LSI paralajmëron votë kundër taksës shtesë për përdorimin e burimeve ujore

0
679

Lëvizja Socialiste për Integrim e kundërshtoi draftin për taksën e puseve të ujit duke deklaruar se do të votojnë kundër. Edmond Panariti tha se nuk mund të vendoset një taksë e tillë për fermerët kur mungojnë investimet në ujësjellësa.

Në një dalje për mediat pas mbledhjes së grupit, ish-Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti tha se LSI  është kundër nismave dekurajuese dhe rënduese ndaj familjeve fermerë.

“Sot në Grupin Parlamentar të LSI, u diskutua për projektligjin që kaloi në Komisionin e Aktiviteteve Prodhuese, disa ndryshime dhe shtesa në ligin 111/2012 për menaxhimin  e integruar të burimeve ujore. Ngarkohen me taksë shtesë për përdorimin  e burimeve ujore. Uji është jeta. Natyrisht një familje fermere në fshat, pusin nuk e ka vetëm për vaditje por edhe për përdorim familjar, për të pirë ujë dhe për përdorime të tjera. Prandaj përdorimi i taksës, aplikimi i taksës është një penalitet, është një rëndesë e pamerituar mbi familjet fermere, dhe sigurisht rëndon akoma më shumë gjendjen e tyre të rëndë ekonomiko-financiare. Prandaj qëndrimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim është i prerë. Ne nuk mund të lejojmë që familjet fermere, përdoruesit e ujit në fshat në mungesë të investimeve për ujësjellësa dhe kanalizime të ngarkohen me taksa dhe tatime shtesë për investime që ata kanë bërë me burimet e tyre financiare, me mundet dhe sakrificat e tyre. Prandaj edhe vota jonë në seancën plenare, për këto nisma dekurajuese dhe rënduese mbi familjet fermere do të jetë kundër”.

Panariti shtoi se mekanizmat për mirëadministrimin e ujit nuk duhen të kthehen në penalitete për fermerët.

Panariti: Pozicioni i LSI, në raport me Reformën e Ujit dhe për administrimin e integruar të burimeve ujore është I qartë. Të gjithë jemi të interesuar për një mirë administrim të burimeve ujore të vendit dhe të gjithë mekanizmat, qofshin këto incentiva fiskale apo mekanizma rregullatore duhet ti shërbejnë sa më mirë administrimit të burimeve ujore. Por këto nuk duhet të kthehen në instrumenta penalizues, që shtojnë barrën e tatimeve dhe taksave, veçanërisht mbi përdoruesit e ujit në zonat rurale dhe për fat të keq hapat  qeverisë në këtë drejtim janë dekurajuese  për atë masë të madhe të fermerëve të cilët janë privuar nga investimet prej vitesh në rritjen e kanalizimeve të ujësjellsave në fshat. Dhe që tashmë përballen me një barrë të pamerituar tatimore dhe fiskale. Pra të detyruar që të përballojnë tatime dhe taksa shtesë për përdorimin e ujit të cilët ata e kanë bërë në mungesë të investimeve qeveritare, me investimet e tyre private. Në fakt qeveria duhet tu ishte mirënjohëse atyre të cilët me sakrificat e tyre  me mund dhe me kursimet e tyre kanë investuar në shpimin e puseve dhe në shfrytëzimin e burimeve ujore freatike. Duhet të ndodhte e kundërta, propozohet aplikimi i taksave shtesë, të cilët rëndojnë buxhetet familjare, kur qeveria ka për detyrë të shtronte kanalet, ujësjellsat të investonte në infrastrukturë, rëndohen familjet tona me taksa shtesë përtej barrës së lartë të taksës që janë të detyruar të paguajnë dhe për shërbime të tjera.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here