Disa vajza e gra janë bashkuar për të dhënë një mesazh të fuqishëm sot në ditën e Shën Valentinit.
Ato kanë shkruar nëpër muret e kryeqytetit mesazhe sensibilizuese ndaj burrave që vrasin gratë.
“Gjatë gjithë vitit gratë dëgjojnë t’u thuhet: Kush të rreh të do! Gjatë gjithë vitit, gratë dëgjojnë t’u thuhet: Fati i gruas janë lotët! Gjatë gjithë vitit, gratë dëgjojnë t’u thuhet: “Grueja asht shakull për me bajtë”.
Ndërkohë çdo 14 shkurt, gratë shqiptare dëgjojnë t’u thuhet sa shumë i duan burrat i tyre, ato marrin dhurata, lule dhe çokollata. Afërsisht çdo dy javë gratë vriten prej burrave të tyre me thika, sëpata dhe plumba. Por dashuria e vërtetë nuk vret! Krimi i pasionit është thjesht krim! Pasioni nuk rreh, as vret! Kush dashuron nuk ngre dorë ndaj njeriut që do! Kush të rreh NUK të do! Prandaj Dashuro, Mos Vrit!”, thonë në mesazhin e tyre vajzat e gratë e lëvizjes feministe në Shqipëri.