Një 36-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Vlorës. Mësohet se Robert Kasemi, banues në Fier është i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjykata e Breshias/Itali në vitin 2018, ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar ndaj 36-vjeçarit.
Kasemi akuzohet për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim” sipas Kodit Italian, ku maksimumi i dënimit është deri në 20 vite burgim.
Njoftim i policisë Vlorë
Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar
Bashkëpunimi Polici-Interpol-Komunitet, vë në pranga 36 vjeçarin për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”
Në vijim të punës intensive për kapjen e personave të shpallur në kërkim, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, falë edhe bashkëpunimit me qytetarët, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Interpol Tirana, organizuan punën në grup për kapjen e 36 vjeçarit.
Si rezultat, në një lokal të lagjes “Pavarësia” Vlorë, u arrit kapja dhe arrestimi i shtetasit R. K., 36 vjeç, banues në Fier.
Gjykata e Breshias/Itali në vitin 2018, ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar ndaj shtetasit R. K., për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim” sipas Kodit Italian, ku maksimumi i dënimit është deri në 20 vite burgim.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprime të mëtejshme.