Ngrin marreveshja Shqiperi-Greqi

0
1587

E përditshmja greke Kathimerini ka folur sot për ‘ngrirjen’ e përkohshme të marrëveshjes Greqi-Shqipëri deri në përfundimin e çështjes me Maqedoninë.

 Sipas medias greke shtyrja e nënshkrimit dhe ratifikimit të marrëveshjes ka ardhur si pasojë e reagimeve të ashpra të brendshme dhe nga qendrimet e ndryshme të kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta.

Sipas Kathimerinit nënshkrimi i marrëveshjes do të shtyhet për në vitin 2019, kur pritet ratifikimi i marrëveshjes me Maqedoninë në parlamentin grek.

“Në axhendën e brendshme të Shqipërisë ku tematika shtrohet gjithmonë me tone ekstreme gjendet shumë lart çështja e të quajturës “Çamëri”, që siç ka deklaruar në mënyrë të përsëritur pala greke, nuk ndodhet në tavolinën e bisedimeve”, vazhdon Kathimerini.

Sipas gazetës greke, ajo që po diskutohet lidhet me pasuritë e shtetasve shqiptarë që janë vënë në sekuestro që nga shpallja e ligjit të gjendjes së luftës, në vitin e largët 1940.

Kathimerini vë në dukje se deri në këto momente janë bërë hapa të pjesshëm në çështje të nivelit të ulët, siç është vula apostile apo njohja e patentave shqiptare, ndërsa ndodhet në zhvillim e sipër procesi i zhvarrimit dhe identifikimit të ushtarëve grekë që ranë në luftën italo-greke.

Gazeta u referohet citimeve të herëpashershme nga burimet diplomatike greke, sipas të cilave “është shënuar progres në çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e minoritetit etnik grek në Epirin e veriut”.

Nga ana tjetër, ende mbetet pezull çështja e ligjit të gjendjes së luftës, sa nga pala greke, dhe ajo shqiptare, për shkak të disa vështirësive juridike, përfundon Kathimerini.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here