Të internuarve u censurohet korrespondenca. Drejtori dhe policët e kampit sillen në mënyrë brutale, por morali i të internuarve mbetet i lartë dhe kurajo e tyre e jashtëzakonshme. Në nëntor 1951 u liruan nga kampi disa dhjetra fëmijë, ndërsa nënat e tyre mbetën brenda.

Gusht 1953

Transmetimet radiofonike në Shqipëri, ekonomia

Tirana së shpejti pritet të ketë një stacion të fuqishëm transmetimi, valët e të cilit do të mund të kapen nga të gjitha vendet e Ballkanit. Radio-stacioni i ri sovjetik do të ketë një kapacitet prej 50 kilovat dhe do të dëgjohet në të gjithë Italinë, Evropën qendrore dhe lindjen e Mesme. Të gjitha pajisjet do të furnizohen nga Bashkimi Sovjetik dhe teknikët e inxhinierët sovjetikë do të kryejnë të gjitha instalimet. Kjo do të çojë në shtatë numrin total të radio-stacioneve në Shqipëri, ndërsa numri i aparateve radio mes popullsisë është thuajse gjashtë fishuar që prej kohës së mbretit Zog.

Në sesionin e jashtëzakonshëm të parlamentit zhvillimit të inxhinierisë radio dhe radiofikimit të vendit iu dha një vend i rëndësishëm në planin pesë-vjeçar. Në vitin 1938 në Shqipëri kishte vetëm një stacion transmetimi radio, ndërsa deri në gjysmën e dytë të 1951 kishte pesë stacione. Kohët e fundit, në nder të kongresit të dytë të Partisë së Punës (1952) stacioni i ri i fuqishëm radiofonik rriste numrin total të orëve të transmetimit me 50 për qind. Tashmë fuqia e përgjithshme e radio-stacioneve shqiptare ishte 18 herë më e madhe se ajo në vitin 1938. BRSS e ka ndihmuar Shqipërinë jo vetëm në ndërtimin e kombinateve industriale dhe hidrocentraleve por gjithashtu në industrinë e filmit, arsimin dhe stabilimente të tjera kulturore.

Transmetimet e Shqipërisë përçojnë propagandë të paqes dhe të sukseseve të planit pesë-vjeçar, i cili po popullarizohet në të gjitha degët e ekonomisë së vendit.Një program i njohur mes dëgjuesve është ai mbi lajmet për fabrikat progresive. Për realizimin e tij vendosen mikrofonë në punishtet e fabrikave dhe punonjësit e dalluar tregojnë eksperiencat e tyre teksa punojnë në makineri. Të tjera programe i dedikohen kolektiveve apo punonjësve individualë që kanë plotësuar më parë planin e prodhimit. Shumë punonjës kërkojnë transmetime mbi eksperiencat progresive të Stankovitëve sovjetikë. Për shembull punonjësit e fabrikës së duhanit në Durrës kanë kërkuar transmetime për organizimin e konkurseve socialistëve mes fabrikave sovjetike.

Penalizimet për dëgjimin e transmetimeve të huaja

Prishtinë, Flamuri Lirisë

Armiku më i madh aktualisht për qeverinë shqiptare dhe funksionarët e saj, është e vërteta. Hoxha, Shehu dhe rrethi i tyre tmerrohen nga e vërteta pasi ajo paraqet situatën e vërtetë jashtë vendit, edhe në Bashkimin Sovjetik. Për të parandaluar që kjo e vërtetë të arrijë deri te popullit, në mesin e janarit 1953, Mehmet Shehu me autorizimin e qeverisë së Tiranës, lëshoi urdhrin e prerë të ndalimit të dëgjimit të transmetimeve të huaja në Shqipëri, sigurisht me përjashtim të transmetimeve nga Moska dhe vendet e saj satelite. Thyerjet e këtij urdhri do të dënohen me 5 deri në 20 vjet burgim si dhe konfiskim të pronës. Kjo masë e re nuk është për t’u çuditur, pasi është pjesë e një kuadri masash kundër popullit dhe të drejtave të tyre. Ajo provon gjithashtu se e vërteta po përhapet me shpejtësi mes njerëzve dhe nuk mund të ndalohet.

Neu York Times

Mars 1953

54 priftërinj të vrarë në Shqipëri

Agjencia katolike raporton për vdekjet e peshkopëve nga torturat, 19 të tjerë të burgosur. Nga 80 zyrtarë kishtarë që formonin klerin katolik të Shqipërisë në kohën e ardhjes së regjimit komunist në fuqi në fund të 1944, pesëdhjetekatër janë vrarë dhe 19 gjenden të burgosur, sipas agjencisë katolike të lajmeve Fides, e cila citonte një person të mirë-informuar që ishte larguar kohët e fundit nga Shqipëria. Mes të listuarve si të vdekur ishte dhe Monsinjor Nikola Vinsent Prenunshi, kryepeshkop i Durrësit, i arrestuar në 1947, i vdekur pas torturave dhe përçudnimit.

Vdekja e tij duhet të ketë ndodhur kohët e fundit pasi fletorja zyrtare katolike e vitit 1952 e liston si të vetmin kryepeshkop shqiptar ende të gjallë. Shumë nga anëtarët e vrarë të klerit ishin torturuar para vdekjes, njofton agjencia katolike. Duke folur për torturat ajo shkruan se nga teknikat makabre të përdora ishin thyerja e kockave, prerjet e mishit , fërkimi me kripë, zhytja në jashtëqitje, djegia me sende të nxehta, apo shoku elektrik. Raportimi thonë se “revolucioni në Shqipëri po ha vetveten”. Në lidhje me këtë përmendet rasti i lejtnant Pjerin Kcira, ish-anëtar i forcave të sigurisë së Shkodrës, i cili u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burgim.

