Shqipëria, por veçanërisht Elbasani u etiketua nga gazetari investigatv Artan Hoxha, si nyja ballkanike e rrugës së heroinës që vjen nga Afganistani. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News 24 ai e konsideroi Shqipërinë një vend tranzit për drogat e forta dhe foli për një dosje përgjimesh të autoriteteve italiane e cila tregonte se si kalon droga nga Shqipëria.
“Kam një dosje të fundit që e kam marrë nga përgjimet e policisë italiane, se si funksionojnë grupet. Ata e sjellin në Shqipëri me sasi të madhe dhe pastaj e ndajnë për të minimizuar dëmet në ngarkesa nga 15 në 30 kg heroinë në drejtim të tregut të BE”,- tha ai, raporton BalkanWeb.
Sipas Hoxhës, kjo linjë ka pikë fundore portin e Durrësit dhe nga Durrësi shkon në drejtim të Italisë.
Nër të tjera ai sqaroi se për të luftuar këto grupe nuk mjafton operacioni për kapjen e makinave të luksit.
“Operacionet policore me kontroll ndaj makinave luksoze, të cilin e mban kujt ia mban xhepi, e mban një biznesmen, fëmijët e tyre edhe politikanë nuk do të thotë që do arrijnë tek këta njerëz që përmenda më lart. Ato makina kanë hyrë në Shqipëri konform ligjit. Mjetet luksoze në vetvete s’janë të ndaluara të lëvizin. Ti bën zhurmë dhe thua do bëj namin. Makinat që u kapën në Elbasan mund të rezultojnë të rregullta, ato pas një jave do ti kthesh mbrapsht, nuk është kjo mënyra se si luftohet krimi”,- shtoi ai, raporton BalkanWeb