Strategjia e re 5 vjecare per rruget, ARRSH miraton planin e ri, zbardhen akset perfituese ne Shkoder

0
855

Autoriteti Rrugor Shqiptar ndryshon strategji dhe bën publik planin e ri të menaxhimit social dhe mjedisor të akseve rrugore, ku përfitues është edhe qarku Shkoder. Ky menaxhim përfshin të gjitha punët fizike, aktivitetet dhe shërbimet e nevojshme për t’i sjellë rrugët në nivelin e shërbimit të kërkuar dhe për t’i mirëmbajtur e menaxhuar. Në total janë rreth 622 km rrugë që pritet të jenë objekt i këtyre kontratave, vlera e të cilave nuk është përcaktuar ende.

Financimi i tyre do të bëhet nga Banka Botërore, ndërsa kontratat do të ketë një kohëzgjatje prej 5 vitesh. Në qarkun Shkoder janë përfituese akset: Tiranë – Han i Hotit 77,88  km, Shkodër – Kukës 138,41 km, Han i Hotit – Tamarë  32,60 km, Ura e Bunës – Muriqan 13,9 km dhe Melgushë– Mjedë  7,10  km. Kontraktuesi do të jetë përgjegjes për punimet e rehabilitimit duke e sjellë rrugën në standartet e paracaktuara, shtimin e karakteristikave të reja në Rrugë si përgjigje ndaj sigurisë apo trafikut të ri, mirëmbajtjen periodike, Mirëmbajtjen rutinë (siç janë riparimet e gropave, pastrimi i kullimit, mbyllja e çarjeve, prerja e vegjetacionit etj) si dhe ndërhyrjet emergjente.

Por ajo që bie në sy në këtë plan të ri të menaxhimit, është fakti se të paktën edhe për 5 vitet e ardhshme këto akse nuk do të ndryshojnë nga realiteti i sotëm, përtej nevojave apo diskutimeve për zgjerimin e tyre dhe përfundimin e autostradës së veriut. Duket se buxheti i reduktuar i qeverisë shqiptare, do të japë efektet e veta në këtë drejtim, për t’u mjaftuar vetëm me zgjerimin e aksit Tiranë – Balldre, e në një të ardhme të afert deri në Shkoder, por pa shkuar deri në Han të Hotit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here