Pas dhënies së dënimit në gjyq, ai u ngrit dhe akuzoi komunistët për shpikje të provave kundër klerit katolik. “Ju më detyruat të dal natën dhe të fsheh armë në kishat dhe manastiret e tyre në mënyrë që ju të kishit një justifikim për shkatërrimin e klerit dhe të kishave katolikëve”, kishte deklaruar ai në gjykatë. Ndërsa vazhdonte më tej: “Unë deklaroj para të gjithë popullit shqiptar se kam kryer urdhrat tuaja me korrektësinë më të madhe dhe në fshehtësi, por meqenëse ju nuk kemi mëshirë për mua uë dua që këto gjëra të bëhen të ditura publikisht. Agjencia thotë se pas një telefonate me kryeqytetin Tirana, gjykata e dënoi lejtnantin Kcira me vdekje. Ai u vra dhe trupi i tij u hodh në të njëjtën kënetë ku ishin hedhur trupat e priftërinjve të pafajshëm të vrarë.

Marrëdhëniet Shqipëri-Jugosllavi

Gjatë vitit të fundit politika jugosllave për Shqipërinë duket se po merr në konsideratë zhvillimet e mundshme të së ardhmes atje. Në deklaratat e tyre publike liderët jugosllavë, duke përfshirë dhe Titon, kanë thënë se duan në Shqipëri “të lirë e të pavarur”, në kufijtë e saj aktualë, si dhe politika mos-ndërhyrjeje nga fqinjët ballkanikë, veçanërisht Italia. Ata besojnë se vetë populli shqiptar kur t’i vijë koha do ta rrëzojë regjimin e Hoxhës. Aktualisht, Beogradi vazhdon të ruajë presionin e tij fizik dhe psikologjik ndaj Shqipërisë.

Grupet jugosllave të shqiptarëve në emigracion duket se kanë si qëllim rritjen e presionit politik ndaj Shqipërisë por dhe ndaj grupeve politike shqiptare të Perëndimit, veçanërisht atij të sponsorizuar nga SHBA, Komiteti i Shqipërisë së Lirë. Aktualisht nuk ka gjasa që Jugosllavia të bëjë lëvizje të hapura kundër Shqipërisë, pasi për momentin Beogradi favorizon ekzistencën e Shqipërisë, edhe pse e komanduar nga sovjetikët dhe vetëm “de jure” e pavarur. Në propagandën e drejtuar si ndaj Lindjes dhe ndaj Perëndimit, Tito vendos theks të madh në aspektin jo-agresiv të socializmit të tij. Kjo fushatë shpejgon se qeveria e tij është paqësore dhe se është e mundur se socializmi mund të jetojë në paqe në fqinjët, përfshi edhe ato jo-socialistë.

Tito thotë se përshtypja e krijuar nga Perëndimi se socializmi është sinonim i agresionit, e ka origjinën te sjellja e Bashkimit Sovjetik. Prandaj sipas tij, vazhdimi i mbijetesës së regjimit Hoxha është një dëshmi e qëllimeve jo-agresive të regjimit të Titos. Që Beogradi të tentojë përmbysjen e regjimit Hoxha, ai duhet të nisë një fushatë të gjerë propagande për të shpjeguar dhe justifikuar kushtet që e bëjnë diçka të tilla të detyrueshme. Ai gjithashtu duhet të bjerë dakord me Greqinë për çështjen e Epirit të Veriut dhe të nisë trajnime të gjera të shqiptarëve të Kosovës, pranë kufirit me Shqipërinë. Gjithsesi një agresion i mundshëm i Jugosllavisë do të sillte probleme dhe me fuqitë perëndimore, veçanërisht me Britaninë dhe SHBA. E vetmja situatë që mund të ishte e justifikueshme në përdorimin e forcës klandestine në Shqipëri do të ishte shpërthimi i konfliktit të brendshëm, ku Jugosllavia do të ndërhynte për të mbrojtur kufijtë e saj.

Ndërkohë në Shqipëri pakënaqësia ndaj regjimit vazhdon, si mes popullsisë së varfëruar dhe mes elementeve të ndryshme të partisë, të nivelit të mesëm dhe të ulët. Ndër aspektet e pakta pozitive në Shqipëri përmendim zgjerimin e kapaciteteve industriale prej rritjes së ndihmës nga vendet e orbitës sovjetike, dhe rrjedhimisht shtimin e aftësive ushtarake dhe mundësive të regjimit për t’u përballur me rezistencën. Një revoltë e brendshme në Shqipëri do të ishte e pamendueshme pa dezertime të gjera mes forcave ushtarake dhe të sigurisë, të cilat duket se kontrollohen ashpër nga udhëheqja sovjetike dhe oficerët shqiptarë të trajnuar në BRSS. Raportimet për rreth 6000 refugjatë shqiptarë në Jugosllavi duket se janë të ekzagjeruar. Zyrtarët jugosllavë në mars 1952 kanë dhënë shifrat prej 3100 refugjatë dhe rreth 3500 në gusht.

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts