Pjesë nga libri “Haga e Ramush Haradinaj”

Nga Michael O’Reilly

Ky ishte vendi i trazuar në të cilin lindi Ramush Haradinaj në vitin 1968. Ai e vendoste prejardhjen e tij pesë breza më parë nga një krahinë e Shqipërisë së veriut e quajtur Pukë, një rajon malor në rrugën kryesore që lidh detin Adriatik me Kosovën. Stërgjyshërit e tij –një familje e gjerë që i përkiste klanit Gjoka– u bë pjesë e lëvizjeve të popullsisë të fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, duke kapërcyer Bjeshkët e Nëmura drejt Kosovës perëndimore, duke u vendosur në rrafshnaltën pjellore të Dukagjinit. Ata u vendosën në fshatin e Dogjanit. Dukagjini ishte një territor relativisht i begatë brenda të cilit kishin lulëzuar qytete të rëndësishme osmane, banorët e të cilëve e konsideronin veten pasardhës të një kulture të vjetër që përfaqësonte bërthamën e identitetit të shqiptarëve të veriut. Në fakt, dikur e gjithë provinca e Kosovës udhëhiqej nga qytetet e Dukagjinit, si Prizreni në Jug dhe Peja në perëndim. Që prej shekullit XVII, qyteti i Gjakovës me pazarin e tij të madh, me xhami të shumta e një hamam madhështor, u bë një qendër e rëndësishme politike, kulturore dhe tregtare.

Në Pukë, paraardhësit e Haradinajt kishin qenë katolikë, por tashmë, në tokat më të begata të kontrolluara nga Perandoria Osmane, ata përqafuan fenë myslimane si shenjë ose instrument integrimi. “Konvertimi” nga katolicizmi drejt fesë islame ishte çështje vozitjeje pragmatike për shqiptarët, veçanërisht kur sundimtarët osmanë vendosën taksa më të larta për katolikët. Braktisja e krishterimit do të bëhej gjithashtu zgjedhja e disa të rinjve dhe të rejave që, përndryshe, mund të ishin rrëmbyer për të shërbyer si jeniçerë apo në haremet e Stambollit.

Prindërit e Ramushit, Hilmi Haradinaj, një pasardhës i emigrantëve nga Puka dhe Ruke Brahimaj nga fshati i Jablanicës, rreth 20 kilometra nga fshati Hilmi i Gllogjanit, u martuan në vjeshtën e vitit 1966. Ai ishte 22 ndërsa ajo 16. Ramushi, fëmija i tyre i parë, lindi në korrik të vitit 1968. Ai u pasua nga gjashtë djem të tjerë –Shkëlzeni, Luani, Dauti, Enveri, Frashëri dhe Vetoni– si dhe tre vajza – Mejremja, Valbona dhe Antigoneja.

Familja Haradinaj bënte një jetë relativisht të begatë në Gllogjan. Ata ishin fermerë të suksesshëm që e nxirrnin jetesën nga puna e një rripi toke. Hilmi Haradinaj, një njeri mendjemprehtë dhe vrojtues, kishte gjithashtu një biznes që furnizonte me mallra të ndryshëm dyqanet e zonës që kontrolloheshin nga qeveria. Teorikisht të dyja sipërmarrjet operonin nën vëzhgimin e mprehtë e zhbirues të shtetit socialist. Praktikisht ekzistonin shumë mundësi për sipërmarrje të lirë. Një shans i tillë ofrohej pikërisht nga imperativa socialiste për mbrojtjen e monedhës së mbivlerësuar. Ramushi kujton mbajtjen e çantave të mëdha plastike me para të thata të cilat do të shkëmbeheshin me marka gjermane për t’u rikëmbyer në monedhën vendase më vonë, me kurse më të favorshme shkëmbimi, kur vinte koha për të paguar faturat në dinarin jugosllav që po zhvlerësohej me shpejtësi.

Ruke Haradinaj, një grua shpirtngrohtë e shumë inteligjente, drejtonte familjen e madhe. Hilmi dhe Rukja garantonin që jeta të mbushej me punën, shkollën dhe sipërmarrjen, por kishte gjithashtu një ndjesi detyre –madje edhe fati– që shkonte përtej normës. Haradinajt e rinj e dinin fort mirë historinë e tyre. Ata u rritën në kohëra të paqta, por pa iluzionin e brishtësisë së strukturave shoqërore dhe politike në pjesën e tyre të Jugosllavisë së Marshallit Tito. Hilmi dhe Ruke Haradinaj ishin tradicionalistë, por gjithashtu përpara në kohë kur insistonin që jo vetëm djemtë, por të gjithë fëmijët e tyre, të përfundonin shkollën. Arsimi për ta duhej të ishte çelësi për një jetë më të mirë e në liri.

