Thursday, May 30, 2024
Home Politikë Deputeti CDU: Kujdes mesazhet ndaj Shqipërisë, sidomos për zgjedhjet

Deputeti CDU: Kujdes mesazhet ndaj Shqipërisë, sidomos për zgjedhjet

0
490

Pas rekomandimit të KE-së për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, vjen një tjetër reagim nga deputeti i CDU-së, Olav Gutting.

Gutting shprehet se shqiptarët janë populli më pro BE në rajon ndërsa Gjermania i ka mbështetuar në rrugën e integrimit. Por ai e vë theksin tek situata politike, duke shtuar se mos-marrëveshjet e brendshme janë shqetësuese. Nisur nga kjo ai apelon të bëhet kujdes me mesazhet që i përcohen vendit, sidomos për zgjedhjet.

“Mbi të gjitha, Shqipëria është mik dhe partneri ynë, dhe nuk duhet të harrojmë se shqiptarët janë njerëzit më pro BE në rajon, bazuar kjo në të gjitha anketat e Bashkimit Europian. Ne gjithashtu kemi mbështetur Shqipërinë në perspektiven e saj drejt për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Me ndihmën e KfË, por jo vetëm, ne kemi investuar shuma të mëdha në Shqipëri, e cila ka bërë progres mahnitës nga periudha e diktaturës deri tek anëtarësimi në NATO dhe tani vend kandidat për në BE. Së dyti ne duhet të jemi sensitivë në dërgimin e mesazheve nga Gjermani në Shqipëri. Mosmarrëveshjet e brendshme janë shqetësuese, por ne duhet të jemi të kujdesshëm në përcjelljen e mesazheve ndaj Shqipërisë, si për shembull në lidhje me datën e zgjedhjeve”,- shprehet ai.

Ndër të tjera, Gutting thekson se nuk e sheh si rrugëdalje për krizën, formën e zgjedhur nga opozita me protesta. Mosmarrëveshjet sipas tij, zgjidhen me dialog.

“Ne mund të themi vetëm se largimi nga parlamenti dhe hedhja e molotovëve, nuk janë një opsion. Kjo madje është e gabuar, dhe nuk përputhet me vlerat tona. Mosmarrëveshje politike duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe debateve parlamentare, jo përmes përplasjeve në rrugë. Së treti, ne duhet të përshëndesim progresin e Shqipërisë, të bazuar në raportin e Komisionit Europian, dhe të angazhohemi me përgjegjësi në rekomandimin e Komisionit për të hapur bisedimet me Shqipërinë. Atje ka një progres të prekshëm. Unë pajtohem me idenë se ne duhet të shohim në proces sipas pikëpamjes tonë dhe ta analizojmë atë më pas. Por kjo duhet të ndodhë me dialog. Unë dua të përgëzoj të gjithë njerëzit dhe autoritetet shqiptare për përpjekjet dhe arritjet. Ata kanë ende një rrugë të gjatë për të ecur dhe probleme serioze për t’u zgjidhur. Në këtë fazë Shqipëria meriton respektin tonë dhe mbështetje të plotë.”,- theksohet në deklaratën e tij.

Një ditë më parë reagoi edhe zëvendëskryetari i grupit parlamentar CDU/CSU, Johann David Wadephul, i cili ka deklaruar se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë kusht nga ato që i janë lënë në 26 qershor të vitit 2018.

(BalkanWeb)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here