Të gjithë shqiptarët mbi 18 vjeç, që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme apo nuk kanë të ardhura fare për të jetuar, apo që janë prekur nga fatkeqësi natyrore, siç janë edhe përmbytjet e fundit, mund të paraqiten pranë njësive vendore të vendbanimit të tyre për të përfituar një nga programet sociale të strehimit.
Kushtet për aplikim
Përveç të ardhurave, individët duhet të plotësojnë disa kushte për të përfituar një nga programet sociale të strehimit. Së pari nuk duhet të kenë në pronësi asnjë banesë. Gjithashtu, mund të aplikojnë nëse kanë mbetur të pastrehë, si rezultat i fatkeqësive natyrore, i prishjes së objekteve të pakualifikuara si banesë, i zhvendosjeve për shkak të investimeve publike apo nga banesat e përjashtuara nga procesi i legalizimeve. Mund të përfitojnë një strehim social edhe familjet që kanë një banesë të vjetër në rrezik shembjeje ose ata që kanë banesë në rikonstruksion, për shkak të vjetërsisë së saj. Edhe shtetasit e huaj, me qëndrim të rregullt në Shqipëri me statusin si ‘punëtor emigrant’ apo ‘azilkërkues’ mund të përfitojë nga programet e strehimit social, shkruan shqiptarja.com.
Kriteret e përzgjedhjes
Punonjësit e njësive vendore bazohen në katër kritere në përzgjedhjen e individëve apo familjarëve për të përfituar një nga programet sociale të strehimit. Do të kenë përparësi individët, të cilët plotësojnë kushtet e strehimit, kushtet familjare, kushtet sociale dhe kushtet ekonomike. Në kushtet familjare janë të favorizuar familjet një prindërore që kanë në kujdes fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat-nëna; të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që s’përzgjidhen për t’u strehuar në azile publike; familjet me më shumë se katër fëmijë; bashkëshortët, deri në moshën 60 vjeç. Në kushtet sociale kanë përparësi personat me aftësi të kufizuara; jetimët që nga momenti i daljes nga jetimoret dhe deri në 30 vjeç; familjet e mbetura të pastreha pasi u kanë liruar banesat ish-pronarëve; emigrantët e rikthyer dhe azilkërkuesit; familjet e policëve të rënë në detyrë; punonjësit e reparteve të ndërhyrjes së shpejtë; punonjësit e RENEA-s; viktimat e dhunës në familje apo të trafikimit; anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian; të miturit në konflikt me ligjin, si dhe individët nga komuniteti GAY. Si përfundim, kushtet ekonomike përcaktohen familjet sipas grupit të të ardhurave.
Sanksionet për shkelje
Në rast të përfitimit të njërit prej programeve të strehimit, bazuar në deklarime të rreme ose në mosdeklarim të ndryshimit të kushteve për të cilat ka përfituar nga programet e strehimit, përfituesi detyrohet të kthejë shumën e përfituar padrejtësisht si dhe dënohet me gjobë, në shumën 40 000 lekë. Gjithashtu, kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore gjobitet me 10 000 lekë për çdo ditë vonesë, për shkelje të afatit të përcaktuar sipas nenit 60, për strehimin e përkohshëm, dhe për shkelje të afatit lidhur me çdo individ të shpërngulur.