Në një intervistë të rrallë, Rukja shfaqej e rezervuar për jetën familjare, duke thënë vetëm se në rininë e tij Ramushi lexonte shumë (klasikët e letrave ruse ishin të preferuarit e tij) e se, edhe pse një djalë i vogël, “ai e dinte gjithnjë se ç’duhej bërë”. Raportime të tjera anekdotike na ofrojnë pamjen e një djali që kishte fituar një maturi të pazakontë në moshë të hershme. Haradinajt më të rinj e kujtojnë vëllanë e tyre më të madh si personin “përgjegjës” akoma edhe në vitet e para të adoleshencës së tij. Kur Hilmi largohej nga shtëpia herët në mëngjes për të ndjekur biznesin e tij dhe Rukja përkujdesej për fëmijët më të vegjël, Ramushi shoqëronte çdo ditë për në shkollë vëllezërit dhe motrat më të vogla, duke mbikëqyrur mësimet dhe aktivitetet e tyre sportive. Një prej vëllezërve të tij më të vegjël e përshkruante Ramushin e kësaj kohe si një mbikëqyrës të rreptë tërësisht, të angazhuar me jetën e vëllezërve dhe motrave të tij. Ai ishte gjithashtu përgjegjës për shpenzimet e përditshme të familjes së tij. Ramushi ndiqte gjimnazin në qytetin fqinj të Gjakovës ku, siç rrëfejnë të gjithë, ishte një nxënës i shkëlqyer.

Ramushi kujton ditën kur vdiq Tito, më 4 maj 1980 – një ditë e diel. Ai nuk ishte më shumë se 12 vjeç. Kur dëgjoi lajmin për vdekjen e Titos vrapoi në shtëpi shumë i emocionuar dhe, me një shkelje flagrante të etikës, shpërtheu përpara babait dhe një grupi të madh bashkëfshatarësh të mbledhur në Odën e familjes. Kjo është një dhomë vetëm për burra, zakonisht e madhe dhe drejtkëndore, me ndenjëse të ulëta përqark të paktën tri faqeve muri. Oda është një institucion i rëndësishëm i jetës shqiptare. Në të merren vendime të rëndësishme dhe zhvillohen biseda biznesesh me një frymë formale, plot respekt dhe vetëpërmbajtje të ndërsjellë; ajo përfaqëson një kod për sjelljen e duhur dhe të ndershme. Ramushi i ri e i pafrymë shpalli me të madhe e plot emocion vdekjen e komunistit të vjetër. Ajo u pasua nga një heshtje e mbarsur me ankth e shqetësim.

Asokohe, politika në fshatrat e Kosovës ishte, të paktën në sipërfaqe, e thjeshtë dhe dypolare.

Nëse nuk ishe “me” Titon, do të ishe me diktatorin shqiptar Enver Hoxha – por vetëm sepse Hoxha ishte udhëheqësi i shqiptarëve kurse Tito përfaqësonte sllavët. Izolimi ekstrem i Shqipërisë nga një regjim maoist prodhoi fantazi edhe më të ekzagjeruara se Shqipëria ishte një Shangri-La për shqiptarët etnikë, edhe pse ishte në fakt e rrënuar nga varfëria dhe jofunksionale. Tito mund të ketë qenë sllav, komunist dhe armik i nacionalizmit, por aftësitë e tij politike dhe trimëria e tij, e kishin bërë të fitonte një admirim modest. Dhe tani vdekja e Titos po sillte mbylljen e një kapitulli historik, duke shfaqur në horizont kohëra të vështira e të rrezikshme. Ndërsa burrat e fshatit të mbledhur në odën e tij prisnin prej Hilmi Haradinajt të shqiptonte disa fjalë diplomatike, çka nuk mungoi, mërmërimat e prishën qetësinë, ndërsa sytë e tyre ishin ulur. Ramushi kishte mësuar kësisoj mësimin e tij të parë në politikë.

Vdekja e Titos shënonte fillimin e fundit për Republikën Federale Socialiste të Jugosllavisë. Në mars të vitit pasardhës, protestat e nisura nga studentët e Universitetit të Prishtinës për kushte më të mira u përhapën me shpejtësi në të gjithë Kosovën. Turmat kërkonin ndryshim politik. Ushtria serbe u thirr në ndihmë për të shtypur këto protesta. Një numër shqiptarësh u vranë, ndërsa pati edhe arrestime masive. Shumë të rinj shqiptarë shpenzuan periudha të gjata kohe në burgjet e Serbisë si rrjedhojë e pjesëmarrjes së tyre në protesta. Mes tyre edhe Ismail Haradinaj, një kushëri i Ramushit, i arrestuar në vitin 1981 dhe i dënuar me pesëmbëdhjetë vite burg. Kjo eksperiencë e hidhur nuk i stepi këta njerëz, të cilët përkundrazi u shndërruan në rekrutë vullnetarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur erdhi koha e duhur.

