Bashkia e Shkodres zgjodhi këtë të shtunë që mjediset e saj të brendshme t’i shndërrojë në funksion të panairit të punës dhe biznesit. Shkollat e mesme profesionale, universiteti “Luigj Gurakuqi”, zyra e punës, dhoma e tregtisë dhe industrisë si dhe bizneset lokale prezantuan markën e tyre në këtë panair, që synon të jetë një dritare pune për të gjithë punëkërkuesit. E kur flitet për Shkodrën situata vijon të mbetet problematike ku 5290 punëkërkues janë të regjistruar zyrtarisht, nga të cilat 49% femra. Pjesa më e madhe e tyre rreth 65% i përkasin moshës mbi 45 vjeç dhe 56% e tyre kanë arsimin 8 vjeçar. Aktualisht për këtë vit numërohen 320 vende pune të lira, kryesisht në fasoneri dhe sektorin e prodhimit.
E veçanta e këtij panairi ishin shkollat profesionale, të cilat dëshmuan aftësimin që marrin të rinjtë në këto mjedise, një sinjal pozitiv për të ardhmen e profesioneve të caktuara.