Bashkia Shkoder nuk ka kryer detyrimin që i takon me ligj për furnizimin e shkollave me lëndë të parë për ngrohje. Edhe pse ndodhemi në muajin dhjetor dhe vendi është përfshirë nga temperaturat e ulëta, ky institucion vijon ta trajtojë me indiferentizëm këtë shqetësim të ngritur edhe më herët në media nga vetë drejtuesit e shkollave. Këtë radhë denoncimi erdhi nga këshilltarë të djathte e të majtë në mbledhjen e radhës së këshillit bashkiak, ku i kujtuan bashkisë që drutë dhe lenda djegëse do të duhej të ishin shpërndarë që në 15 nëntor.
Edhe pse këshilltaret ishin të drejtëpërdrejta në akuza, e gjendur në faj, bashkia Shkoder edhe pse përfaqësohej në mbledhje nga nënkryetarja Emilia Koliqi, zgjodhi të mos flasë duke u fshehur pas të tjera përgjigjeve. Kjo sjellje aspak korrekte e bashkisë Shkoder ndaj institucioneve arsimore ku marrin dije qindra fëmijë, tregon edhe njëherë tjetër mënyrën se si vepron pushteti vendor karshi interesave të qytetareve, duke i shpërfillur haptazi. Temperaturat e ftohta për këta titullarë kalohen nën ngrohtësinë e kondicionerëve dhe luksit të zyrave, ndërsa fëmijët duhet të durojnë të ftohtin e ashpër të këtyre ditëve.