Arrestimet arrinin në mijëra, shpeshherë për veprime të thjeshta si shpërndarje fletushkash ose si të dyshuar për pjesëmarrje në protesta. Midis shumë të rinjve shqiptarë që u larguan nga Kosova gjatë kësaj periudhe Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka patën impaktin më të madh. Gërvalla ishte një personalitet karizmatik i cili gëzonte shumë popullaritet mes shqiptarëve të Kosovës. Ai ishte një gazetar i respektuar, këngëtar dhe kantautor popullor, përveçse aktivist politik, që ishte përfshirë në organizimin e lëvizjeve kosovare të rezistencës që prej viteve 1970- të. Ai ishte mik i njërit prej xhaxhallarëve të Ramush Haradinajt. Ndërsa Kadri Zeka udhëhoqi një grup marksist-leninist në Kosovë dhe kishte një lloj trajnimi ushtarak. Të dy u takuan në Shtutgart në vitin 1981 dhe, së bashku, përhapën gjerësisht mes shqiptarëve në mërgim mesazhin për një Kosovë të lirë, duke punuar për të krijuar një lëvizje të madhe të unifikuar e cila do të kontribuonte në formësimin e të ardhmes së Kosovës.

Më 17 janar të vitit 1982, Gërvalla dhe Zeka, bashkë me Bardhoshin, vëllanë e Gërvallës, ranë viktima të një atentati me armë në Heilbronn, një qytet gjerman në afërsi të Shtutgartit prej disa vrasësve të panjohur. Vrasësit nuk u gjetën ose identifikuan kurrë, por komuniteti shqiptar ia vuri fajin për vrasjet shërbimit sekret jugosllav. Ato u pasuan nga një shprehje masive e keqardhjes popullore për viktimat dhe nga një zemëratë kundër regjimit jugosllav. Më domethënës është fakti se vrasjet shërbyen si katalizator, duke frymëzuar grupe disidente jashtë vendit për t’u përpjekur të krijojnë një parti të vetme që do të punonte për pavarësinë e Kosovës. Pikërisht në këto zhvillime embrionale i ka fillesat edhe Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK). Por dallimet ideologjike do të shkaktonin përçarjen e saj dhe ndryshimin disa herë të emrit të saj gjatë viteve që pasuan.

Vitet 1980-të dëshmuan ngjitjen në pushtet të Sllobodan Millosheviç, që do të sillte shumë pasoja katastrofike për rajonin. Millosheviçi ishte një njeri inteligjent dhe i shkathët që hyri në politikë në fillim të dekadës dhe u veçua së shpejti nga perëndimi si një teknokrat i moderuar që mund të luante një ditë rol të rëndësishëm në udhëheqjen e Jugosllavisë drejt ekonomisë së tregut të lirë. Ai ishte bankier që e kuptonte fort mirë ekonominë liberale. Millosheviçi ishte një njeri i rritur në qendrat urbane, njohës i gjuhës angleze dhe vizitor i rregullt në Shtetet e Bashkuara gjatë gjysmës së parë të viteve 1980-të, kur arriti të përfshihej me lehtësi në qarqet financiare dhe politike. Më vonë Millosheviçi do të shihej si mishërimi i formës më ekstreme të nacionalizmit. Por në fillimet e tij ai nuk ka qenë aspak i tillë. Në fakt ai ishte më shumë një oportunist tepër i aftë që i ranë aksidentalisht ndër duar kartat nacionaliste, të cilat i identifikoi drejt si kartat që do t’i jepnin fitoren në politikë, duke shpallur se influenca serbe në Jugosllavi ishte proporcionalisht e vogël në këndvështrimin e popullit serb dhe se pjesërisht fajtore për këtë gjendje ishte autonomia e Kosovës.

