Bukuritë e Alpeve Shqiptare vijojnë të magjepsin çdo turist vendas e të huaj. T’i drejtohesh skajit më verior të Shqipërisë, në njësinë administrative të Kelmendit e cila ndodhet në kufi më Malin e Zi, sot është më e lehtë, falë rrugës së re të ndërtuar mes ashpërsisë së maleve dhe bukurisë që të ofron natyra.
Kelmendi ka çelur zyrtarisht me ditën e turizmit malor, një tjetër sezon që praktikisht thuajse nuk mbyll në asnjë stinë të vitit. Kjo festë që bashkon banorët malësore, me vizitorët vendas e të huaj, si dhe emigrantët që kthehen në atdhe, synon të kthehet në traditë. Në fokus të saj mbetet promovimi jo vetem i bukurive që ka ofruar e pakursyer natyra, por edhe vlerave më të mira qa ka kjo zonë, nga gatimet tradicionale, tek kostumet e vjetra popullore, apo këngët epike nën tingujt e lahutës.
Kreu i bashkisë Malësi e Madhe Tonin Marinaj e vlerëson këtë ditë si startin e një sezoni të mbarë për zonat turistike që ka kjo njësi vendore, ndërsa thotë se vemendja e treguar vitet e fundit me investimet publike i ka dhënë një realitet ndryshe.
Jo vetëm shqiptarët por edhe të huajt janë të magjepsur nga bukuria e maleve të Shqipërisë.
Të fitosh eksperiencë, por edhe të mendosh për të bashkuar në një guidë të vetme të gjitha zonat malore e quan vizitën e tij në Kelmend, kreu i bashkisë Pukë Gjon Gjonaj.
Me një sipërfaqe prej 353 km2 që përbën 33.5 % të Malësisë së Madhe dhe 16.4 % të Alpeve Shqiptare, komuna e Kelmendit numeron 6344 banorë të shpërndarë në fshatrat:Vermosh, Lëpushë, Selcë, Tamarë, Brojë, Kozhnje, Nikç dhe Vukël të cilat dy deri në trefishohen në muajt e verës.