Ndërkaq, Kosova kishte pësuar një ndryshim demografik dramatik gjatë gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë. Mes viteve 1950-1990 popullsia serbe ra nga rreth 25 në më pak se 10 për qind, ndërsa ajo shqiptare u rrit nga 68 për qind në mbi 80 për qind, shumica dërrmuese e të cilëve ishte myslimane. Kjo ndodhi për shkak të dy faktorëve: së pari, për shkak të emigracionit serb drejt rajoneve më të begatë dhe, së dyti, për shkak të ritmit më të lartë të lindjeve mes shqiptarëve. Ekzistonte gjithashtu pikëpamja se serbët u larguan nga Kosova sepse ndjeheshin të kërcënuar ose frikësuar, edhe pse provat për këtë janë përgjithësisht të pabazuara dhe shumë të debatuara. Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, e njohur si SANU, ishte veçanërisht aktive në promovimin e idesë se shqiptarët kishin shtypur serbët. Në brendësi të SANU kishin gjetur strehë një sërë intelektualësh radikalë nacionalistë, puna e të cilëve, siç argumentojnë shumë njerëz, ofronte mantelin dhe mburojën intelektuale për politikat që përfundimisht sollën shkatërrimin e të gjithë Jugosllavisë.

***

Pas përfundimit të shkollës së mesme, Ramush Haradinaj u përpoq të regjistrohej në Universitetin e Prishtinës me qëllim marrjen e një diplome universitare në fizikë. Aplikimi i tij u refuzua, pasi shqiptarëve po u mbylleshin të gjitha dyert. Në vitin 1988, tashmë 20 vjeç, ai doli vullnetar për të shërbyer në ushtrinë kombëtare jugosllave, shërbim për të cilin do të ishte thirrur gjithsesi ta kryente. Ai u vendos në qytetin juglindor serb të Pirotit. Pas vetëm tre muajsh ai u gradua tetar, diçka e pazakontë për një shqiptar etnik. Talenti i spikatur bëri që të thirrej në shumë raste për ato që quheshin me eufemizëm “biseda informative”. Ai u shfaq një vit më vonë me njohuri të mira mbi armatimet, inxhinierinë, komunikimet dhe organizimin ushtarak.

Kur iu rikthye jetës civile, Haradinaj u përpoq sërish të fitonte një vend në Universitetin e Prishtinës, por tashmë situata politike ia kishte kufizuar opsionet. Ndërsa Millosheviçi po forconte e konsolidonte pushtetin e tij, protestat studentore në Prishtinë po përhapeshin me shpejtësi në pjesën tjetër të Kosovës. Haradinaj nuk ishte përfshirë direkt në lëvizjen protestuese. Siç e ka pohuar dhe vetë, ai ishte vetëm një vëzhgues i jashtëm, duke i ruajtur energjitë (dhe lirinë) e tij për një formë më të drejtpërdrejtë mosbindjeje. Por kur protestat dhe represioni i dhunshëm policor arritën në qytetin e tij, edhe Ramushi u arrestua. Kështu, në vitin 1989, në moshën 21-vjeçare, ai bëri udhëtimet e para të shkurtra drejt Zvicrës për të punuar. Në kushtet e një ekonomie që po përkeqësohej e që shumë shpejt do të rrënohej nga luftërat në Bosnjë dhe Kroaci, Haradinaj ishte gjithaq në ankth për të mënjanuar presionet financiare në familjen e tij. Kishte nëntë vëllezër e motra më të vegjël të cilët duhet t’i edukonte dhe ushqente.

Ishte pikërisht gjatë kësaj periudhe, në vitin 1989, që Haradinaj u përfshi për herë të parë në aktivitetin politik dhe ushtarak – jo në Kosovë, por në Zvicër. Ai filloi të lidhej me LPRK-në dhe me grupe të tjera nacionaliste emigrantësh shqiptarë. Gjatë një vizite në atdhe në vitin 1991 ai u arrestua bashkë me shumë tjetër, gjatë demonstratave të dhunshme në qytetin e Deçanit, afër fshatit të tij të lindjes në Gllogjan. Haradinaj nuk mori pjesë në demonstrata: ai ishte prapë “vëzhgues”. Kishte qenë në ankth për të mos e nxjerrë veten haptazi, por ishte tepër vonë. U akuzua për pjesëmarrje në demonstrata të paligjshme, por u lirua nga akuzat nga një gjykatës lokal zemërmirë. Por tashmë do të ndiqej rreptësisht nga autoritetet dhe e kuptoi se nuk kishte më shumë kohë. Në fakt, brenda një jave, policia i ngarkoi akuza të reja për t’u paraqitur sërish në gjykatë në Deçan. Kështu vendosi se kishte ardhur koha të largohej duke shfrytëzuar një linjë autobusësh që i binte përqark, nga Lubjana në Slloveni, pasi kishte dërguar paraprakisht pasaportën dhe dokumentet nëpërmjet një të afërmi. Kur mbërriti në Lubjanë mori dokumentat dhe iu drejtua menjëherë Zvicrës, e cila do të shndërrohej në bazën e tij për gjashtë vitet që pasuan, prej ku do të përgatiste kryengritjen.

© SYRI.net

LEAVE A REPLY